Autor
Krasimir Martinov
Artikull
Premte 17 Prill 2026 15:25
Premte, 17 Prill 2026, 15:25
Ambasada e Bullgarisë në Dublin
FOTO: Krasimir Martinov
Madhësia e shkronjave
Edhe komuniteti bullgar në Irlandë shqetësohet për zgjedhjet për parlamentin bullgar dhe për të ardhmen e Bullgarisë. “Në zgjedhjet e ardhshme presim rritje të votuesve” – këtë e tha për Radio Bullgarinë Venko Stanev, aktivist zgjedhor dhe bashkatdhetari ynë, i cili jeton në Dublin prej 14 vitesh. Atje është së bashku me bashkëshorten e tij dhe tre fëmijët e tij.
Të drejtën e tyre për të votuar bullgarët në Irlandë mund ta ushtrojnë në 7 seksione zgjedhore, të përcaktuara me vendim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga 28 mars 2026. Dy janë seksionet në Dublin dhe nga një në qytetet Ballyconnell, Dundalk, Limerick, Cork dhe Tullamore.
Në një intervistë për Radio Bullgarinë ambasadorja jonë në Dublin, Vanja Andreeva, komentoi se është krijuar një organizim shumë i mirë i zgjedhjeve, dhe në të përfshihet aktivisht edhe komuniteti:
“Ky është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm për Bullgarinë dhe për të gjithë ne si qytetarë bullgarë. Prandaj edhe fokusi ynë është tërësisht mbi organizimin e zgjedhjeve, të cilat duhet të kalojnë në mënyrë perfekte. U drejtuam për ndihmë organizatave bullgare dhe vullnetarëve nëpër vend. Ata reaguan menjëherë. Kaq është. Ne jemi të lumtur që kemi një komunitet të tillë në Irlandë – jashtëzakonisht konstruktiv, i qëndrueshëm dhe i organizuar. Njerëzit e dinë çfarë bëjnë, e presin dhe e bëjnë me kënaqësi dhe gatishmëri”.
Venko Stanev
FOTO: Krasimir Martinov
Venko Stanev është një nga bullgarët aktivë, për të cilët flet edhe ambasadorja Andreeva. Përveçse është aktiv në zgjedhje, ai është edhe kryetar i këshillit të prindërve pranë shkollës bullgare të së dielës “Azbuka”. E pyesim – a shqetësohen bullgarët në Irlandë për zgjedhjet dhe, në përgjithësi – për zhvillimin e Bullgarisë?
“Sigurisht, shqetësohemi jashtëzakonisht shumë – përgjigjet pa hezitim Venko. – Personalisht unë dhe familja ime marrim pjesë gjithmonë. Madje këtë vit unë paraqita kërkesë për hapjen e një komisioni zgjedhor në një nga lagjet e Dublinit. Kemi shumë njerëz të regjistruar tek ne, që do të votojnë. I gjithë komuniteti bullgar shqetësohet thellë për ngjarjet në Bullgari. Dhe presim rritje të votuesve.”
Kur ktheheni në Bullgari, a ndieni ndryshim për mirë? Apo ndoshta është e kundërta?
“Po, ndiej ndryshim për mirë. Unë kam dalë nga Bullgaria prej kohësh dhe një nga ndryshimet e dukshme është kultura e drejtimit të makinës. Para rreth dhjetë vitesh ishte rrallë të shihje një shofer që t’i jepte përparësi një këmbësori. Nga ana tjetër, ka shumë gjëra që mund të përmirësohen dhe të gjithë i dimë. Në vitet e fundit na bën përshtypje të madhe rritja e çmimeve në Bullgari. Kur para 14 vitesh erdha në Irlandë, çmimet ishin katër-pesë herë më të larta, ndërsa në një-dy vitet e fundit disa produkte ushqimore janë më të shtrenjta në Bullgari sesa këtu. Ndërsa diferenca në pagat e njerëzve nuk është në favor të Bullgarisë.”
Bullgaria është fjala që përsëritet më shpesh nga nxënësit në shkollën bullgare "Azbuka" në Dublin
FOTO: Krasimir Martinov
Si duhet të jenë politikanët tanë që do t’i zgjedhim tani? Çfarë do të kërkonit nga ata – për Bullgarinë si shtet dhe si komb, dhe nga ana tjetër – konkretisht për ju, për bullgarët jashtë vendit?
“Për politikanët në Bullgari, gjëja kryesore që mendoj se të gjithë bullgarët e duan, është që ata të jenë punëtorë. Por të punojnë jo vetëm për veten e tyre, por edhe të paktën pak për të mirën e përbashkët. Sa i përket bullgarëve jashtë vendit, unë kam propozime të veçanta për Ministrinë e Arsimit – programet mësimore të jenë të përshtatura me nivelin e zotërimit të gjuhës bullgare të fëmijëve që jetojnë jashtë Bullgarisë. Aktualisht shumë nga programet që janë për mësimin e gjuhës bullgare në shkollat bullgare jashtë vendit synojnë fëmijë me nivel shumë të lartë të zotërimit të gjuhës bullgare – të tillë siç është ai i fëmijëve në Bullgari. Propozimi im tjetër është të krijohet një institucion, ku edhe të rriturit të mund të mësojnë gjuhën bullgare dhe përkatësisht – të marrin certifikatë për nivelin e përfunduar. Kemi shembujt e shkëlqyer të Institutit ‘Servantes’ për gjuhën spanjolle, të ‘Alliance Française’ për frëngjishten ose të ‘Goethe-Institut’ për gjermanishten.”
Klasa e dytë nga shkolla "Azbuka" në Dublin në orën e gjuhës bullgare
FOTO: Krasimir Martinov
Me siguri ka edhe shumë pyetje, ide dhe dëshira të tjera, me të cilat bashkatdhetarët tanë në Irlandë, si edhe në vende të tjera të botës, do të drejtohen drejt qendrave të votimit më 19 prill 2026. Nëse ato do të shtrohen dhe më e rëndësishmja – do të dëgjohen, mbetet për t’u parë.
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski