KULTURË

Artikull

Vezët e Pashkëve të pikturuara – tradita është e gjallë në Ihtiman

Zejtarët e shndërrojnë simbolin e Ringjalljes në vepra të vërteta arti

Enjte, 9 Prill 2026, 16:00

Vezët e Pashkëve të pikturuara – tradita është e gjallë në Ihtiman

FOTO: Facebook/ Venina Ljubomirova Mineva

Madhësia e shkronjave

Tradita e zbukurimit (shkrimit) të vezëve të Pashkëve me dyll shumëngjyrësh është e gjallë edhe sot dhe përcillet nga brezi në brez. Si realizohet saktësisht zbukurimi i këtyre simboleve shumë karakteristike bullgare të Ringjalljes, mund ta mësoni nëse vizitoni qytetin Ihtiman, jo larg Sofjes. Këtu ruhet me përkushtim tradita shekullore e vezëve të pikturuara të Ihtimanit, ndërsa për përcjelljen e saj në kohë kontribuon Muzeu Historik i qytetit. Ndër rrethet e etnografisë dhe zejeve, aty organizohen edhe aktivitete për zbukurimin e vezëve të Pashkëve, të cilat frekuentohen nga fëmijë të moshës 5 deri në 17 vjeç. Koleksioni i vezëve të punuara të Ihtimanit tërheq kureshtjen e shumë vizitorëve të muzeut.

Në Ihtiman çdo vit zbukurimi i vezëve sipas teknikave të vjetra fillon që në janar dhe vazhdon deri në Pashkë. Vetëm një mjeshtre punon rreth 600 vezë. Më pas muzeu merr pjesë me ekspozita në të gjithë Bullgarinë dhe madje edhe jashtë vendit.

“Tradita për zbukurimin e vezëve të Pashkëve me dyll blete është shumë karakteristike për krahinën tonë. Ajo ekziston edhe në disa rajone të tjera të Bullgarisë – Velingrad, Etropole, Dollna Banja dhe fshati Kostenec” – shpjegon Velina Mineva, drejtore e muzeut dhe drejtuese e rrethit për krahinologji, etnografi dhe folklor nga qyteti Ihtiman.

FOTO: Qendra për Mbështetje të Zhvillimit Personal – Shtëpia e Fëmijëve (Qyteti Ihtiman)

Nga shekulli i 19-të në qytetin Ihtiman zbukurohen vezë. Ne i zbukurojmë vezët në dy mënyra – me motive gjeometrike dhe me motive bimore. Motivet gjeometrike i vizatojmë mbi vezën e papërpunuar me dyll, pastaj e zhysim në shap ose uthull. Stërgjyshet tona e kanë zhytur në lëng lakre të thartë, e më pas e kanë zier në ‘bojë pambuku’. E ngjyrosim vezën me bojë të kuqe dhe më pas e heqim dyllin. Më vonë gjyshet tona vendosën se është më mirë të mbetet konturi i zi mbi vezën e bardhë dhe filluan ta zbukurojnë me motive bimore – kështu u shfaqën dy mënyrat e zbukurimit të vezëve tona. Gjithmonë fillimisht paraqesim kryqin – simbol që mund të jetë në variant si kryq kishtar ose në formë luleje. Dhe pastaj kalojmë në zbukurimin e elementeve të tjera mbi vezë” – tregon Velina Mineva për gazetaren Darina Arnaudova.


FOTO: Komisioni Lokal për Luftën kundër Sjelljeve Antishoqërore të të Miturve dhe të Rinjve – Bashkia Ihtiman

Duke e zbukuruar vezën, ne e ngarkojmë atë me kuptim dhe domethënie pozitive – thonë etnografët, të cilët studiojnë traditat e vjetra të zbukurimit të vezëve me simbole të ndryshme të krishtera mbi to. Kështu ky simbol i jetës shndërrohet në shprehje të dëshirave tona për pjellori, fat, zhvillim, plotësi dhe bollëk. Në të njëjtën kohë, veza e bukur e pikturuar është një dhuratë rituale për të afërm, të dashur dhe njerëz të shtrenjtë, dhe kjo simbolikë ruhet edhe në ditët e sotme.

FOTO: Facebook/ Venina Ljubomirova Mineva

“Në Ihtiman shumë nga gratë vendase edhe sot i lyejnë vezët e Pashkëve me dyll blete të tymosur, duke e aplikuar me një mjet të posaçëm mbi vezën e bardhë” – tregon më tej Velina Mineva.

“Ne zbukurojmë me dyll blete, i cili nxehet deri në 200 gradë, gjatë së cilës tymoset. Kur zbukuron një vezë, njeriu duhet të jetë i qetë dhe të mendojë vetëm gjëra të mira dhe urime. Kështu na kanë mësuar mjeshtret tona të vjetra. Secili udhëhiqet nga ndonjë mjeshtre, në rastin tim jam mësuar nga mjeshtrja Vesellka Gëllëbova. Kjo është përcjellë nga brezi në brez, gjë që përpiqemi ta bëjmë edhe sot përmes rrethit pranë muzeut. Këtë zanat duam ta ruajmë në qytetin Ihtiman dhe këta fëmijë arrijnë ta përhapin. Shumë nga fëmijët ia dalin, kanë interes për zbukurimin e vezëve dhe janë krenarë që kjo teknikë është nga rajoni ynë. Për zbukurimin e vezëve përdorim një pastë të veçantë – kjo është ‘bojë leshi’, e përzier me të verdhë veze. Në konturin e krijuar ngjyrosim vetë vezën dhe përftohet një vezë shumëngjyrëshe. Ka disa mënyra për zbukurimin e vezëve. Njëra është me bojë të zakonshme dhe teknikë shumëngjyrëshe, ku veza zbukurohet, elementet e caktuara mbushen, pastaj zhytet në bojë dhe përsëri shtohen elemente të tjera… Pas përsëritjes dhe alternimit të ngjyrave nga më të çelëtat te më të errëtat, përftohet një vezë shumëngjyrëshe. Por mënyra tjetër, që është tradicionale për qytetin tonë, është veza e kuqe me motive gjeometrike. Fillimisht zbukurohet veza, e cila ka motivin e kryqit, dhe vendoset para ikonës së Shën Mërisë. Pastaj fillojmë të zbukurojmë vezët e tjera.

FOTO: Komisioni Lokal për Luftën kundër Sjelljeve Antishoqërore të të Miturve dhe të Rinjve – Bashkia Ihtiman

Çdo vit rreth Pashkëve ky zanat i lashtë ringjallet, ndërsa mjeshtret nga Ihtimani shndërrojnë qindra vezë në vepra të vogla arti. Puna e tyre mbetet si kujtim – si relike familjare ose si eksponat pas vitrinave të muzeve.


Shihni gjithashtu:


Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski