POLITIKË

Seksion

Bullgarët po marrin pjesë në zgjedhje për Kuvendin e 52-të Popullor

Dielë, 19 Prill 2026, 06:05

Bullgarët po marrin pjesë në zgjedhje për Kuvendin e 52-të Popullor

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Qytetarët bullgarë në vend dhe jashtë tij votojnë sot për Kuvendin e 52-të Popullor. Këto janë zgjedhjet e teta radhazi dhe të shtatat të parakohshme parlamentare që nga prilli i vitit 2021. Personalitete publike u bëjnë thirrje votuesve të japin votën e tyre pavarësisht lodhjes së akumuluar politike, pasi një pjesëmarrje më e lartë në votime do të zvogëlojë peshën e votës së blerë dhe të kontrolluar.


Votuesit do të përcaktojnë përbërjen e parlamentit me 240 vende nga 24 formacione të regjistruara – 14 parti dhe 10 koalicione – si dhe një kandidat i pavarur në Smoljan.

Votimi në Bullgari, sipas Kodit Zgjedhor, “është i detyrueshëm, kryhet personalisht nga votuesi dhe përfaqëson përmbushjen e detyrës së tij qytetare”. Megjithatë, në praktikë nuk ka sanksion efektiv për ata që nuk votojnë.


Të drejtën e votës mund ta ushtrojë çdo qytetar bullgar që ka mbushur 18 vjeç, nuk është nën kujdestari dhe nuk vuan dënim me burgim.
Personat me status banimi të përhershëm në Bullgari që nuk janë shtetas bullgarë nuk kanë të drejtë të votojnë në këto zgjedhje. Numri përfundimtar i votuesve për këtë proces zgjedhor është 6 575 151.


Qendrat e votimit në ditën e zgjedhjeve janë të hapura nga ora 07:00 deri në 20:00.


Sondazhet e fundit sociologjike parashikojnë një parlament sërish të fragmentuar, ku në Kuvendin e 52-të Popullor pritet të hyjnë nga pesë deri në gjashtë parti. Kjo nënkupton formula të ndërlikuara për qeverisje koalicioni dhe gatishmëri për bashkim rreth objektivave të përbashkëta nga ana e formacioneve që kalojnë pragun prej 4 për qind.


Por të mos harruar: fjala vendimtare sot është e votuesve. Zgjedhja e tyre do të përcaktojë jo vetëm përbërjen e Kuvendit të ardhshëm Popullor, por edhe mundësinë për formimin e një qeverie të qëndrueshme në kushte të paqëndrueshmërisë globale. Pjesëmarrja aktive në procesin zgjedhor mbetet mekanizmi kryesor demokratik për të ndikuar në zhvillimin e vendit.


Përpiloi: Miglena Ivanova

Përgatiti në shqip: Kostandina Bello

Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello