Autor
Joan Kolev
Artikull
Enjte 16 Prill 2026 20:00
Enjte, 16 Prill 2026, 20:00
FOTO: Facebook / DrRobert Eadie
Madhësia e shkronjave
Në dhjetor të vitit 2025, Këshilli i Ministrave miratoi një vendim, me të cilin qytetari britanik dhe irlandez me kartë identiteti bullgare Robert Eadie u emërua konsull nderi i Bullgarisë në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandën e Veriut, me seli në qytetin Belfast dhe me rreth konsullor që përfshin territorin e Irlandës së Veriut. Ai është inxhinier dhe pedagog i inxhinierisë ndërtimore në Universitetin Ulster (Ulster University), ndërsa para Brexit-it ka qenë edhe lektor i ftuar në disa institucione arsimore bullgare, ndër të cilat janë Universiteti Teknik dhe Universiteti i Ri Bullgar, si dhe Shkolla e Lartë e Ndërtimit “Ljuben Karavellov” në Sofje. Si e njohu fati me Bullgarinë dhe çfarë do të thotë për të kjo detyrë, për të cilën nuk merr mjete financiare shtesë – ja çfarë tregoi z. Eadie në një intervistë për Radio Bullgarinë:
Liqenet e Rillës
FOTO: rilanationalpark.bg
“Në vitin 2002 për herë të parë takova një bullgare. Emri i saj ishte Cvetanka Lillova. Deri në vitin 2002 shumë pak bullgarë zgjidhnin të jetonin në Irlandën e Veriut, por atëherë mbërriti një grup i tërë punonjësish shëndetësorë dhe qeveria në Mbretërinë e Bashkuar i inkurajoi të qëndronin. Kur ajo vdiq në vitin 2013, unë e kuptova sa të vështira janë gjërat për bullgarët në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandën e Veriut. Ajo u nda nga jeta në një moment kur ne nuk kishim konsull nderi, dhe unë nuk mund t’i transportoja mbetjet e saj mortore pa u vërtetuar kjo nga një ambasadë. Kjo do të thoshte se duhej të përshkoja Skocinë dhe më pas të udhëtoja edhe me autobus drejt ambasadës bullgare në Londër, ku më pritën shumë mirë, por arritja deri atje nuk ishte e lehtë.”
Gjatë disa viteve të ardhshme z. Eadie u përpoq që të merrnim një emërim të ri për konsull nderi.
“Arritëm të kemi një konsull në personin e Paul Martin në vitin 2017. Fatkeqësisht ai vdiq në qershor të vitit 2025 dhe më pas iu drejtuan mua që të zë vendin e tij.”
FOTO: bluegreenatlas.com
Konsulli i nderit nuk ka informacion të saktë për bullgarët që jetojnë sot në territorin e Irlandës së Veriut. Të dhënat me të cilat disponon i referohen atyre që kanë marrë status qëndrimi pas Brexit-it. Numri i tyre është 19 500, por në këtë numër nuk përfshihen njerëzit me shtetësi të dyfishtë, ndërsa ata që mbërritën në vitin 2002 janë pikërisht të tillë. Prandaj mund të thuhet se në Irlandën e Veriut janë vendosur rreth 20 000 bashkëkombës tanë, llogarit ai. Robert Eadie është i mirëinformuar për sfidën serioze që do të përfaqësojnë për ta zgjedhjet e parakohshme për parlamentin bullgar, që do të mbahen më 19 prill. Arsyeja për këtë është vendimi i Kuvendit Popullor që qendrat e votimit jashtë përfaqësive diplomatike dhe konsullore për vendet jashtë BE-së të kufizohen në 20 gjithsej.
Me të kuqe, qendrat e votimit në Irlandën e Veriut
FOTO: bulgarianhonoraryconsulbelfast.org
“Në Irlandën e Veriut kemi 4 qendra votimi – në Belfast, Armagh, Downpatrick dhe Enniskillen. Afërsisht rreth 1000 janë votuesit në to, por supozoj se tani për shkak të kufizimit të numrit të tyre, këtë herë do të vijnë të votojnë më shumë njerëz. U lidha me ambasadën bullgare në Londër me kërkesë që të përdorim konsullatën si qendër votimi në Belfast, në mënyrë që ajo të mos numërohet si një nga 20 qendrat dhe të jetë e mundur të kemi qendrën në Armagh. Sa i përket atyre që jetojnë në qytetin Enniskillen, i cili është vetëm 12 milje (19 km) nga kufiri me Republikën e Irlandës – i propozova ambasadës në Londër të kërkojë nga ambasada jonë në Dublin që bullgarët nga Enniskillen të votojnë në qendra që të hapen në kufi, pasi Irlanda është anëtare e BE-së dhe atje nuk ka kufizim të numrit të qendrave.”
Qendra e votimit në Belfast
FOTO: Facebook /Bulgarians in Northern Ireland
Z. Eadie siguroi se kufiri midis Irlandës dhe Irlandës së Veriut kalohet pa radhë, ndërsa udhëtimi deri atje është i lehtë për shkak të një marrëveshjeje të veçantë pas Brexit-it, e cila garanton se ky kufi do të mbetet i lirë për arsye politike.
Titaniku në Belfast, 17 shkurt 1912.
FOTO: titanicbelfast.com
Është në proces zhvillimi edhe një faqe e veçantë interneti, në të cilën ambasada jonë në Londër, konsullata në Edinburg dhe organizatat bullgare në Irlandën e Veriut do të mund të publikojnë në një vend të vetëm të gjithë informacionin e rëndësishëm për ta, në të cilin do të kenë qasje të gjithë të interesuarit.
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski