POLITIKË

Seksion

Ambasadori Svetllan Stoev: Mbi 19 mijë bullgarë jetojnë në Zvicër

E rëndësishme është pavarësia e organizatave të bashkatdhetarëve tanë; ambasada do të koordinojë iniciativat e tyre – theksoi diplomati për Radio Bullgarinë

Mërkurë, 15 Prill 2026, 20:20

Svetllan Stoev

Svetllan Stoev

FOTO: Ambasada e Bullgarisë në Zvicër / Facebook

Madhësia e shkronjave

Në përfytyrimet e shumë njerëzve, Zvicra është një shembull i një vendi të begatë, paqedashës dhe mirë i organizuar, i cili zhvillon me mjeshtëri demokracinë e drejtpërdrejtë si formë qeverisjeje. Politika e suksesshme në planin ekonomik dhe shoqëror bazohet në tre shtylla kryesore – referendumet, iniciativat qytetare dhe autonomia e kantoneve të veçanta.
Pikërisht ky model i bën qytetarët të përgjegjshëm në marrjen e vendimeve që ndikojnë në mirëqenien e përgjithshme dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Një aspekt i rëndësishëm është se Zvicra i qëndron besnike neutralitetit të saj dhe nuk merr pjesë në konflikte ushtarake, gjë që i lejon ekonomisë dhe sistemit të saj bankar të zhvillohen pa tronditje. Në planin ndërkombëtar ajo ndjek një politikë aktive të paqes, bashkëpunimit dhe solidaritetit. Në Bullgari, pala zvicerane ka investuar mjete të konsiderueshme në fushat e arsimit, shkencës, shëndetësisë dhe ekologjisë përmes Programit Zvicerano-Bullgar të Bashkëpunimit.

Ndryshe nga vende të tjera, ku bullgarët hasin vështirësi për të punuar sipas profesionit të tyre, në Zvicër ekziston një komunitet i konsiderueshëm i mjekëve, specialistëve të IT-së dhe inxhinierëve bullgarë. Ata tërhiqen nga mjedisi i qëndrueshëm, i cili u lejon të planifikojnë jetën e tyre për dekada përpara, si dhe nga mundësitë për zhvillim profesional dhe njohja e ekspertizës së tyre. Standardi i jetesës është i lartë, por edhe paga mesatare është ndër më të lartat në botë, gjë që i motivon bashkatdhetarët tanë të vendosen atje.

“Ne kemi mjaft bullgarë që jetojnë në Zvicër – thekson në një intervistë të posaçme për Radio Bullgarinë ambasadori i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Republikës së Bullgarisë në Konfederatën Zvicerane dhe në Principatën e Lihtenshtajnit, Svetllan Stoev. – Sipas të dhënave zyrtare statistikore, ata janë 19 500 shtetas bullgarë. Ka 12 organizata dhe shoqata në qytete të ndryshme dhe ato nuk janë vetëm në Zyrih, Gjenevë apo Veve, ku ka një komunitet të madh bullgar, apo në Bazel… Kudo ka diçka të krijuar nga bullgarë që duan të mblidhen së bashku. Për shembull, në Zyrih ka një klub biznesi – i sipërmarrësve të rinj bullgarë ose përfaqësuesve në kompani të ndryshme, të cilët gjithashtu kanë takimet e tyre. Secili dëshiron të bëjë diçka që lidhet me Bullgarinë. Pra, lidhja me Bullgarinë është e vazhdueshme.”

Ambasada e Bullgarisë në Bern

FOTO: Ambasada e Bullgarisë në Zvicër / Facebook

Ambasadori Stoev ndodhet në Zvicër që nga 1 dhjetori 2025. Një nga detyrat e para që ai i ka vënë vetes është të vizitojë së bashku me ekipin e tij shkollat bullgare në Zvicër dhe të vendosë kontakt me këshillat kishtare në Gjenevë dhe Zyrih:

“Besoj se në këtë fazë është hedhur fillimi për një bashkëpunim më të ngushtë dhe të koordinuar – thekson ambasadori. – Mendoj se çdo shoqatë, pavarësisht nëse lidhet me shkollën, gjuhën, arsimin, kulturën apo ruajtjen e traditave, duhet të ketë vendin e vet. Nuk është rastësi që njerëzit mblidhen për të ndarë të njëjtat vlera morale, si dhe për të pasur diçka që i lidh, dhe gjuha e kultura janë ato që na lidhin të gjithëve. Pjesë e pandashme është edhe besimi. Ndoshta ai është gjëja e parë që njeriu duhet të ketë, sepse formohet edhe në familje. Shpresoj që në të ardhmen ai të mësohet edhe në shkolla, ku mendoj se e ka vendin e vet.”

Mitropoliti Antonij dhe ambasadori Svetllan Stoev (në qendër) mes bullgarëve të komunitetit kishtar ortodoks bullgar në Zyrih

FOTO: Darina Grigorova

Ndër prioritetet e misionit diplomatik bullgar në Zvicër është krijimi i një strukture me kontaktet e të gjitha komuniteteve dhe shoqatave bullgare, e cila do të ofrojë mundësi për shkëmbim informacioni dhe veprime të koordinuara në raste të ndryshme. Ambasada tashmë ka edhe një faqe në Facebook, ku do të publikohen aktivitetet kulturore dhe ngjarje të ndryshme.

“Ajo që nuk do të bëjmë është që ambasada të jetë kujdestare e shoqatave bullgare. Pavarësia e tyre është jashtëzakonisht e rëndësishme. Roli ynë do të jetë më tepër koordinues dhe i lidhur me dhënien e më shumë jehone për atë që bëhet nga shoqatat e ndryshme.”

Kreu i misionit bullgar në Bernë ka një karrierë të konsoliduar diplomatike pas vetes. Në vitin 2021 ai ishte ministër i punëve të jashtme në dy qeveritë teknike të Stefan Janevit. Ai është vlerësuar me shumë çmime bullgare dhe të huaja për profesionalizmin e lartë të treguar. Ai i njeh mirë programet e Radio Bullgarisë dhe i konsideron ato një partner mediatik të besueshëm në punën e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

“Pa dyshim, prania mediatike është e rëndësishme, duke pasur parasysh mundësitë për kontakte sociale dhe faktin që prania në rrjetet sociale ndonjëherë është madje edhe jashtë kontrollit. Për mua, Televizioni Kombëtar Bullgar dhe Radioja Kombëtare Bullgare kanë një rol të veçantë në këtë drejtim. Ato duhet të jenë një lloj busulle për të ashtuquajturat lajme të vërteta, të cilat prodhohen në këto institucione. Ju po trokisni në një derë të hapur, ndaj shpresoj që edhe nga ana jonë të kemi me çfarë të kontribuojmë për një informim më të mirë të bullgarëve jashtë vendit.”


Përgatiti në shqip: Kostandina Bello