Artikull
Në detin e pasigurisë, jeleku i shpëtimit për bullgarin është humori
Enjte 16 Prill 2026 06:45
Enjte, 16 Prill 2026, 06:45
FOTO: BNR
Madhësia e shkronjave
Inflacioni i shqetëson bullgarët – ndryshimi i monedhës, i shoqëruar me rritjen e çmimeve të karburanteve, po hap vrima në buxhetet familjare. Prandaj edhe qytetarët e Gabrovos (Bullgaria Qendrore), të njohur për humorin e tyre të mprehtë dhe kursimin në jetën e përditshme, thonë me shaka, ose seriozisht, se nuk dalin jashtë, që të mos e takojnë atë. Në kryeqytetin bullgar të humorit, ata shfrytëzuan rritjen e çmimeve si arsye për të buzëqeshur, dhe konkursi kombëtar për fëmijë për krijimin e një gogoli bostani këtë vit është me moton: “I tremb çmimet, jo sorrat.”
“Përveç se të dëbojë sorrat për të mbrojtur të korrat, qytetarët e Gabrovos përdorin edhe një tjetër lloj dordoleci – vite më parë banorë të zgjuar të qytetit kishin vendosur pranë rrugës, afër shtëpive të tyre, një kukull policie si gogol për shoferët e rrezikshëm në trafik – rrëfen korrespondentja e Radios Kombëtare Bullgare në qytet, Velina Mahlebashieva. Tani, megjithatë, tema që prek ndjeshëm shumë njerëz është rritja e çmimeve. Prandaj Muzeu Etnografik “Etër”, organizator i konkursit kombëtar për dordolecë bostani, vendosi të vërë në provë ndjenjën e humorit të fëmijëve dhe të rinjve, duke i ftuar të krijojnë dordolecë që trembin jo sorrat, por çmimet. Gara po vazhdon, por disa krijime tashmë janë zgjedhur për pjesëmarrje. Një prej tyre është nga kopshti i fëmijëve “Dëga” në Gabrovo.”
Nga të gjitha materialet e përdorura për gogolin, i cili është më i lartë se një njeri, vetëm fshesa është e re, sqaron mësuesja Petja Kerekova.
FOTO: Muzeu Rajonal Etnografik në Ajër të Hapur "Etër"
“Fëmijët thanë se duhet të ketë një fshesë, e cila të përzërë çmimet e larta të lodrave, sepse prindërit e tyre, pasi çmimet u bënë në euro, nuk u kanë blerë shumë lodra. Dhe kështu, me këtë dordolec duan që çmimet të bëhen më të ulëta. “Eftinia” (“Lirësia”) – kështu e kemi quajtur dordolecin, sepse është bërë nga gjëra shumë të lira – kapakë, kostum nga dyqani i rrobave të përdorura, gojë nga një top i plasur, fund, nga një çadër e thyer …”
Kështu, fëmijët e vegjël, me shumë humor në stilin e Gabrovos, “komentojnë” temën e madhe për rritjen e çmimeve dhe shqetësimin që ndihet në shoqërinë bullgare. “Paratë kursehen kur i ke”, thotë një banor i moshuar i qytetit, ndërsa një bashkëqytetare e tij shton: “Qytetari i Gabrovos mund të mbijetojë në çdo situatë – ai thjesht mbyllet në vetvete dhe pret të kalojë më e keqja, pastaj del.”, thotë ajo me bindje.
FOTO: Muzeu Rajonal Etnografik në Ajër të Hapur "Etër"
Humori rezulton të jetë një pjesë e rëndësishme e mënyrës së shëndetshme për t’u përballur me situata të vështira dhe kriza. Psikologja Prof. Margarita Bakraçeva komentoi në Radion Kombëtare Bullgare se kur humbasim ndjenjën e humorit, përshtatja pasive dhe pritja ndikojnë edhe më negativisht në atë ku na çon inflacioni dhe kushtet financiare të pasigurisë. E gjithë kjo prek ndjeshëm ndjenjën tonë bazë për siguri dhe kontroll mbi jetën. Sado që të rriturit të përpiqen të ruajnë ekuilibrin, situata e javëve të fundit ndikon edhe te fëmijët, thekson ajo.
“Në praktikë po jetojmë në një situatë të përshkallëzuar pasigurie, e cila filloi gjatë pandemisë së Covid-it, vazhdoi me konfliktet ushtarake dhe sidomos tani po përshkallëzohet edhe më shumë. Aktualisht flasim për një krizë më të përgjithshme globale, e cila, veçanërisht kur shoqërohet edhe me paqëndrueshmëri kombëtare, krijon një mjedis të paparashikueshmërisë në të cilin na është e vështirë të planifikojmë.”
Nuk ka mënyrë të mbrojmë dikë plotësisht; çështja është që përshtatja të bëhet në mënyrën më optimale, në mënyrë që të zbuten efektet negative,” thotë ajo. Këshilla e saj është të përqendrohemi te gjërat që na japin ndjenjë sigurie dhe kontrolli – ato lidhen kryesisht me kontaktet tona ndërpersonale dhe me gjërat e përditshme që, pavarësisht rrethanave të jashtme, mund t’i bëjmë.
FOTO: Muzeu Rajonal Etnografik në Ajër të Hapur "Etër"
"Mosbesimi, tensioni shoqëror në rritje, zgjedhjet e ardhshme - këto janë tema që mund të ndikojnë shumë në komunikimin tonë me të tjerët. Arsyeja kryesore pse ndihemi keq dhe e përjetojmë këtë ankth, i cili reflektohet edhe në mbijetesë, planifikim dhe të gjitha shqetësimet e tjera që tradicionalisht kemi, të lidhura me ndryshimet klimatike dhe proceset e migrimit, është se ne i perceptojmë disa nga informacionet në mënyrë të vetëdijshme përmes mediave tradicionale, rrjeteve sociale dhe asaj që i themi njëri-tjetrit. Por ekziston edhe një pjesë më e madhe e informacionit që ne e perceptojmë si siguri ose pasiguri të mjedisit, dhe ajo perceptohet përmes sistemit tonë nervor - mungesa e buzëqeshjeve në fytyrat e njerëzve, e gjithë ndjenja përreth nesh, të cilën zakonisht nuk e kuptojmë."
Kjo është arsyeja pse gjërat e vogla që janë nën kontrollin tonë janë shumë të rëndësishme - të lëmë mënjanë kohë të veçantë për të organizuar diçka për familjen, për fëmijët, pa u përpjekur të shtrembërojmë situatën ose të shpëtojmë nga jeta e përditshme në këtë mënyrë. Kjo nuk do ta zgjidhë problemin e ankthit të përgjithshëm, por do ta ekuilibrojë dhe qetësojë pak trupin - thotë specialistja: "Kur lëmë mënjanë kohë për të rregulluar përjetimet tona, ne po lëvizim edhe në drejtim të ruajtjes së ekuilibrit që siguron shëndetin fizik dhe mendor" - saktëson Prof. Margarita Bakraçeva.
Intervista: Velina Mahlebashieva dhe Julijana Kornazheva
Redaktoi: Elena Karkallanova
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva