Artikull
Shtunë 11 Prill 2026 07:00
Shtunë, 11 Prill 2026, 07:00
Katedralja bullgare "Shën Cari Boris Pagëzori" në Berlin
FOTO: Aleksandra Karamihalleva
Madhësia e shkronjave
Dioqeza e Evropës Perëndimore dhe Qendrore e Kishës Ortodokse Bullgare, ndryshe nga dioqezat në territorin e Bullgarisë, ka specifikat e saj. Për shembull, një pjesë e madhe e bashkësive tona kishtare ortodokse jashtë vendit përdorin kisha, të vëna në dispozicion nga bashkësi të tjera kishtare (katolike dhe protestante) për shërbesa në gjuhën bullgare. Përveç kësaj, për ne, të krishterët ortodoksë në Bullgari, ditët rreth Ngjalljes së Krishtit janë ditë pushimi, ndërsa për bashkatdhetarët tanë jashtë vendit kjo nuk është kështu. Po ashtu, distanca nga vendbanimi i tyre deri te kisha më e afërt bullgare shpesh nuk është aspak e vogël. Me hierarkun e dioqezës – Mitropolitin e Evropës Perëndimore dhe Qendrore Antonij – bisedojmë për të gjithë këta faktorë, që përcaktojnë rendn e shërbesave për Ngjalljen e Krishtit, gjatë Javës së Mundimeve dhe gjatë Javës së Ndritshme dhe jo vetëm:
“Vërtet, në vendet ku nuk përdorim kishat tona, duhet të përshtatemi me zonat kohore dhe me oraret në të cilat mund të përdorim kishat. Por në përgjithësi, klerikët tanë janë në kisha. Në shumicën e rasteve ne ofrojmë një grafik shërbesash për të gjithë vitin, në të cilin janë pasqyruar festat më të rëndësishme të Zotit dhe të Hyjlindëses, që bien jashtë ditëve të diela. Meqenëse shërbesa në dioqezën e Evropës Perëndimore dhe Qendrore është plotësisht e përqendruar në ditën e diel, kur bashkatdhetarët tanë kanë mundësinë të vijnë në kishë. Shumica prej tyre punojnë në një javë pune gjashtëditore dhe e vetmja ditë që kanë për veten dhe për familjet e tyre, ata e kushtojnë në pjesën më të madhe të saj Zotit dhe Kishës.”
Sipas fjalëve të mitropolitit Antoni, në ditët para Pashkës zakonisht ka një frekuentim të vogël, por në shërbesat e mbrëmjes njerëzit përpiqen të shkojnë direkt nga puna në kishë, që të mund të luten në këto ditë të bekuara, që paraprijnë Ngjalljen e Krishtit.
Londër
FOTO: Kisha Ortodokse Bullgare "Shën Gjoni i Rillës", Londër
Cyrih
FOTO: Darina Grigorova
Në Berlin, ku është selia e mitropolitit, klerikët janë tre, ndërsa dy prej tyre për festën e Ngjalljes së Krishtit udhëtojnë në Zagreb dhe në Gjenevë, që të mos mbeten pa shërbesë pashkale edhe këto kisha të bashkësive bullgare.
Gjenevë
FOTO: Darina Grigorova
Çdo vit mitropoliti Antoni përgatit dhe shpërndan në gjithë dioqezën e tij një mesazh pashkal për klerin dhe besimtarët e dioqezës së besuar atij dhe bekimi i tij baritor arrin te të gjithë besimtarët e tij. Por ai personalisht, sipas traditës, e shënon Festën e festave – Ngjalljen e Krishtit – në selinë e dioqezës në Berlin. Me shumë pak përjashtime – si shërbesa e këtij viti në Dublin, Irlandë, ku mitropoliti është i ftuar të shërbejë nga ambasadori bullgar atje.
Ekziston ideja që në Dublin të krijohet një mision kishtar ortodoks bullgar në territorin e Irlandës. Në fillim – me shpresën që ky mision të forcohet dhe të shndërrohet në një bashkësi kishtare ortodokse bullgare me emrin e një mbrojtësi qiellor, që të jetë mbrojtës i bashkatdhetarëve tanë në Irlandë.
Vetëm disa javë më parë, në Landshut, afër Regensburgut, në Bavari, për shërbesën e Ngjalljes bashkatdhetarët tanë u pajisën me një kishë: “Arritëm ta marrim këtë kishë, që të mund të mbledhim bullgarët që jetojnë në këtë pjesë të Bavarisë dhe të plotësojmë nevojat e tyre shpirtërore” – ndan gëzimin e tij mitropoliti Antonij.
Shërbesa e parë në shtëpinë e re shpirtërore të bashkësisë bullgare në Landshut
FOTO: Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Bullgarisë në Mynih
Sipas hierarkut, çdo vit Ngjallja e Krishtit përjetohet ndryshe:
“Kjo është vërtet një festë e madhe, që me emocionin e saj, me rendin e saj të shërbesave lutëse dhe me solemnitetin e saj bën që zemra njerëzore të dridhet, të gëzohet dhe të emocionohet. Para disa vitesh pata mundësinë të kryej vetë personalisht shërbesat e së Premtes së Madhe dhe të Ngjalljes së Krishtit në Pamplona, ku bashkatdhetarët tanë themeluan një mision kishtar ortodoks bullgar, kushtuar Shën Fermin dhe Shën Dëshmores së Madhe Nedelja. Për habinë time të madhe, për një kohë shumë të shkurtër, që në vitin e parë, gratë ishin mbledhur, kishin bërë prova, kishin mësuar “Vajtimin e Krishtit” dhe “Vajin mbi varr” dhe këndonin me zemër. Ky përkushtim i tyre ishte një kënaqësi e madhe për mua dhe kuptova se ajo që bëjmë atje ia vlen dhe duhet të vazhdojmë përpjekjet tona.”
Shërbesa e Mëngjesit me sekuencën e Odës për Krishtin në Pamplona, Spanjë, 23 prill 2022
FOTO: Misioni i Kishës Ortodokse Bullgare "Shën E Diela dhe Shën Fermini"/Facebook
Sipas fjalëve të mitropolitit të Evropës Perëndimore dhe Qendrore, “kur një famulli është e bashkuar dhe e ndërgjegjshme – ka pritur festën me agjërim dhe lutje, ka marrë pjesë në shërbesa gjatë Kreshmës së Madhe, ka qenë çdo të diel në kishë, besimtarët janë mbështetur dhe kanë ndarë vështirësitë dhe sprovat e tyre me njëri-tjetrin dhe në rrëfim para priftit – atëherë gëzimi i Ngjalljes së Krishtit është sikur shumë më i vërtetë”.
Pa e nënvlerësuar në asnjë mënyrë praninë e shumë njerëzve në natën e Ngjalljes, ai theksoi “se megjithatë, pavarësisht nga realitetet e botës bashkëkohore dhe largimi nga Zoti dhe Kisha, njerëzit, të udhëhequr nga interesi i tyre, vijnë në kishë. E më tej lëmë Zotin të prekë shpirtrat e tyre”.
Në këto kohë të trazuara ndarjeje, frike, luftërash, armiqësie dhe urrejtjeje, në dritën e Ngjalljes së Krishtit, mesazhi i mitropolitit Antonij për të gjithë ndjekësit e Krishtit është si vijon:
FOTO: Aleksandra Karamihalleva
“Krishti u thotë nxënësve të Tij pas Ngjalljes së Tij – kur dimë se ata janë të frikësuar dhe të hutuar: “Mos kini frikë!”. Të mos kenë frikë, sepse gjithçka që ndodh është sipas providencës dhe lejimit të Zotit. Si të krishterë besimtarë ne e dimë këtë. Natyrisht, të shtojnë lutjen e tyre. Këtë do t’ua këshilloja, sepse ajo është mjeti i vetëm për luftë kundër sprovave, pasioneve, mëkateve dhe të gjitha të këqijave të kësaj bote. Krishti thotë për armikun e shpëtimit njerëzor dhe për shpirtrat e ligësisë nën qiell, se ata mund të mposhten plotësisht vetëm me agjërim dhe lutje. Prandaj edhe shohim në historinë e njerëzimit, të krishterimit dhe të Kishës, se gjatë sprovave të mëdha njerëzit kanë shtuar lutjen e tyre dhe kanë agjëruar me zell, që të kalojë ajo që i ka goditur ose i kërcënon.”
Sipas tij, në këto kohë të trazuara, në të cilat dezinformimi dhe lajmet e rreme na përmbytin nga rrjetet sociale dhe mediat, është shumë e vështirë për njerëzit të ruajnë qetësinë e plotë dhe është e pashmangshme që zemrat dhe shpirtrat e tyre të mos tronditen.
“Por ne e dimë se Krishti thotë: “Unë jam me ju në të gjitha ditët deri në fund të botës” dhe për Kishën – se “portat e ferrit nuk do ta mundin atë”. Duke besuar në këtë, ne qëndrojmë në anijen e shpëtimit, që është Kisha e Krishtit, ndihmojmë njëri-tjetrin, mbajmë barrët tona dhe përmbushim ligjin e Krishtit. Si anëtarë të Trupit të përbashkët të Kishës së Krishtit, ne jemi të thirrur të përballojmë sprovat, dhimbjet, por edhe gëzimet, që të ecim me guxim, duke u ngjitur në Golgotën tonë jetësore dhe, duke u takuar me Krishtin, të marrim dhuratën e jetës së përjetshme.”
FOTO: Aleksandra Karamihalleva
Ngjallja e Krishtit është festë e shpresës, e ringjalljes dhe e fitores. Drejtuar besimtarëve të dioqezës së tij të besuar nga Zoti, mitropoliti Antonij u drejtohet me fjalët:
“Do të dëshiroja t’u uroj bashkatdhetarëve tanë të mos e humbasin besimin në Zotin, të duan Bullgarinë, të kapërcejnë sprovat me durim, me më shumë lutje dhe me më shumë përkushtim. Të kërkojnë përgjigjet e problemeve të tyre jetësore së pari në vetvete përmes lutjes ndaj Zotit, e pastaj tek të tjerët rreth nesh, sepse në shumicën e rasteve ne vetë e ndërtojmë rrugën tonë jetësore. Të kërkojnë lutjen e Kishës, të përfitojnë nga dhuratat e bekuara që Shpirti i Shenjtë i ka derdhur bujarisht në Kishën e Krishtit! Të kërkojnë klerikët, në duart e të cilëve Zoti ua ka besuar shpirtrat e tyre, sepse Zoti na ka dhënë neve, klerit, detyrën që një ditë të paraqesim të justifikuara para Fytyrës së Tij shpirtrat, kujdesi për të cilët na është besuar. Të kenë besim, shpresë dhe më shumë dashuri – ndaj Zotit, ndaj njëri-tjetrit dhe ndaj vetvetes!”
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski
Publikoi / Publikuan: Sindi Nikollofski