Autor
Elena Karkallanova
Artikull
Zgjedhjet parlamentare - 19 prill 2026
Fushatë motivuese apo pa ide për Legjislaturën e 52-të të Kuvendit Popullor?
Premte 17 Prill 2026 07:28
Premte, 17 Prill 2026, 07:28
FOTO: BTA
Madhësia e shkronjave
Po numërohen orët e fundit të fushatës zgjedhore për votimin e parakohshëm parlamentar të 19 prillit – ajo përfundon 24 orë para fillimit të ditës së zgjedhjeve, pra në orën 24:00 të 17 prillit. Shumë nga partitë po i shfrytëzojnë ditët e fundit për të zhvilluar aktivitetet e tyre përmbyllëse të fushatës, me të cilat synojnë të tërheqin votues, prandaj tingëllon logjike pyetja – a ishte motivuese apo pa ide fushata e tetë në pesë vitet e fundit?
Doc. Nikollaj Dimitrov
FOTO: Ani Petrova
“Fushata zgjedhore në Bullgari pati më tepër efekt demotivues dhe me siguri ishte pa ide – është mendimi kategorik i psikologut social docent Nikollaj Dimitrov, pedagog në Universitetin e Sofjes “Shën Kliment Ohridski”. - Ne ndodhemi në një spirale zgjedhjesh dhe koha e shkurtër në të cilën ato zhvillohen sjell lodhje dhe ndjesinë se asgjë nuk ndryshon. Por, nga ana tjetër, nuk duhet të anashkalojmë edhe faktin shumë të rëndësishëm se përjetuam një fushatë me mungesë të theksuar mesazhi. Shumë parti u mbështetën te sulmet ndaj kundërshtarëve të tyre, në vend të zgjidhjeve konkrete të lidhura me problemet që na rrethojnë, si inflacioni, të ardhurat, si dhe disa probleme aspak të reja – për shembull në shëndetësi. Sulmet ndaj kundërshtarëve është një praktikë e shpeshtë gjatë zgjedhjeve dhe me siguri nuk është një shpikje bullgare, por në asnjë mënyrë nuk rrit interesin e votuesve në procesin zgjedhor në tërësi. Dhe një gjë tjetër – mosbesimi tradicionalisht i ulët ndaj institucioneve krijon një cinizëm, sipas të cilit njerëzit besojnë se vota e tyre nuk ka asnjë rëndësi reale. Natyrisht, nuk duhet të anashkalojmë faktin se në Bullgari ekziston një fragmentim mjaft i dukshëm i jetës politike – një numër i madh partish dhe koalicionesh të vogla, të cilat i ngatërrojnë më tej votuesit dhe shpërndajnë votat larg partive më të mëdha, që do të mund të kishin një peshë dhe kuptim real në skenën politike.”
Andrej Gjurov
FOTO: BТА
“Pjesëmarrja e lartë në zgjedhje është më e fortë se të gjitha skemat kriminale” – kujtoi katër ditë para votimit kryeministri në detyrë Andrej Gjurov, duke njoftuar fundin e të ashtuquajturave “dhoma të errëta” të votimit, të cilat tani do të zëvendësohen me ndarëse të standardizuara, që do të përdoren për herë të parë. Një aplikacion i posaçëm do të ndihmojë pjesëmarrjen në zgjedhje të qytetarëve me dëmtime të shikimit. Nga Ministria e Brendshme u raportua rritje e numrit të denoncimeve për shkelje zgjedhore, të cilat po i afrohen 2000, ndërsa mbi 200 persona janë ndaluar për tregti votash. Ministri i brendshëm në detyrë u bëri thirrje qytetarëve të mos kenë frikë dhe të votojnë masivisht – a mund e gjithë kjo të nxisë një pjesëmarrje më aktive të qytetarëve në procesin politik? Docent Nikollaj Dimitrov shpreh një mendim skeptik:
“Dyshoj thellësisht, aq më tepër që kjo nuk është diçka që e përjetojmë për herë të parë – edhe qeveri të mëparshme në detyrë kanë dhënë premtime serioze për të garantuar ndershmërinë dhe transparencën e zgjedhjeve, por kanë dështuar në një masë më të vogël ose më të madhe. Edhe kjo nuk do të ketë sukses, sepse sipas Kushtetutës ka një jetë shumë të shkurtër. Qeveria politike dhe ministrat nuk kanë një mundësi reale drejtuese për ta imponuar veten si autoritet, madje as në nivelet më të ulëta në zinxhirin administrativ të ministrive që drejtojnë – veçanërisht në Ministrinë e Brendshme, por të mos harrojmë edhe Ministrinë e Jashtme, e cila gjithashtu është e angazhuar me zgjedhjet, por jashtë vendit. Në këtë kuptim, vështirë se kjo qeveri e re do të arrijë t’ia dalë – jo sepse nuk dëshiron, por thjesht sepse kushtet janë të tilla.”
FOTO: banker.bg
Një rol thelbësor në shkaktimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare luajti i ashtuquajturi Brezi Z – ata të rinj që protestuan kundër status quo-së, oligarkisë dhe shtetit të kapur, dhe që mbushën sheshet në fund të vitit 2025. Në listat e kandidatëve për Legjislaturën e 52-të e Kuvendit Popullor, 590 nga 4200 kandidatë për deputetë janë të rinj – llogaritën nga Forumi Kombëtar i Rinisë. A arritën partitë të përcjellin mesazhe të përshtatshme për të rinjtë bullgarë, që t’i nxisin të dalin të dielën dhe të votojnë?
“Më vjen keq që jam kaq kategorik, por mendoj se subjektet politike bullgare parapëlqejnë të mos tërheqin dhe të mos angazhohen fare me masa të reja të elektoratit – analizon psikologu. – Nuk flas vetëm për Brezin Z në këtë rast, sepse ata janë relativisht të pasigurt sa i përket votimit, ndërsa partitë politike – sidomos ato tradicionale, të mëdha – preferojnë të punojnë me një rreth të kufizuar votuesish, me elektoratin e tyre besnik, dhe të mos hyjnë në territore të reja. Pikërisht sepse mund të ndodhë diçka e ngjashme me atë që pamë në Hungari dhe më herët në Rumani, pra një pjesëmarrje shumë e lartë në zgjedhje, e cila mund të përmbysë planet si të atyre që janë në pushtet, ashtu edhe të atyre që synojnë të marrin pushtetin.”
Peter Magyar, udhëheqësi i partisë TISA, valëvit flamurin hungarez pas shpalljes së rezultateve të pjesshme të zgjedhjeve në Budapest
FOTO: AP/BTA
Sipas docent Dimitrovit, një pjesëmarrje në zgjedhje prej 80%, si në Hungari, është e paarritshme për realitetin bullgar, çka i detyrohet lodhjes së votuesve, por edhe mjedisit politik, në të cilin zgjedhësi nuk ka ndjesinë se vota e tij do të sjellë një ndryshim të vërtetë. Analisti parashikon që pjesëmarrja të jetë rreth nivelit të votimit të mëparshëm në vitin 2024 (nën 40%), “sigurisht, me rezervën se mund të jetë pak më e lartë, duke pasur parasysh faktin se ka një aktor të ri në skenën politike në Bullgari, i cili do të tërheqë pak a shumë vota të reja në mbështetje të tij.”
Organizimi i votimit jashtë vendit shkaktoi debate të ashpëra politike dhe çoi në ndryshime në Kodin Zgjedhor në momentin e fundit të mundshëm para shpalljes së datës së zgjedhjeve, duke u vendosur një kufizim deri në 20 qendra votimi që mund të hapen jashtë përfaqësive diplomatike dhe konsullore të vendit tonë në shtetet jashtë BE-së. Deri në çfarë mase motivimi, pjesëmarrja dhe pikëpamjet politike të bashkëqytetarëve tanë jashtë vendit janë objekt i analizës profesionale për psikologun social?
FOTO: BТА
Votimi nga jashtë është një fenomen interesant, por nuk mund të flasim për një masë amorfe të bullgarëve jashtë vendit – ata janë shumë specifikë dhe të ndryshëm, madje edhe nga këndvështrimi i shtetit nga vijnë. Natyrisht, nga njëra anë kemi votat nga Turqia, të cilat tradicionalisht mbështesin disa lojtarë të caktuar politikë. Atje fushata politike është pothuajse e pakuptimtë, nëse dikush vendos të “rrezikojë” kohë për t’u takuar me votuesit dhe për të paraqitur platforma. Nga ana tjetër, kemi komunitete të mëdha në Evropën Perëndimore dhe në Shtetet e Bashkuara, të cilat gjithashtu janë shumë të ndryshme mes tyre, madje edhe nga pikëpamja e mentalitetit. Mbretëria e Bashkuar u largua nga Bashkimi Evropian dhe tani bie nën rregullat për numrin e qendrave të votimit në shtetet jashtë BE-së – atje do të ketë vështirësi të konsiderueshme për votim, por kjo mund të sjellë edhe një rritje të lehtë të pjesëmarrjes. Prandaj është shumë e ndërlikuar dhe sigurisht e pasaktë të flitet në përgjithësi për bullgarët jashtë vendit. Sipas mendimit tim, qëndrimi i tyre ndaj zgjedhjeve buron më shumë nga motive romantike. Nga ana tjetër, ata kanë një motivim të fortë të ndikuar nga të afërmit e tyre në Bullgari dhe zakonisht votojnë për ata me të cilët simpatizojnë familjarët e tyre në vend. Gjatë viteve ka ndodhur shpesh diçka e tillë, e cila ka befasuar analistët, sidomos kur nga jashtë vijnë vota për projekte politike që tradicionalisht kanë retorikë nacionaliste dhe antievropiane.”
Radio Bullgaria do ta ndjekë këtë proces përmes një serie intervistash me bashkëkombës në vende të ndryshme, të cilat do t’i gjeni në faqet tona në ditën e zgjedhjeve, por edhe me analiza pasuese të rezultateve zgjedhore.
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova