SHOQËRI

Seksion

Ringjallja e Krishtit - një fuqi shpirtërore në rrugën e besimit

Dielë, 12 Prill 2026, 06:00

Mitropolit Antonij

Mitropolit Antonij

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Të krishterët ortodoksë në mbarë botën kremtojnë Ringjalljen e ndritur të Krishtit. Në himnet e festës së festave lartësohet solemnisht fitorja e Shpëtimtarit mbi vdekjen. Në troparin kryesor të festës, i cili është thelbi i çdo shërbese të Pashkëve, këndohet: “Krishti u ngjall prej së vdekurish, me vdekje vdekjen shkeli, edhe të varrosurve jetën iu fali.”


Në historinë e njerëzimit nuk ka mësim tjetër fetar që, para gëzimit, të zbulojë kuptimin e vuajtjeve, para triumfit të flasë për poshtërimin dhe mbi bazën e poshtërimit të pohojë gëzimin. Vdekja nuk pranohet si fund, por si kalim. Përmes Ringjalljes së Tij, Krishti “shkatërron prangat e ferrit” dhe gëzimi zëvendëson pikëllimin.

FOTO: BGNES

Gëzimi vazhdon për 40 ditë deri në festën e Ngjitjes së Zotit dhe deri atëherë besimtarët përshëndeten me fjalët: “Krishti u ngjall!” dhe përgjigjen me pohimin: “Vërtet u ngjall!”


Për festën e ndritur, Mitropoliti i Evropës Perëndimore dhe Qendrore Antonij dërgoi bekimin e tij për besimtarët, ndër të cilët ka jo vetëm bullgarë:

FOTO: Darina Grigorova

“Dëshiroj t’u uroj besimtarëve të mi të kenë një besim të fortë dhe të palëkundur, siç e kanë pasur deri tani. Të jetojnë në jetën e bekuar të Kishës, të marrin pjesë në Sakramentet që Kisha i ka vendosur dhe na i ka dhënë si mjet për shpëtimin tonë. Të mos e harrojnë rrugën drejt tempullit, ta duan Bullgarinë dhe ta mbajnë në zemrat e tyre. Të mbajnë vuajtjet e njëri-tjetrit, duke përmbushur ligjin e Krishtit. Secili prej nesh, si i krishterë, mban kryqin e vet, por ndonjëherë është e nevojshme, ashtu si Simoni i Kireneas që e ndihmoi Krishtin në mbajtjen e Kryqit, që edhe ne t’u vijmë në ndihmë të afërmve tanë, për t’i ngushëlluar në hidhërimet e tyre, për t’i inkurajuar në rrugën e besimit dhe gjithashtu për të ndarë kënaqësinë nga sukseset e arritura. Prandaj, le të jetë festa e Ringjalljes së Krishtit një tjetër fuqi shpirtërore, nga e cila të marrim forca të bekuara për të ecur në rrugën e besimit tonë ortodoks.”


Krishti u ngjall!


Përgatiti në shqip: Kostandina Bello

Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello