SHOQËRI

Artikull

Nisma “Kinoklub” si rrugë drejt botës së brendshme të nxënësve të sotëm

Mërkurë, 8 Prill 2026, 06:45

Nisma “Kinoklub” si rrugë drejt botës së brendshme të nxënësve të sotëm

FOTO: kinoclub.bg

Madhësia e shkronjave

Provokues, të pazakontë, pak të njohur dhe shumë më rrallë të shfaqur, filmat e shkurtër bullgarë meritojnë të arrijnë një audiencë më të gjerë, të nxisin reflektim dhe diskutim mbi temat që trajtojnë përmes gjuhës së kinemasë. Ky është edhe qëllimi kryesor i platformës online “Kinematograf”, e cila ofron qasje të lirë 24 orë në ditë në 2582 tituj dhe prej 13 vitesh organizon kinema verore në Sofje dhe në mbarë vendin, duke kontribuar në decentralizimin e jetës kulturore në vend. Ndër themeluesit e saj janë regjisorët Jordan Mihajllovski dhe Devina Vasileva, si dhe aktorja Mina Markova.


FOTO: kinoclub.bg

Një fokus i veçantë në punën e tyre është edhe komunikimi me të rinjtë. Për këtë arsye ata krijouan projektin “Kinoklub”, për të nxitur një interes të vetëdijshëm të nxënësve ndaj kinemasë. Këtë e realizojnë duke u ofruar atyre mundësinë të shohin filma dhe më pas të bëjnë hapin shumë të rëndësishëm – të diskutojnë çështje të ndryshme që qëndrojnë në themel të kinemasë së shkurtër bashkëkohore, klasike dhe eksperimentale. Dhe e gjithë kjo zhvillohet në shkollë, me dakordësi paraprake, brenda orëve të kujdestarisë.

Jordan Mihajllovski

FOTO: Arkiv personal

“Pas shfaqjeve diskutojmë filmat, por jo aq temat e tyre, sesa në ç’masë ato i frymëzojnë nxënësit, çfarë mendojnë, çfarë kritike kanë dhe si i bëjnë të ndihen – shpjegoi për Radio Bullgarinë regjisori Jordan Mihajllovski. – Këtë e arrijmë vetëm përmes pyetjeve, dhe unë nuk ndaj mendimet e mia personale apo botëkuptimin tim, por vë në pikëpyetje të tyret. Besoj se kjo çon në zhvillimin e mendimit të tyre kritik dhe u jep mundësi të argumentojnë, të dëgjojnë njëri-tjetrin, të mos e ndërpresin njëri-tjetrin– aftësi të buta që duhet të mësohen në shkollë.”

Të orientuar ndaj nxënësve të klasave të 10-ta dhe të 11-ta, filmat shpesh tregojnë historitë e personazheve të margjinalizuar, të cilët përmes veprimeve përpiqen të ndryshojnë botën dhe, si rezultat, ia dalin ose jo:

FOTO: kinoclub.bg

“Pas kësaj, me të rinjtë diskutojmë sa i përshtatshëm është ky synim, çfarë përpjekjesh duhet të bëjmë për të ndryshuar botën. Sa të dhunshme duhet të jetë kjo, a nevojitet një revolucion apo gjithçka duhet të ndodhë në mënyrë paqësore, dhe çfarë mundësish kemi ne, si qytetarë, për të përmirësuar komunitetin tonë që bota të bëhet më e mirë.”

Pas vizitave në 41 shkolla, ku u organizuan 61 klube kinematografike, u shfaqën 79 filma para 1266 pjesëmarrësve gjatë 3 viteve, Jordan Mihajllovski tashmë ka reflektimet e tij mbi atë që i intereson dhe i provokon nxënësit e sotëm:

FOTO: kinoclub.bg

“Kam vërejtjen se ata janë mjaft polarë – mendojnë në skaje. Ose thonë se duhet të zhvillohet dialog përmes të cilit të arrijmë paqe dhe dashuri në komunitetin tonë, ose thonë se personi i pacipë duhet të vritet, gjë që, padyshim, është një zgjidhje mjaft ekstreme. Pra, ata kanë njëfarë mendimi, pasioni dhe kritike ndaj shoqërisë sonë – për mënyrën si është e organizuar, si e mbrojmë natyrën, si drejtojmë automjetet, çfarë korrupsioni ekziston – por ende e kanë të vështirë të marrin parasysh këndvështrimin e kundërt, të cilin duhet të dinë ta dëgjojnë, ta përpunojnë dhe të nxisin një sintezë mes dy ose më shumë ideve. Në këtë moshë, ata janë ende disi të mbyllur si individë dhe e kanë të vështirë të pranojnë një mendim ndryshe. Natyrisht, ka edhe të tillë që përpiqen ta arrijnë këtë, si dhe të tjerë që jo aq shumë.”

Mihajlovski është i bindur se pikërisht kjo është rruga drejt uljes së agresivitetit, i cili është një problem serioz tek të rinjtë në rritje, si dhe drejt përmirësimit të aftësive të tyre për të dalluar rreziqet nga përdorimi i rrjeteve sociale dhe internetit.

FOTO: kinoclub.bg

Detyra e radhës për nismën “Kinoklub” është të kërkojë mundësi për një bashkëpunim më aktiv me mjekë dhe psikologë, të cilët të ndihmojnë nxënësit të fitojnë aftësi të ndryshme të buta, si dhe të shfaqin dhe të zhvillojnë empatinë mes tyre. Ai dha shembullin e Estonisë, ku nxënësit fillojnë të zhvillojnë dhe përvetësojnë ndjenjën e empatisë që në klasën e katërt, edhe pse në mënyrë jo plotësisht të vetëdijshme, përmes lojërave të ndryshme dhe ndërveprimit me njëri-tjetrin. “Në këtë moshë, fëmijët janë kureshtarë dhe të lirë të shprehin mendimet dhe emocionet e tyre në diskutime”, gjë që mundëson që, përmes mjeteve të artit, të trajtohen tema serioze si varësitë, siguria rrugore, angazhimi qytetar etj., janë të bindur nga ekipi i “Kinoklub”.

 

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova