LAJME

Artikull

Zgjedhjet parlamentare - 19 prill 2026

Të parët votuan bullgarët në Zelandën e Re, ndërsa të fundit votojnë ata në ShBA

Dielë, 19 Prill 2026, 10:11

Të parët votuan bullgarët në Zelandën e Re, ndërsa të fundit votojnë ata në ShBA

FOTO: AP/BTA

Madhësia e shkronjave

Zgjedhjet jashtë vendit për Legjislaturën e 52-të të Kuvendit Popullor të Bullgarisë filluan mbrëmë në orën 22:00 dhe do të vazhdojnë deri në mëngjesin e 20 prillit, njoftuan nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Të parët para kutive të votimit u paraqitën bashkatdhetarët tanë në Okland dhe Krajstçërç, në Zelandën e Re. Më vonë do të përfundojë votimi në shtetet amerikane Kaliforni, Arizona dhe Nevada, ku përfundimi është parashikuar në orën 06:00 të së hënës.

Numri i përgjithshëm i qendrave të votimit të hapura jashtë vendit është 493 në 55 shtete. Më të shumtat janë në Gjermani – 70, në Spanjë – 67, në Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut – 28, në Turqi – 27, në Itali – 27, në Greqi – 26, në Shtetet e Bashkuara – 25, në Holandë – 24, në Francë – 19, ndërsa në Belgjikë, Austri dhe Kanada – nga 17.

Me makina votimi do të votojnë zgjedhësit në gjithsej 130 qendra votimi në 19 shtete, ndërsa në vendet e tjera votimi do të zhvillohet me fletëvotime në letër.

Bullgarët që nuk kanë paraqitur kërkesë për të votuar jashtë vendit mund të japin votën e tyre në një qendër votimi, në një shtet dhe vend sipas zgjedhjes së tyre. Gjatë votimit ata paraqesin pranë komisionit të qendrës së votimit një deklaratë sipas modelit, se i plotësojnë kushtet për të votuar dhe se nuk kanë votuar dhe nuk do të votojnë në një vend tjetër.

Përfaqësitë diplomatike dhe konsullore janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet vendore dhe janë të gatshme të ndihmojnë në rast vështirësish gjatë ditës së zgjedhjeve, për të garantuar të drejtën e votës së qytetarëve bullgarë.

Informacion për adresat e qendrave të votimit sipas shteteve mund të gjeni këtu.


Redaktoi: Diana Cankova

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova