Seksion
Hënë 6 Prill 2026 06:10
Hënë, 6 Prill 2026, 06:10
FOTO: cantusfirmusbg.com
Madhësia e shkronjave
Më 6 prill, në sallën kryeqytetase “Bullgaria”, Festivali Evropian i Muzikës shënon fillimin e Javës së Madhe para Ringjalljes me një program të rafinuar që përfshin dy vepra emblematike të Ludwig van Beethoven: Koncertin për violinë dhe orkestër në Re mazhor dhe Simfoninë nr. 5 në do minor, e njohur për motivin e saj fillestar prej katër notash, i konsideruar gjatë dy shekujve të fundit si një nga simbolet absolute të muzikës klasike.
Në koncert marrin pjesë violinisti i talentuar danez Stefan Burchardt, Orkestra Cantus Firmus dhe dirigjenti i njohur Maksim Eshkenazi.
Maksim Eshkenazi
FOTO: cantusfirmusbg.com
“Beethoven është krijuesi që në mënyrë të plotë e përcakton konceptin e ‘muzikës klasike’,” ndan Maksim Eshkenazi në një intervistë për radion “Klasik A” dhe shton se çdo kontakt me krijimtarinë e Beethoven-it për të është një zbulim i ri. I dashur nga publiku bullgar, Maksim Eshkenazi është një talent: dirigjent, violinist, kompozitor dhe organizator me ide frymëzuese, si dhe një sportist i pasionuar dhe pilot. Karriera e tij e suksesshme zhvillohet kryesisht në Los Anxhelos. Energjia dhe sharmi i tij i jashtëzakonshëm kanë një kontribut të rëndësishëm në popullarizimin e muzikës klasike mes fëmijëve dhe të rinjve bullgarë gjatë 15 viteve të fundit. Maksimi është krijues dhe motor i programeve edukative “Fortissimo në klasë”, “Fortissimo Familia” dhe i festivalit “Fortissimo Fest”.
Stefan Burchard
FOTO: cantusfirmusbg.com
Më 6 prill, Eshkenazi do të dirigjojë paraqitjen e parë të madhe solistike në Bullgari të violinistit të ri danez Stefan Burchardt, i cili po afirmohet me siguri në skenën evropiane. Më pak se një vit më parë, Stefan ishte ndër fituesit e Konkursit Ndërkombëtar të Violinës Cantus Firmus 2025 në Sofje. Në Sofje, Burchardt do të paraqesë një interpretim të pazakontë të koncertit të Beethoven-it. Ai do të interpretojë kadencën e tij origjinale, në të cilën, ndryshe nga tradita, merr pjesë edhe orkestra. Zakonisht, kadenca është një episod i koncertit instrumental në të cilin orkestra ndalon dhe solisti ka mundësinë për një interpretim të lirë e virtuoz, për të demonstruar mjeshtërinë dhe teknikën. Kadenca solistike më e interpretuar në koncertin e Beethoven-it është ajo e kompozuar nga Fritz Kreisler. Violinisti i ri danez zgjedh një qasje të vetën, me një ndjeshmëri dhe kuptim të ri për muzikën e kompozitorit.
Përpiloi: Cvetana Tonçeva
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello