Autor
Cvetana Tonçeva
Seksion
Hënë 13 Prill 2026 06:00
Hënë, 13 Prill 2026, 06:00
Orlin Goranov
FOTO: Facebook/Orlin Goranov
Madhësia e shkronjave
Në të Hënën e Ndritur, mysafir special i Radio Bullgaria është Orlin Goranov – një nga artistët tanë më të suksesshëm dhe më të dashur. I vetmi këngëtar bullgar i njohur si një yll si në muzikën pop, ashtu edhe në zhanrin e operës. Ai diplomohet në Fakultetin Vokal të Akademisë së Muzikës dhe që nga viti 1989 është solist i Operës së Plovdivit. Ka dhënë koncerte në Rusi, Gjermani, Austri, Belgjikë, Hungari, Çeki, Itali, Spanjë, Kore, Laos dhe Vietnam. Që nga viti 1994 ka angazhime të përhershme në Berlin, ku interpreton role kryesore tenorësh në operat e Verdit dhe Puçinit.
Në çerekshekullin e fundit, Orlin Goranov koncerton aktivisht dhe nuk ndalet as puna e tij në studion e incizimit. Jashtë Bullgarisë, më së shpeshti performon në SHBA, ku prej vitesh jeton vajza e tij e vetme. Turneu i tij i fundit atje ishte në fillim të marsit me koncerte në Atlanta, Seattle, San Francisko, Las Vegas, Raleigh (Karolina e Veriut), Çikago dhe Naples (Florida).
Artisti i madh bullgar uron të gjithë bullgarët ortodoksë – në atdhe dhe në mbarë botën – për Ringjalljen e Krishtit. Për të, festa është simbol:
FOTO: Facebook/Orlin Goranov
“Ringjallja përkon pikërisht me pranverën – stinën e zgjimit, siç e quaj unë. Pas gjumit dimëror, bota dhe natyra zgjohen sërish për jetë. Gjithçka ndriçohet, zogjtë fillojnë të këndojnë gjithnjë e më fort dhe ne përgatitemi për vitin që vjen, të mbushur me shumë shpresa dhe ëndrra. E dini, në ortodoksi kjo është festa më e rëndësishme – Ringjallja e Krishtit, sepse ajo dëshmon edhe një herë se forca e shpirtit mund të mposhtë absolutisht gjithçka, madje edhe vdekjen. Prandaj, nëse kemi besim në rrugën që ndjekim dhe mbështetemi te Dhjetë Urdhërimet e Zotit, gjithçka do të jetë e mrekullueshme.”
Në vitet e fundit, këngë të reja të Orlin Goranov kanë pasur premierat e tyre pikërisht në një tjetër festë të madhe të krishterë – Lajmërimi i Hyjlindëses. Më 25 mars 2026, në kuadër të projektit “Artistë që këndojnë”, u publikua kënga “Vetëm në ëndërr”.
A e ndien i ftuari ynë mbrojtjen dhe ndihmën e Nënës së Zotit, apo të ndonjë force tjetër?
“Gjithmonë i kam qenë mirënjohës Nënës së Zotit për atë që më ka dhënë. Për talentin që e ndaj me të gjithë miqtë, kolegët, fansat dhe publikun tim… Kjo nuk është një dhuratë e imja, kjo është një dhuratë hyjnore… Prandaj çdo ditë falënderoj për mundësinë që më është dhënë në këtë jetë.”
“Vetëm në ëndërr” është shkruar rreth dy dekada më parë mbi vargjet e së ndjerës Zhiva Kjullxhieva (poete e talentuar bullgare, autore e teksteve të mbi 1500 këngëve). Përpara Orlin Goranovit, kënga nuk ishte interpretuar më parë:
“Në ato vite, kur në Radio kishte një komision për përzgjedhje, nuk u miratua. Unë dhe Igor Markovski e gjetëm fjalë për fjalë në një kosh me krijime të refuzuara. Na bëri shumë përshtypje – si teksti, ashtu edhe muzika e Vlladi Canev, dhe u përpoqëm ta ringjallnim. Duket se ia dolëm…” – rrëfen këngëtari për Radio Bullgarinë.
Turneu dyjavor nga fillimi i marsit nuk është i pari i tij në SHBA, ndërsa takimet me bullgarët atje kanë qenë frymëzuese:
FOTO: bgvoice.com
“Këto janë mbrëmje të paharrueshme! Mbrëmje të shumëpritura, të paharrueshme. Gjithmonë më kanë lënë pa frymë, sepse për mua këta janë vërtet bullgarë me ‘B’ të madhe, kudo që ndodhen në botë. Sado të suksesshëm të jenë në profesionin e tyre apo në jetë, ata mbeten bullgarë. Vijnë me flamujt, disa vijnë të veshur me kostume tradicionale… Në një farë mënyre, me mua ata janë si në shtëpi. Dhe jam i sigurt se kjo ndodh me pothuajse të gjithë kolegët tanë që vizitojnë komunitetet jashtë Bullgarisë. Mund të them me krenari se ata janë vërtet bullgarë të mëdhenj – e ruajnë shpirtin bullgar; pothuajse në çdo qytet ka shkollë bullgare, ka ansamble vallesh, mblidhen, këndojnë, shoqërohen… gjë që është e mrekullueshme!”
Artisti ynë i madh dhe muzikanti mendon se, nëse duam të mbetemi një popull i fortë, duhet të jemi të bashkuar. Në fillim të Javës së Ndritur ai uron:
“Të krenohemi që jemi bullgarë – ta mbajmë lart këtë emër. Dhe të kemi vizion dhe dëshirë për një të ardhme të ndritur. Të jemi shëndoshë e mirë. Të gjitha të tjerat do t’i arrijmë.”
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello