SHOQËRI

Artikull

Në Manastirin e Rozhenit nderohet ikona mrekullibërëse “Shën Maria – Portaresha”

Hënë, 13 Prill 2026, 17:58

Në Manastirin e Rozhenit nderohet ikona mrekullibërëse “Shën Maria – Portaresha”

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Me një shërbesë mbrëmësore në Manastirin e Rozhenit do të shënohet festa e ikonës mrekullibërëse “Shën Maria – Portaresha”, njoftuan nga Eparkia e Nevrokopit. Për kremtimin festiv mbërrin Patriku Daniill. Pas Liturgjisë së Shenjtë në mëngjesin e së Martës së Ndritshme (dita e dytë e Javës së Ndritshme), do të zhvillohet një procesion me ikonën deri te kisha “Shenjtor Kirill dhe Metodij”, ku do të kryhet edhe bekimi i ujit. Ikona mrekullibërëse “Shën Maria – Portaresha” kremtohet në mënyrë solemne ditën e dytë të Javës së Ndritshme. Sipas traditës, ajo është një nga ikonat e pikturuara nga Shën Lluka Ungjillori. Gjatë periudhës së iikonoklastisë në Kostandinopojë, një vejushë e hodhi ikonën në det për ta shpëtuar nga shkatërrimi. Rreth një shekull më vonë, ikona u shfaq në një gji pranë Manastirit të Ivironit në Malin e Shenjtë Athos. Atëherë Hyjlindësja iu shfaq në ëndërr plakut Gavriil, duke i dhënë leje ta merrte me duart e tij dhe ta sillte në manastir. Emri i ikonës –Portaresha – vjen nga fakti se, pasi Gavriili e nxori nga deti, murgjit e vendosën në një vend nderi në kishë, por për disa mëngjese me radhë e gjetën pranë portave të manastirit.

Ikona ka shumë kopje, dhe një prej tyre është punuar në vitin 1790 për Manastirin e Rozhenit, i cili në atë kohë ishte metoh i Manastirit të Ivironit.


Redaktoi: Diana Cankova

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova

Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova