EKONOMI

Artikull

Inflacioni gjatë prillit po rritet ndjeshëm

Martë, 14 Prill 2026, 15:39

Inflacioni gjatë prillit po rritet ndjeshëm

FOTO: BGNES

Madhësia e shkronjave

Gjatë muajit prill u regjistrua rritja më e madhe e çmimeve të mallrave bazë me pakicë që nga fillimi i vitit – 2%. Ndërkohë, nga muaji qershor i vitit të kaluar deri tani, rritja e përgjithshme e çmimeve arrin në 7.5%. Këtë e tregojnë të dhënat nga monitorimi i çmimeve të 21 mallrave bazë të konsumit, që Konfederata e Sindikatave të Pavarura në Bullgari (KNSB) e kryen çdo muaj. Sindikata raporton rritjen më të madhe të çmimeve te kastravecët – 73%, dhe te domatet – 47%, të cilat aktualisht importohen nga Lindja e Mesme dhe nga vendet fqinje. Rritje e ndjeshme vërehet gjithashtu edhe në çmimet e bukës, qumështit, orizit dhe fasuleve, të cilat janë produkte tradicionale në tryezën e bullgarëve. Si arsye për këtë situatë tregohen si shtrenjtimi i ushqimeve për kafshët, ashtu edhe rritja e çmimit të energjisë elektrike për prodhim, si dhe – jo më pak e rëndësishme – kostot më të larta të transportit dhe të paketimit.

Nga Konfederata e Sindikatave të Pavarura (KNSB) konstatojnë gjithashtu edhe një rritje spekulative e çmimeve të disa mallrave bazë përgjatë rrugës së tyre deri te konsumatori. Për produkte si orizi, fasulet dhe qumështi, në disa raste marzhet e fitimit arrijnë deri në 67%, gjë që kërkon një kontroll më të rreptë nga ana e shtetit. Presidenti i KNSB-së, Pllamen Dimitrov, përgjithëson:

Pllamen Dimitrov

FOTO: BGNES

“Përfundimi është se çmimet në vend po rriten për mallrat e shportës së vogël të konsumit dhe, për disa mallra dhe shërbime, këto rritje nuk janë të justifikuara nga tregu. Madje, çmimet në vendin tonë janë më të larta edhe se në shtete si Gjermania, Franca dhe Holanda. Nuk ka asnjë logjikë tregu që mallra të tilla të kenë çmimet më të larta në shtetin më të varfër të Evropës, siç është Bulgaria. Aktualisht, mielli më i shtrenjtë është në Bullgari, po ashtu orizi më i shtrenjtë dhe qumështi i freskët më i shtrenjtë janë në vendin tonë.”

Rritja e çmimeve të shërbimeve të transportit nga fillimi i vitit është 15%. Në pikat e karburantit në Bullgari, sindikata vëren rritje të çmimit të benzinës më të shitur A95 me 20% krahasuar me janarin e këtij viti – aktualisht çmimi i saj është 1.50 euro për litër. Rritja më e madhe është te nafta – me 45%, ndërsa çmimi me pakicë tashmë e tejkalon 1.70 euro për litër.

Në këtë kontekst, ekspertët e Konfederatës së Sindikatave të Pavarura (KNSB) rekomandojnë masa urgjente nga ana e shtetit për mbrojtje nga varfëria energjetike.

Sipas statistikave, rreth 2 milionë bullgarë jetojnë nën pragun e varfërisë. Nga KNSB rekomandohet dhënia e ndihmës mujore prej 60 eurosh për shtresat më të cenueshme, për ata që jetojnë me të ardhura mujore dy herë nën pragun e varfërisë, i cili në vend, që nga fillimi i vitit 2026, është 390.63 euro.


Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova