Autor
Veneta Pavllova
Artikull
Hënë 20 Prill 2026 04:00
Hënë, 20 Prill 2026, 04:00
FOTO: Arkiv
Madhësia e shkronjave
Më 20 prill 1876, 135 vjet më parë shpërtheu Kryengritja e Prillit – kulmi i luftërave nacional-çlirimtare të bullgarëve kundër robërisë osmane. Vendimi për kryengritjen u mor nga revolucionarët bullgarë, të cilët u mblodhën në qytetin rumun Gjurgevo gjatë nëntorit dhe dhjetorit të vitit 1875. Gjatë verës së po këtij viti shpërtheu kryengritja në Bosnjë-Hercegovinë. Ajo shkaktoi krizën e radhës në Evropën Juglindore. Komiteti revolucionar i Gjurgevos vlerësoi se kjo krijonte mundësi të favorshme për të organizuar një kryengritje mbarëpopullore dhe filloi përgatitjen për të. Ja se çfarë tha në një intervistë për Radio Bullgarinë, prof. dr. asoc. Pllamen Mitev – Dekan i Fakultetit të Historisë në Universitetin e Sofjes “Shën Kliment Ohridski”:
Prof. Dr. Pllamen Mitev
FOTO: BGNES
“Jo pak studiues konsiderojnë se apostujt e Gjurgevos e kishin të qartë se çfarë diferencë të madhe do të ketë në raportin e forcave midis kryengritësve dhe pushtetit osman. Perandoria Osmane ende kishte një makinë të fuqishme ushtarake, ajo dispononte me mbi 500 mijë ushtarë. Ushtria turke është armatosur me teknikën më të re luftarake dhe do të ishte një aventurë e vërtetë nëse apostujt nuk e kishin kuptuar se me një armik të tillë kryengritja bullgare nuk kishte shanse të mëdha për sukses. Nga kjo pikëpamje sot konsiderojmë se vetë kryengritja është planifikuar si një pjesë e krizës lindore që thellohej gjithnjë e më shumë dhe në kontekstin e së cilës bullgarët do të mund të merrnin mbështetje reale nga Fuqitë e Mëdha. Prandaj gjithnjë e më shpesh në letërsinë shkencore shënohet se në qoftë se në fushën ushtarake kryengritja pësoi mossukses, në një plan politik ajo arriti qëllimin e fundit. Sepse zhvillimet e prillit dhe majit të vitit 1876 në tokët bullgare tërhoqën vëmendjen e tërë Evropës. Kështu në fund të fundit nën presionin e Fuqive të Mëdha u arrit në kërkimin e rrugëdaljes së kësaj krize, një pjesë e së cilës ishte dhe çështja politike bullgare.”
Sipas vendimeve të Komitetit të Gjurgevos, Bullgaria u nda në qarqe revolucionare. Më e vrullshme ishte kryengritja në Qarkun e katërt – atë të Plovdivit. Një rol i madh për këtë kishte udhëheqësi i kryengritjes atje – Georgi Benkovski. Deri atëherë ai kishte banuar jashtë shtetit vite me radhë dhe doli vonë në skenën e lëvizjes nacional-çlirimtare bullgare.
Georgi Benkovski (1843-1876)
FOTO: Arkiv
“Realisht ai u angazhua me luftërat nacional-çlirimtare gjatë verës së vitit 1875, vetëm disa muaj para se të bëhej apostull i Qarkut të katërt revolucionar. Por me përvojën e tij të pasur dhe me cilësitë e tij personale ai së shpejti u dallua si një personalitet i shquar, i cili fitoi zemrat dhe mendjet e popullsisë në qarkun e tij. Sepse veprimet e zjarrta dhe të guximshme në Qarkun revolucionar të Plovdivit janë fryt i ndikimit magnetik që Benskovski e kishte mbi të gjithë njerëzit, me të cilët takohej dhe fliste. Ai i ndezi si të varfrit, ashtu edhe të pasurit, si të rinjtë, ashtu edhe të vjetrit” – tregon docent Mitev.
"Skuadra Fluturuese e Benkovskit", artisti Petër Morozov
FOTO: militarymuseum.bg
Një nga faqet më interesante në historinë e kryengritjes lidhet me poetin gjenial bullgar Hristo Botev. Ai përgatiti një çetë prej 200 vetave. Kryengritësit hipën nga porte të ndryshme rumune në anijen austriake “Radecki”, e cila udhëtonte nëpër Danubin. U prezantuan si punëtorë dhe bujq dhe fshehën armët e tyre në sëndukë, në të cilët gjoja ishin veglat e tyre. Më 17 maj u veshën me uniformat, u armatosën dhe e pushtuan anijen. Qëllimi i tyre ishte të zbritnin në bregun e fshatit Kozloduj. Kapitenit i dorëzuan një letër, në të cilën theksohej se shkonin për të ndihmuar vëllezërit kryengritës, të cilët luftonin për lirinë dhe pavarësinë e atdheut. Arritën në bregun bullgar, e puthën tokën dhe nisën përleshje të rënda. Në to vdiqën shumica e kryengritësve dhe vetë udhëheqësi i çetës Hristo Botev.
"Zbritja e skuadrës së Botevit në Kozlloduj", artisti Dimitër Gjuxhenov
FOTO: Arkiv
Disa historianë mendojnë, se Botevi besonte se do të kontribuonte me çetën e tij për suksesin e kryengritjes. Një grup tjetër shkencëtarësh janë të një mendimi të ndryshëm”, shpjegon Pllamen Mitev. “Sipas tyre edhe Botevi, edhe udhëheqja e çetës e kuptonin se në këtë situatë, një muaj pas shpalljes së kryengritjes, shansi për sukses ushtarak ishte minimal. Dhe nga kjo pikëpamje veprimet e çetës së Botevit konsiderohen prova e radhës për të tërhequr vëmendjen e shoqërisë evropiane. Dhe ky akt pati sukses. Jo rastësisht disa historianë flasin për aftësinë e Botevit, si një regjisor i shkathët, të planifikojë orë pas ore veprimet e çetës – nga hipja në anije deri në zbritjen e çetës në bregun bullgar dhe puthjen rituale të tokës. Të gjithë këtë poeti e bëri, duke kuptuar se çdo veprim i tij do të kishte efekt në Evropë nëpërmjet gazetave evropiane dhe kështu problemi bullgar do të gjente më shpejt zgjidhjen e tij. Unë e pranoj këtë version të dytë, sepse do ta nënvlerësonim shumë Botevin, nëse konsideronim, se ai besonte se me një çetë do të mund të arrinte sukses në luftën kundër Portës së Lartë.”
"Rebelët Bullgarë 1876", pikturë nga V. Antonov
FOTO: bg.wikipedia.org
Kryengritja u shtyp me shumë egërsi. Më 3 prill të vitit 2011 Kisha Ortodokse Bullgare kanonizoi disa nga viktimat në të – martirët që u vranë në Batak dhe Novo Sello.
Kurora në kujtim të martirëve të Kryengritjes së Prillit përpara Kishës së Shën Nedeljës në Batak
FOTO: BNR
“Në të gjitha shtetet e mëdha evropiane gjatë asaj kohe tema bullgare ishte numër një – vazhdon rrëfimin e tij docent Mitev. – Në parlamente debatohej thellimi i krizës lindore. Mjafton të përmendim qëndrimin e personaliteteve të shquara si William Gladstone, Victor Hugo, Garibaldi, dhjetëra politikanë dhe shkrimtarë rusë që u angazhuan me popullarizimin e kauzës bullgare. Ky ishte roli i Kryengritjes së Prillit, sepse vetëm për dy-tre muaj qëndrimi i Fuqive të Mëdha u ndërrua. Më parë kërkohej një zgjidhje paqësore nëpërmjet konferencës ndërkombëtare të thirrur në Stamboll, por pas dështimit të saj lufta doli e vetmja zgjidhje e mundur e krizës lindore.”
Kështu filloi Lufta Ruso-Turke e vitit 1877-78, në saje të së cilës u çlirua populli bullgar. Pas pesë shekujve nën zgjedhën osmane, shteti bullgar u rilind, u krijuan kushte për një përparim të shpejtë ekonomik dhe kulturor.
Përgatiti në shqip: Ekaterina Tarpomanova