SHOQËRI

Artikull

Një institut i ri studion veçoritë e komuniteteve bullgare jashtë vendit

Planifikohet një tryezë e rrumbullakët në qershor për problemet e bullgarëve në rajonin e Ballkanit

Enjte, 23 Prill 2026, 16:45

Një institut i ri studion veçoritë e komuniteteve bullgare jashtë vendit

FOTO: unibit.bg

Madhësia e shkronjave

Përafërsisht 3 milionë janë bullgarët që jetojnë jashtë vendit, tregon një referencë e Ministrisë së Punëve të Jashtme për vitin 2023. Të dhënat janë orientuese, pasi shtetasit bullgarë nuk janë të detyruar të regjistrohen në misionet tona diplomatike jashtë vendit. Megjithatë, fakti që pothuajse çdo familje bullgare ka anëtarë të saj, të afërm ose miq, që kanë ndjekur fatin e tyre larg atdheut, e mban temën për komunitetet bullgare në botë ende aktuale, megjithëse institucionet, detyra kryesore e të cilave është puna me këto komunitete, numërohen me gishta. Nga 11 shtatori 2025, atyre iu bashkua edhe Instituti për diasporën bullgare dhe trashëgiminë kulturore jashtë vendit – një strukturë pranë Universitetit të Bibliotekonomisë dhe Teknologjive Informative, i krijuar me lejen e Këshillit të Ministrave.

Prej disa vitesh tema për bullgarët jashtë vendit është pjesë e punës së Universitetit, por tashmë është marrë nga njësia e sapoformuar. Puna e shkencëtarëve në ekip financohet nga Fondi “Kërkime shkencore” pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Aktualisht Instituti punon mbi tre projekte, i pari prej të cilëve tashmë ka përfunduar dhe lidhet me përcaktimin e profilit kulturologjik të diasporës bullgare. Projekti i dytë quhet “Komunitetet bullgare përtej kufirit pas vitit 1878 – Kodi i mbijetesës”, ndërsa i treti – “Bullgarët jashtë vendit pas vitit 1989”, i cili përfshin emigracionin e ri ekonomik nga epoka e demokracisë bullgare dhe studimin e tij, që është një temë pothuajse e papunuar:

Prof. dr. Borjana Buzhashka

FOTO: BTA

“Karakteristike për të gjitha këto diaspora është se ato nuk janë të njëjta. Secila ka karakteristikën e vet. Diaspora politike është një gjë, ndërsa ajo që është përtej kufirit deri në vitin 1989 dhe përfshin ata që jetojnë në Moldavi, Besarabi, Ukrainë etj., është tjetër – shpjegon në një intervistë për Radio Bullgarinë drejtoresha e Institutit për diasporën bullgare dhe trashëgiminë kulturore jashtë vendit, prof. dr. Borjana Buzhashka. Sipas fjalëve të saj, emigracioni bullgar pas vitit 1989 ndahet në 3 drejtime: Njëri është thjesht ekonomik, i cili është shkaktuar nga tronditjet që Bullgaria përjeton në tranzicionin drejt demokracisë. Vala që u shpërngul nga Bullgaria karakterizohet me arsimim dhe përgatitje shumë të lartë. Këta janë njerëz që kërkojnë zhvillimin e tyre thjesht profesional në vende shumë të zhvilluara, zakonisht fillimisht orientohen drejt Gjermanisë, Hollandës, Mbretërisë së Bashkuar, Austrisë – shtete ku ata mund të gjejnë rritjen e tyre profesionale.”

FOTO: Arkiv

Që të bëhet një përpjekje që këta njerëz të zgjedhin sërish të kthehen në vendin tonë, është e nevojshme të rritet standardi i jetesës dhe ata të kenë mundësi të vazhdojnë atë me të cilën merren jashtë vendit – është kategorike prof. Buzhashka.

Pjesë e emigracionit bullgar pas vitit 1989 janë edhe romët, motivet e të cilëve për të marrë rrugën janë gjithashtu kryesisht ekonomike:

“Ata orientohen drejt vendeve ku ka një sistem shumë të fortë social, që të mund ta përdorin dhe të mund të realizohen. Unë mendoj se ata që merren me këto probleme do të vërenin menjëherë se ka një ndryshim të madh midis romëve që kanë jetuar në Evropën Perëndimore dhe kthehen në Bullgari, dhe atyre që janë këtu. Ata atje mësohen me disa tradita, me një regjim që është shumë i ndryshëm nga i yni. Sigurisht, ka edhe përjashtime. Dhe një tjetër karakteristikë – ata sjellin paratë që kanë fituar, ndihmojnë të afërmit e tyre në Bullgari dhe në fakt në njëfarë mënyre ndihmojnë edhe ekonominë bullgare.”

FOTO: BTA

Segmenti i tretë i emigracionit janë turqit bullgarë, të cilët nuk e ndërpresin lidhjen e tyre me Bullgarinë. Vala emigratore si pasojë e të ashtuquajturit Proces i Rilindjes është e madhe – “fillimisht flitej për mbi 350 mijë, por më pas numri arriti në 1 milion”, theksoi Buzhashka:

“Çfarë është karakteristike për ta megjithatë – së pari, ata nuk flisnin gjuhën që flitet në Republikën e Turqisë dhe kishin probleme të mëdha në fillim për përshtatje. Së dyti – prindërit e tyre mbetën në Bullgari dhe ata u dërgojnë fëmijët tek ata gjatë verës, të edukuar dhe të arsimuar në një mjedis kulturor karakteristik për Bullgarinë.”

Ekspozitë dhe një tryezë e rrumbullakët me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të komuniteteve bullgare në shtatë vende të Ballkanit janë ngjarjet që Instituti po përgatit në mënyrë aktive aktualisht.

Komuniteti bullgar në periferitë perëndimore

FOTO: Arkiv

“Me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe me përpjekjet e ambasadorëve në vendet e Ballkanit do të bëjmë një tryezë të rrumbullakët në qershor, për të parë dhe për të përcaktuar përfundimisht cilat janë problemet e komuniteteve bullgare në shtatë shtetet ballkanike – Shqipëria, Turqia, Rumania, Greqia, Bullgaria, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Kosova. Duhet t’ju them se kjo është një sfidë, sepse puna me këto komunitete është e ndryshme në çdo vend të veçantë. Ndërsa në Shqipëri nuk kanë asnjë problem me njohjen si anëtarë të komunitetit bullgar dhe pakicës bullgare, serioze janë problemet në Maqedoninë e Veriut. Në Rumani ka një sistem shumë të mirë të ndërtuar për punë me pakicat dhe atje komunitetet bullgare nuk kanë problem, siç kanë p.sh. Krahinat Perëndimore në Serbi” – njoftoi bashkëbiseduesja jonë. Deri në fund të prillit pritet të jetë gati edhe ekspozita “Bullgarët në Ballkan dhe përtej kufirit – Kodi i mbijetesës”. Ajo do të tregojë dokumente dhe dëshmi për komunitetet bullgare në shtatë shtetet dhe do të rrëfejë për qendrat shpirtërore dhe vendet përkujtimore atje. Do të ketë edhe informacion për disa iniciativa bashkëkohore të shoqatave të ndryshme bullgare në vendet e Ballkanit. Ekspozita do të prezantohet gjatë tryezës së rrumbullakët në Sofje në qershor, dhe më pas do të ketë edhe një turne të veçantë në vendet e Ballkanit ku do të lejohet – na informoi Borjana Buzhashka.


Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski