Autor
Ivo Ivanov
Artikull
Retorika dhe manipulimi – lexim për oratorët publikë dhe votuesit e zakonshëm
Mërkurë 15 Prill 2026 06:45
Mërkurë, 15 Prill 2026, 06:45
FOTO: yourdictionary.com
Madhësia e shkronjave
Në një kohë të retorikës së ashpër parazgjedhore, kur politikanët përpiqen me çdo kusht të tërheqin vëmendjen dhe të fitojnë votues, është mirë të dimë ku qëndron kufiri mes argumentimit dhe manipulimit.
“Që prej kohësh retorika është konsideruar si manipulim, por kjo nuk është domosdoshmërisht e vërtetë” – na kujton prof. Veliçko Rumençev nga Universiteti i Sofjes “Shën Klimenti i Ohrit”, i cili së fundmi prezantoi një fjalor të posaçëm për retorikën dhe teknikat manipuluese. Me këtë, specialisti përpiqet t’u tregojë njerëzve “jo si të manipulojnë, por si të mos manipulohen, të dallojnëkur përdoren mjete retorike”.
“Që nga retorika antike, mjetet janë një nga mënyrat për të fituar” – shpjegon për Radio Bullgarinë prof. Veliçko Rumençev dhe shton, duke u nisur nga maksima “Nëse mendon se ke të drejtë, manipulo!”:
Prof. Veliçko Rumençev
FOTO: Ivo Ivanov
“Manipulimi nuk është domosdoshmërisht diçka e dëmshme. Sepse unë mund të të manipuloj që të mos vetëvritesh – të mos hidhesh, të mos pish helm, të mos marrësh drogë. A është sërish keq? Pra, manipulimi në vetvete mund të jetë diçka shumë e mirë, varet nga qëllimi. Tjetër çështje është se rruga për në ferr është shtruar me qëllime të mira. Por është më mirë të manipulosh dikë dhe t’i shpëtosh jetën, sesa ta lësh të ushtrojë vullnetin e lirë.”
Postulatet klasike të retorikës përputhen plotësisht me teknologjitë bashkëkohore të komunikimit dhe me të ashtuquajturën retorikë “TikTok”, është i bindur eksperti. Ai kujton se në ditët tona retorika e shesheve po u lë vend teknologjive, të cilat u mundësojnë oratorëve t’i drejtohen secilit individ veçmas – “ndërsa njeriu dëgjon muzikë me kufje, mund të dëgjojë edhe propagandë”.
FOTO: in-mind.org
Të manipulosh do të thotë të udhëheqësh, thotë profesori, dhe mjeshtëria e vërtetë e oratorit duket atëherë kur audienca nuk e ndien se është e manipuluar. Shtrohet pyetja nëse politikanët, që synojnë të drejtojnë njerëzit, shoqërinë dhe shtetin, a nuk janë të prirurtë manipulojnë publikun dhe të premtojnë gjëra për të cilat e dinë se janë të parealizueshme.
“Bëjnë mimikri si jo-manipulues, por në të vërtetë janë manipulues – shpjegon eksperti i retorikës. – Madje edhe në kuptimin e mirë të fjalës, prapë janë manipulues. Por vetëm në kuptimin e mirë të fjalës nuk do të gjesh asnjë politikan – do ta gjesh edhe në kuptimin e mirë, edhe në atë të keq të fjalës… Një nga përkufizimet e propagandës, që në fakt përbën aspektin e saj manipulativ, është: “veprimtari që i bën njerëzit të sillen në mënyrë që nuk do të silleshin në mungesë të saj”.
FOTO: Pixabay
Bindja gjithashtu përcaktohet si një lloj manipulimi” – shpjegon pedagogu universitar i retorikës dhe e drejton vëmendjen te dallimi mes besimit dhe mirëbesimit: - Besimi është te Zoti, ku nuk ka nevojë për argumente, ndërsa mirëbesimi, është kur më ke fituar me argumentim, që është provuar në praktikë si i dobishëm dhe se funksionon. Atëherë tek unë krijohet mirëbesim dhe shumë më lehtë mund të manipulohem më tej. Ose çfarë bëjnë? Të bindin, punojnë me ty, janë korrektë dhe tek ti lind mirëbesimi. Dhe kur vjen momenti “të të presin kokën”, ata ta “presin” me një manipulim të fortë, ndaj të cilit ti nuk krijon barriera komunikuese. Nuk ke perceptim selektiv për të përzgjedhur informacionin — e hap “portën” e mirëbesimit, e merr informacionin pa e filtruar dhe bie në kurth. Kjo ndodh shumë shpesh.”
FOTO: Pixabay
Që të mos manipulohemi lehtë me fjalë dhe me mjete retorike, dhe që të njohim dhe t’i rezistojmë propagandës, prof. Veliçko Rumençev ka punuar për 15 vjet në krijimin e fjalorit “Retorika. Teknika manipuluese”, në të cilin janë përfshirë 505 terma nga arti i fjalës. Ashtu si në të gjitha librat e tij, ai i përmbahet parimit që çdo term ta ilustrojë me shembuj nga fjalime konkrete të personaliteteve të njohura, politikanëve dhe burrave të shtetit.
FOTO: Ivo Ivanov
Shembujt e retorikës manipuluese fillojnë që në kopertinën e fjalorit. Në të është paraqitur piktura “Frina” e piktorit francez Jean-Léon Gérôme. Frina ishte një nga hetairat më të njohura të periudhës helenistike në Athinë. Ajo u nxor para gjykatës së Areopagut me akuzën për shthurje të pafe. Kur mbrojtësi i saj, Hyperidi i Athinës, pa se po e humbiste procesin gjyqësor, ai i shqeu rrobat Frinës përpara gjyqtarëve të moshuar dhe u tregoi “të vërtetën e zhveshur”, duke i pyetur: a mund të krijonte Zoti një bukuri të tillë nëse ajo do të ishte e pafe? Oratori fitoi simpatinë e gjyqtarëve të mahnitur dhe Frina u shpall e pafajshme.
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova