Artikull
Mërkurë 8 Prill 2026 10:21
Mërkurë, 8 Prill 2026, 10:21
FOTO: BNT
Madhësia e shkronjave
“Mëngjesi solli lehtësim për të gjithë në kërkimin e një fundi të konfliktit në Lindjen e Mesme.” Kështu e komentoi ministrja e jashtme në detyrë, Nadezhda Nejnski, për BNT, armëpushimin dyjavor të shpallur mes SHBA-së dhe Iranit. Qëndrueshmëria e këtij armëpushimi do të varet nga fakti nëse Irani do të heqë dorë nga krijimi i një bombe bërthamore, nga dhënia e garancive të mjaftueshme se uraniumi i pasuruar nuk përdoret për armë bërthamore, nga ndalimi i sulmeve ndaj vendeve të Gjirit, si dhe nga hapja e Ngushticës së Hormuzit, tha Nejnski. “Është ende herët për optimizëm. Situata e tensionuar gjatë javëve të fundit është jashtëzakonisht e rëndë. Fatkeqësisht, disa herë patëm pritshmëri që nuk u përmbushën,” shtoi ajo. Sipas ministres, rezoluta e hedhur poshtë nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, në të cilën kërkohej hapja e Ngushticës së Hormuzit, tregoi se konfliktet në botë janë të ndërlidhura. Në këtë fazë, Bashkimi Evropian po arrin përmes diskutimeve të gjejë zgjidhjet më të përshtatshme lidhur me luftën në Iran, shtoi ajo. “Të gjitha përpjekjet e qeverisë bullgare janë të përqendruara në dhënien e garancive maksimale për sigurinë e Bullgarisë”, theksoi Nejnski. Sipas saj, këto garanci qëndrojnë në politikat që ndjek vendi, si dhe në anëtarësimin e tij në BE dhe NATO.
Ajo komentoi edhe marrëveshjen me Ukrainën, duke theksuar se ajo përcakton një kornizë politike nga e cila nuk burojnë detyrime, por mundësi për Bullgarinë.
Redaktoi: Ivo Ivanov
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova