POLITIKË

Artikull

Ambasadorja Vanja Andreeva: Bullgarët në Irlandë janë njerëz të respektuar

Irlandezët janë një popull tolerant dhe pranues, thotë diplomatja në një intervistë për Radio Bullgarinë

Martë, 7 Prill 2026, 07:00

Ambasadorja jonë në Dublin Vanja Andreeva

Ambasadorja jonë në Dublin Vanja Andreeva

FOTO: Krasimir Martinov

Madhësia e shkronjave

Vanja Andreeva-Mallakova është Ambasadore e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë e Republikës së Bullgarisë në Irlandë që nga shtatori 2023. Karriera e saj si diplomate përfshin dy mandate jashtë vendit në Republikën e Maqedonisë së Veriut, një mandat në Përfaqësinë e Përhershme të Republikës së Bullgarisë në OKB, OSBE dhe organizata të tjera ndërkombëtare, punë në struktura të ndryshme të Ministrisë së Punëve të Jashtme, ku ajo hyri në vitin 2000 pas një konkursi të kaluar me sukses. Ajo zotëron përvojë të pasur në çështjet e Evropës Juglindore, politikën e përbashkët të jashtme dhe politikën e sigurisë të Bashkimit Evropian, diplomacinë shumëpalëshe, të drejtat e njeriut etj.

Me ambasadoren Vanja Andreeva bisedojmë në ambasadën e vendit tonë në Dublin pas forumit të zhvilluar me sukses në fund të marsit të këtij viti “Historia pa kufij. Ruajtja e kujtesës bullgare jashtë vendit”, organizuar nga Shkolla Bullgare “Azbuka” në kryeqytetin irlandez.

Kur flitet për bullgarët jashtë vendit, më së shpeshti theksohet rëndësia e ruajtjes së identitetit bullgar dhe mbajtjes së kujtesës kombëtare jashtë kufijve. Në fakt, a ekziston një kërcënim real për to? – e pyesim ambasadoren Andreeva.

“Pyetja juaj është shumë me vend, por sinqerisht t’ju them, pas këtyre dy ditëve të kaluara së bashku me të ftuarit e forumit, personalisht unë nuk kam asnjë shqetësim. Përkundrazi, identiteti bullgar është jashtëzakonisht i fortë. Kemi arritur ta ruajmë si popull për qindra vjet nën sundim të huaj, kemi arritur të japim një kontribut civilizues për Evropën – alfabeti i tretë në Bashkimin Evropian është cirilikja, ne përhapim kulturën dhe historinë tonë përmes arsimit, me ndihmën e kishës ortodokse. Kështu ka qenë në plan historik, kështu është edhe sot.”

Klasa e dytë nga shkolla "Azbuka" në Dublin në orën e gjuhës bullgare

FOTO: Krasimir Martinov

Një rol pozitiv luan edhe toleranca e njohur irlandeze ndaj kulturave të huaja. Në Irlandë, fëmijët bullgarë mund të japin provimin e maturës në gjuhën amtare, dhe ai llogaritet në pikët për pranimin në universitet. Komuniteti bullgar respektohet dhe ftohet në çdo festë më të rëndësishme në Irlandë. Ndërsa pas pushtimit rus në Ukrainë, vendi ka pranuar rreth njëqind mijë refugjatë ukrainas, kujton ambasadorja bullgare në Dublin. Me çfarë më së shpeshti irlandezët e lidhin Bullgarinë?

“Sipas mendimit tim, ky është turizmi. Kur takoj ndonjë irlandez që ka qenë në Bullgari, ai me krenari më thotë: ‘Kam qenë në Sllënçev Brjag’ ose ‘Kam qenë në Bansko’. Shumë irlandezë kanë edhe prona në Bullgari. Njoh disa njerëz të mrekullueshëm që gjashtë muaj të vitit jetojnë në Çepelare dhe gjashtë muaj në qytetin Monahan. Ata e kanë zbuluar Bullgarinë pasi për vite me radhë kanë ndihmuar trajtimin e dy fëmijëve bullgarë. Ka shumë irlandezë që kanë lënë zemrat e tyre në vendin tonë. Por mund të bëhet shumë më tepër për njohjen e saj. Kohët e fundit patëm kënaqësinë të mirëpresim këtu ‘Misteri i Zërave Bullgarë’. Koncerti i korit tonë të famshëm u shndërrua në një festë mes bullgarëve dhe irlandezëve. Në ambasadë organizojmë edhe Ditë të Dyerve të Hapura dhe prezantojmë elemente të ndryshme të kulturës sonë. Për shembull, shumë interesante për irlandezët ishte prezantimi i trëndafilit bullgar dhe vajit të trëndafilit bullgar. Shumë irlandezë dëgjuan për herë të parë për to dhe shfaqën interes për të vizituar Bullgarinë.”

Ambasada Bullgare në Dublin

FOTO: Krasimir Martinov

Marrëdhëniet mes Bullgarisë dhe Irlandës zhvillohen shumë mirë edhe në planin politik, thekson gjithashtu ambasadorja e vendit tonë në Dublin:

“Irlanda vazhdimisht e mbështet Bullgarinë në nivel evropian – që në procesin e anëtarësimit tonë në BE, dhe tani në pranimin tonë në eurozonë. Na mbështeti personalisht ministri i tyre i financave, i cili ishte edhe kryetar i Eurogrupit – Paschal Donohoe. Është një plus që të dy vendet jemi në Bashkimin Evropian, kemi shumë tema të përbashkëta, kemi edhe qëndrime të ngjashme për shumë çështje. Por duhet të ketë pak më shumë aktivitet në fushën e ekonomisë, turizmit, inovacioneve dhe teknologjive të larta, sepse Irlanda ka shumë për të na dhënë. Nga ana tjetër, Bullgaria ka ambicie të pozicionohet në rajonin e Evropës Juglindore si një shtet me qendra të forta arsimore dhe kërkimore në shkencat kompjuterike, inteligjencën artificiale, kompanitë startup. Kështu që këtu mund të jemi shumë më aktivë dhe të tregojmë iniciativë.”

Ndërtesa e Ambasadës Bullgare në Dublin

FOTO: Krasimir Martinov

Nuk ka statistikë të saktë për numrin e bullgarëve në Irlandë, por sipas vlerësimeve të Ministrisë së Punëve të Jashtme ata janë midis 8000 dhe 10 000 persona. Jetojnë në pjesë të ndryshme të vendit – Dublin, Cork, Limerick, Shannon, Tullamore, Galway… Realizohen edhe në fusha të ndryshme të veprimtarisë. Pothuajse nuk ka kompani të teknologjisë së lartë ku të mos ketë bullgarë – na tha Vanja Andreeva.

Një komunitet serioz përbëjnë inxhinierët bullgarë të aviacionit, ka gjithashtu kontabilistë, punëtorë në fabrika, arkitektë, mjekë…


Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski