Autor
Darina Grigorova
Artikull
Premte 10 Prill 2026 04:50
Premte, 10 Prill 2026, 04:50
FOTO: BTA
Madhësia e shkronjave
E Premtja e Madhe është dita më e trishtuar për botën e krishterë. Kjo është dita kur Biri i Perëndisë, i Pavdekshmi, vdes dhe qëndron i pajetë në varr. Ndonjëherë kjo duket e pakuptueshme për mendjen, por zemra e di se pason Ringjallja. Në mëngjes nuk shërbehet Liturgjia Hyjnore, sepse kjo është dita kur Jezusi Krisht, që vendosi Sakramentin e Eukaristisë, zbret në ferr tek të vdekurit.
Në kishat ortodokse, Të Premten e Madhe, nxirret qefini, mbi të cilin është qëndisur imazhi i Krishtit i shtrirë në një arkivol. Besimtarët i përkulen para tij dhe e puthin. “Në këtë ditë ne vajtojmë për Atë, që dha jetën e Tij për ne në Kryq, dhe njëkohësisht e lavdërojmë dhe falënderojmë që kreu këtë shpëtim,” thekson Prof. Ivan Zhelev në një intervistë të veçantë për Radio Bullgarinë. Prandaj, Të Premten e Madhe, çdo njeri që mban të paktën një copë të Zotit brenda vetes përkulet para sakrificës së Shpëtimtarit.
FOTO: BGNES
Në Bullgari, por edhe në vende të tjera të Ballkanit, qefini vendoset në kuvuklinë e zbukuruar me lule, që simbolizon Varri i Zotit. Mbi të vendosen gjithashtu Ungjilli dhe Kryqi. Besimtarët i përkulen dhe i puthin me radhë qefinin, Ungjillin dhe Kryqin, më pas kalojnë nën kuvuklinë, dhe në këtë mënyrë simbolikisht zbresin në varr, ku lënë pas krenarinë dhe egoizmin, për të ringjallur me Shpëtimtarin për një jetë të re — për dashurinë ndaj të tjerëve, për përulësinë dhe kujdesin ndaj të afërmit.
FOTO: BTA
Sipas fjalëve të Prof. Zhelev, nuk është aq e rëndësishme nëse do të kalojmë nën qefin, por nëse do të arrijmë shpirtërisht të përulemi dhe të pendohemi:
“Puthja dhe përkulja përpara Shpëtimtarit, i cili u kryqëzua për mëkatet tona, është gjëja më e vogël që mund t’i japim. Kalimi “nën tavolinën me qefinin” nuk është një veprim magjik. Ai nuk sjell automatikisht ndonjë shpërblim shpirtëror. Shkojmë në kishë – edhe ata që nuk janë shumë të devotshëm dhe nuk praktikojnë rregullisht fenë e tyre, ndjejnë se duhet të shkojnë dhe të thonë, për shembull, “Zot, më fal!”. Këto fjalë të thjeshta duhet t’i themi jo vetëm për t’i shqiptuar, por për t’u ndryshuar veten. Pendimi – në greqisht është një fjalë që do të thotë ndryshim i mënyrës së të menduarit. Pra, duhet të ndryshojmë mënyrën e të menduarit, jo thjesht të kryejmë ndonjë veprim – të blejmë qirinj, t’i ndezim, të lutemi shkurt dhe kaq, ose të kalojmë “nën tavolinën me qefinin” dhe papritmas të ndodhë diçka magjike. Duhet që së pari të ndodhë ndryshimi brenda nesh, në shpirtin tonë.”
FOTO: BGNES
Prandaj, priftërinjtë i ftojnë besimtarët, të cilët vërtet duan të përgatiten dhe të përjetojnë hirin e Ringjalljes së Ndritshme të Krishtit, të jenë të pranishëm me gjithë shpirtin. Të përjetojnë njëkohësisht një trishtim të pakufi dhe një mirënjohje të madhe. Të ndiejnë me shpirt Shpëtimtarin, i shtrënguar nga dhimbja, i cili fal ata që e torturojnë. Falja është masa e dashurisë. Ajo është shembulli se si duhet të falim kur jemi lënduar padrejtësisht. Në këtë çast, jemi të thirrur të falim, jo sepse ai që na ka lënduar e meriton, por sepse Krishti na ka falur, edhe kur ne nuk e meritonim.
FOTO: BGNES
“Ky është paradoksi: Shpëtimtari i botës u konsiderua si një keqbërës dhe u kryqëzua”, vëren prof. Zhelev dhe shton:
“E gjithë kjo është e përshkruar në tekstet e shërbesës kishtare gjatë këtyre ditëve – ato lexohen, ato këndohen. Fatkeqësisht, jo gjithçka kuptohet në këto këngë, por janë përshkruar aq bukur, sepse tekstet u krijuan nga poetët më të mirë të Mesjetës së hershme. Ata krijuan himnografinë fetare, siç i quajmë ne himnet fetare. Këto himne interpretohen deri më sot, të përkthyera në një mënyrë të jashtëzakonshme – mund të them edhe të përsosur – nga vëllezërit e shenjtë Kirill dhe Metodij dhe nxënësit e tyre. Më pas, gjatë shekujve, deri në kohën e Shën Patrikut Evtimij, d.m.th. deri në shekullin e XIV-të, gjithçka ishte përkthyer në bullgarishten e vjetër dhe këto tekste i kemi sot në dorë.”
FOTO: BGNES
Prandaj, çdo kush që dëshiron të përjetojë ngjarjet e Javës së Madhe mund t’i gjejë ato në Ungjillin e Ri, të përshkruara nga nxënësit e Krishtit – evangjelistët Luka, Mateu, Gjon dhe Marku. Ato gjenden gjithashtu edhe në aplikacionin e ri të Kishës Ortodokse Bullgare, në seksionin Bibla.
Lexoni më shumë nga koleksioni i Radio Bullgarisë:
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova