Artikull
Zgjedhjet parlamentare - 19 prill 2026
Presidentja Ilijana Jotova: Votoni! Çdo votë mund të jetë vendimtare!
Premte 17 Prill 2026 20:31
Premte, 17 Prill 2026, 20:31
Presidentja Ilijana Jotova
FOTO: BTA
Madhësia e shkronjave
“Jepni votën tuaj, që të mos jetë ajo vetëm një tingull, por kuptim dhe shpresë” – me këtë varg të poetit Nikollaj Millçev, Presidentja Ilijana Jotova u bëri thirrje qytetarëve bullgarë të votojnë.
Ajo e bëri këtë apel me rastin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare për Kuvendin Popullor më 19 prill.
“Të hedhësh fletën e votimit nuk do të thotë vetëm të ndash një orë nga e diela. Kjo do të thotë një akt përkatësie ndaj kombit tonë. Do të thotë se dëshiron të jesh pjesë e ambicies për një Bullgari të begatë. Do të thotë se e çmon votën tënde. Do të thotë se dëshiron të jesh i përgjegjshëm ndaj vendit tënd. Kjo do të thotë liri dhe përgjegjësi – personale, ndaj familjes, të afërmve, shoqërisë. Do të thotë se këmbëngulim të kemi institucione legjitime, një shtet me autoritet. Të marrim pjesë në zgjedhje do të thotë se çdo votë mund të jetë vendimtare për të mbyllur plagën e helmuar të votës së blerë. Unë e çmoj votën time. Jam e sigurt se edhe ju e çmoni tuajën… Vota ime është vetja ime, ajo nuk mund t’i jepet askujt tjetër”, tha Presidentja.
Ajo kujtoi se këto janë zgjedhjet e teta parlamentare që nga viti 2021. Ilijana Jotova kujtoi gjithashtu protestat masive të vitit 2025, kur bullgarët kërkuan shtetin e tyre mbrapsht – një shtet të pastruar nga korrupsioni, që të japë drejtësi dhe të ndërtojë të ardhmen. “Protestat treguan se nuk ka pushtet që të jetë më i fortë se qytetarët”, theksoi Ilijana Jotova.
Ajo u bëri thirrje bullgarëve të mendojnë edhe për ditën pas zgjedhjeve, kur intriga politike do të shuhet dhe do të përballemi me problemet reale. Dhe për t’u përballur me to, do të na nevojitet një Kuvend Popullor funksional dhe një qeveri me kapacitet dhe mbështetje të qartë.
Në mesnatë përfundon fushata parazgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 19 prillit, ndërsa e shtuna është Dita e Reflektimit para votimit.
Redaktoi: Miglena Ivanova
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva