LAJME

Artikull

Për shkak të karburanteve dhe plehrave të shtrenjta bujqit përgatitin protesta

Mërkurë, 15 Prill 2026, 11:40

Për shkak të karburanteve dhe plehrave të shtrenjta bujqit përgatitin protesta

FOTO: Nezabravka Kirova

Madhësia e shkronjave

Prodhuesit e drithërave në vend janë të gatshëm të dalin në protesta pas zgjedhjeve, nëse shteti nuk i ndihmon për të përballuar dëmet nga lufta me Iranin. Kryetari i Bashkimit Trak të Prodhuesve të Drithërave dhe anëtar i Shoqatës Kombëtare të sektorit, Radosllav Hristov, deklaroi për Radion Kombëtare Bullgare se pritet një takim në Ministrinë e Bujqësisë lidhur me rritjen e çmimeve të karburanteve dhe plehrave. “Nëse deri të premten nuk kemi rezultat konkret dhe angazhim të qartë, Këshilli Drejtues do të mblidhet dhe do të vendosë çfarë hapash të ndërmarrë, kur, si dhe ku, ashtu siç kemi vepruar gjithmonë”, tha Hristov. Sipas tij, Evropa është shndërruar në një “ishull të çmimeve të larta dhe kostove të larta të prodhimit”, ndërkohë që prodhuesit duhet të konkurrojnë me vende të tjera që nuk respektojnë pothuajse asnjë standard në prodhim. Ai shtoi se ky është një nga problemet më të mëdha aktuale jo vetëm për sektorin e drithërave, por edhe për sektorët e mishit, qumështit, frutave dhe perimeve.

Ndërkohë, edhe punonjësit e Agjencisë Ekzekutive për Luftën kundër Breshërit shpallën gatishmëri për grevë. Gjatë hapjes së sezonit për mbrojtjen kundër breshërit me raketa, ata kërkuan rritje pagash dhe paralajmëruan se mund të ndërpresin punën.


Redaktoi: Ivo Ivanov

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova


Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova