SHOQËRI

Seksion

Bullgarë në mërgim do të shkëmbejnë përvojë organizative në Vjenë në maj

Në Austri do të mbahet edicioni i dytë i një seminari tematik, i organizuar nga Agjencia për Bullgarët Jashtë Vendit

Martë, 14 Prill 2026, 07:05

Rajna Manxhukova

Rajna Manxhukova

FOTO: Krasimir Martinov

Madhësia e shkronjave

Më 30 dhe 31 maj 2026 në Vjenë do të zhvillohet edicioni i dytë i seminarit “Modele të krijimit, menaxhimit dhe komunikimit në organizatat bullgare jashtë vendit”. Organizatorë të ngjarjes janë Agjencia Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Vendit (IABÇ) dhe Organizata Kulturore-Arsimore Bullgare “Shën Kirilli dhe Metodij” në Vjenë.

Në një intervistë për Radio Bullgarinë, drejtoresha ekzekutive e IABÇ, Rajna Manxhukova, rikujtoi seminarin e vitit të kaluar, i mbajtur në Budapest, i cili ofroi një mundësi unike që pjesëmarrës nga vende të ndryshme të njiheshin me përvojën e disa prej shoqatave bullgare më aktive dhe më të spikatura në botë.

 “Ky është një nismë relativisht e re e IABÇ-së, të cilën e nisëm vitin e kaluar dhe të cilën unë e vendos në kategorinë: ‘Ndërtim organizativ’ ose ‘Inxhinieri organizative’ – shpjegon Rajna Manxhukova. – Duke komunikuar me kaq shumë organizata në mbarë botën, ne shohim se sa modele të ndryshme pune kanë adoptuar ato në një vend apo në një tjetër, në një aspekt apo në një tjetër. Dhe në çdo model ka diçka që mund të përdoret nga organizata të tjera, pra sërish bëhet fjalë për atë që quhet shpesh shkëmbim përvoje.”

Ideja për seminarin mbi menaxhimin organizativ të komuniteteve bullgare lindi gjatë një prej vizitave të drejtueses së Agjencisë Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Vendit në Budapest dhe gjatë takimeve të saj me bashkatdhetarët tanë në Hungari, me Shoqatën e Bullgarëve në Hungari dhe me Vetëqeverisjen Republikane Bullgare, kryetar i së cilës është dr. Danço Musev.


FOTO: IABÇ

“Ju dhe dëgjuesit e Radio Bullgarisë e dini se bashkatdhetarët tanë në Budapest janë shumë përpara. Në një masë të madhe kjo vjen për shkak të mundësive të mira që u ofron shteti hungarez. Por nuk është vetëm kjo. Organizimi i bullgarëve në Hungari është një model ku përvoja e bullgarëve të vjetër kopshtarë – ata që kanë themeluar kishën dhe shkollën – ndërthuret me energjinë e të rinjve, të cilët kanë përfituar nga mundësitë që jep shteti hungarez për zhvillimin e pakicave kombëtare. Ky organizim, në fakt, ka bërë që sot komuniteti ynë në Hungari të jetë një nga komunitetet bullgare më të forta jashtë vendit. Pikërisht atje, në Hungari, ramë dakord me Danço Musev të organizojmë një seminar të tillë, ku të ndajmë si përvojën e tyre, ashtu edhe përvojën e të tjerëve që punojnë dhe janë të strukturuar në mënyra të ndryshme.

Danço Musev

FOTO: Zdravka Masljankova – korrespondente e BNR në Veliko Tërnovo

Jashtëzakonisht interesant ishte, për shembull, prezantimi i bullgarëve të Banatit, ku gjithashtu përvoja e të vjetërve dhe energjia e të rinjve arrin të bashkojë një komunitet tradicionalisht të ndarë. Shumë i dobishëm ishte edhe paralelizmi që bëmë me shoqatën bullgare “Kirilli dhe Metodij” në Boston. Atje, shkolla bullgare, kisha bullgare dhe qendra kulturore bullgare bashkohen dhe së bashku blejnë një ndërtesë. Çfarë ju kujton kjo? Rilindjen Kombëtare – kishën, vatren kulturore dhe shkollën. Kjo funksionon edhe në shekullin XXI.”

FOTO: IABÇ

Jo shumë kohë më pas, ideja e lindur në Budapest bëhet realitet. Për edicionin e parë të seminarit në vitin 2025 u organizuan 8 ligjërues dhe u ftuan si dëgjues bullgarë nga të gjitha anët e botës. Vendi ishte Budapesti, ndërsa periudha e zhvillimit 26–27 prill. Përfaqësues të organizatave bullgare nga dhjetëra shtete shkëmbyen përvojë dhe ide të vlefshme, ndërsa tetë ligjëruesit prezantuan modele të suksesshme pune, të përshtatura me nevojat specifike të komuniteteve të tyre.

FOTO: IABÇ

“Të gjithë të pranishmit shprehën dëshirën që këto takime të bëhen tradicionale dhe menjëherë disa prej tyre propozuan të jenë mikpritës – thotë Rajna Manxhukova. – Por për edicionin e dytë të seminarit ne zgjodhëm Vjenën – për arsye thjesht gjeografike, sepse ndodhet në qendër të Evropës, por edhe për shkak të angazhimit të ambasadës sonë atje. Zonja Desisllava Najdenova-Gospodinova menjëherë e mbështeti idenë si bashkëorganizatore. Ndërsa organizatori nga komuniteti lokal, sepse ideja është të ketë një komunitet lokal të përfshirë, është Shoqata Kulturore-Arsimore Bullgare “Shën Kirilli dhe Metodij”, e cila është 80 vjeçare. Kjo shoqatë është themeluar në vitin 1945 dhe nuk ka pushuar kurrë së funksionuari. Natyrisht, njerëzit kanë ndryshuar, detyrat dhe mundësitë gjithashtu, por shoqata ka vazhduar aktivitetin e saj. Edhe sot ajo përfaqëson një model jashtëzakonisht interesant organizimi, i cili do të prezantohet në seminarin e ardhshëm. Këtë herë kemi ftuar gjashtë ligjërues dhe kemi hapur mundësinë për pjesëmarrje si dëgjues për organizatat bullgare nga vende të ndryshme. Madje, tashmë ka edhe nga ata që kanë blerë bileta për në Vjenë. Kështu që presim me padurim datat 30–31 maj, ndërsa më 1 qershor do të vizitojmë qytetin Gols në Austri, për të bërë homazhe dhe për të vendosur lule pranë monumentit të Hristo Botevit. Në këtë mënyrë do të ndërthurim praktiken me patriotiken dhe shpresoj që sërish të rezultojë një forum shumë i dobishëm.”


Përgatiti në shqip: Kostandina Bello