SHOQËRI

Seksion

Jordan Mihajllovski krijon një shëtitje 3D përmes bazës bullgare në Antarktidë

Premte, 17 Prill 2026, 20:00

Jordan Mihajllovski krijon një shëtitje 3D përmes bazës bullgare në Antarktidë

FOTO: arkiva personale

Madhësia e shkronjave

Anija kërkimore shkencore bullgare “Shën Kirill dhe Metodij”, së bashku me një pjesë të anëtarëve të Ekspeditës së 34-t bullgare në Antarktidë, kthehet në Bullgari. Udhëtimi i saj drejt brigjeve bullgare filloi më 17 shkurt dhe kaloi përmes Mesdheut Perëndimor, Ngushticës së Mesinës, Detit Jon, në jug të gadishullit të Peloponezit, Detit Egje, Ngushticës së Dardaneleve, Detit të Marmarasë, Ngushticës së Bosforit dhe Detit të Zi. Gjatë ndalesave të shkurtra, ekuipazhi pati takime emocionale me përfaqësues të komuniteteve bullgare në Brazil dhe Argjentinë.

Pjesë e përbërjes së Ekspeditës së 34-t bullgare në Antarktidë ishte regjisori Jordani Mihajllovski, detyra e të cilit në Kontinentin e Akullt është jashtëzakonisht e rëndësishme për promovimin e bazës bullgare dhe arritjeve shkencore të realizuara atje. Qëllimi i tij është të krijojë një binjak dixhital të saj, duke filmuar të gjitha ndërtesat, si edhe pamjet e jashtëzakonshme natyrore që zbulohen në vendin më të largët të Tokës.

FOTO: arkiva personale

Seminari në Kinë, kushtuar teknologjive të reja në krijimin e produkteve kulturore, e shtyu Jordanin të mendojë se cili do të jetë mesazhi dhe rëndësia e kinemasë në dhjetë vitet e ardhshme dhe si do të zhvillohet ajo. Ai arrin në përfundimin se një pjesë gjithnjë e më e rëndësishme e kësaj përvoje do të jetë ndërveprimi me hapësirën përreth:

Jordan Mihajllovski

FOTO: BTA

"Doja të krijoja diçka që i bën njerëzit të ndërveprojnë me hapësirën dhe i thashë vetes se projekti im i ardhshëm do të lidhej në njëfarë mënyre me realitetin virtual. Ne jemi shumë krenarë për bazën bullgare në Antarktidë dhe mendova se për mua do të ishte shumë interesante të krijoja diçka të dedikuar për të" – kujton bashkëbiseduesi ynë.

I riu është anëtari i tretë i familjes Mihajllovski që shkel në Kontinentin e Akullt. Edhe pse i njeh mirë organizatorët e udhëtimit – profesorin Hristo Pimpirev dhe fizikanin Dragomir Mateev, Jordani përgatit një prezantim të veçantë për të argumentuar rëndësinë e realizimit të idesë së tij.

FOTO: BTA

“Ideja ime është të krijoj një binjak digjital të bazës, që na angazhon dhe na informon në tri drejtime. Nga njëra anë paraqesim të kaluarën me fotografi të vjetra dhe pamje filmike, përmes të cilave mund të ndiejmë se si është fituar kjo hapësirë – ato kohë kanë qenë më kaotike se të sotmet, gjithçka ka qenë si një lojë, buzëqeshje, hijeshi dhe përpjekje, dhe është shumë bukur që arkiva e kësaj historie të jetë më e aksesueshme, për shembull përmes VR. Drejtimi i dytë është rrëfimi për jetën e përditshme në Antarktidë – si jetohet, me çfarë ushqehen… Shumë gjëra bazohen në produktivitetin e njerëzve atje, por ka edhe një humor specifik që është mirë të mund të përcillet – kjo është ana njerëzore. Kur ke personazh, shpirt – kjo të mban të angazhuar me historinë. Drejtimi i tretë, në të cilin do të zhvillohet rrëfimi, është për arritjet shkencore, të cilat është e natyrshme të përmenden. Nëse themi se projekti përfshin të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen, atëherë kjo është e ardhmja sipas përfytyrimit tim. E ardhmja është në një laborator, ku shikuesi mund të perceptojë se çfarë na pret dhe deri ku kemi arritur në inovacionet shkencore falë ekzistencës së kësaj baze.”

FOTO: BTA

Ideja e Jordan Mihajllovskit është që shikuesi, përmes realitetit virtual, të mund të shëtisë në pesë nga shtatë ndërtesat e bazës bullgare në Kontinentin e Akullt dhe të marrë gjithë këtë informacion për jetën, momentet argëtuese dhe vështirësitë, si edhe për arritjet shkencore të ekipeve bullgare.

“Këto ndërtesa ndodhen përgjatë një rruge, përballë tyre shihet një gji, nga i cili mund të arrish te akullnaja më e afërt ose te një majë që ndan bazën bullgare nga ajo spanjolle. Ideja ime është që me ndihmën e realitetit virtual dhe një telekomande në dorë, njeriu të mund të lëvizë përgjatë kësaj rruge, të hyjë në ndërtesat e veçanta, si edhe të shëtisë deri te ajo majë, ose të hipë në një varkë në gji dhe të përjetojë pamje të bukura.”

FOTO: BTA

Jordan Mihajllovski ka qenë në tokën e Antarktidës vetëm 3 ditë, një prej të cilave e ka kaluar në një varkë, duke ndihmuar në marrjen e mostrave të tokës pranë bregut, ndaj nuk ka arritur të filmojë të gjitha ndërtesat e bazës bullgare. Një pjesë e rëndësishme e projektit të tij, e cila ende nuk është filmuar, është ndërtesa më e vjetër në ishull, e quajtur nga të gjithë “Qeni i çalë”. Për të, drejtuesi i ekspeditave, prof. Hristo Pimpirev, thotë se ka ruajtur shpirtin e bullgarëve që hodhën themelet e punës sonë në Antarktidë.

FOTO: arkiva personale

“Aktualisht ajo është muze, ku mund të shohësh dhe të njohësh historinë e pranisë sonë në Antarktidë. Ideja ime është që çdo objekt i ruajtur aty të ‘tregojë’ një histori, me ndihmën e videove, fotografive ose informacionit shtesë.”


FOTO: arkiva personale

Një tjetër ndërtesë ende e pafilmuar është kishëza “Shën Ivan Rilski”, e cila zë një vend të rëndësishëm në zemrën e çdo bullgari që gjendet kaq larg atdheut.

FOTO: arkiva personale

Ideja është që shëtitja 3D të jetë plotësisht gati në vitin 2028, kur Pallati Kombëtar i Kulturës në Sofje do të presë Konferencën Botërore të Studiuesve Polarë, e cila zhvillohet çdo dy vjet dhe bashkon studiues nga 22 vende, ndër të cilat nga SHBA, Kina, Kili, Argjentina, Gjermania dhe Rusia.


Përgatiti në shqip: Kostandina Bello

Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello