Hënë 20 Prill 2026 03:30
Hënë, 20 Prill 2026, 03:30
FOTO: BGNES
Madhësia e shkronjave
Në vitin 2026 mbushen 150 vjet nga Kryengritja e Prillit – një ngjarje e rëndësishme në historinë bullgare, e cila bëri që e gjithë bota të kthejë vëmendjen drejt një populli të vogël, që vuante nën pushtimin pesëshekullor osman. E quajtur kulmi i lëvizjes kombëtare çlirimtare të bullgarëve, epopeja e Prillit çoi në Luftën Ruso-Turke të vitit 1878, e cila solli çlirimin e vendit dhe ringjalljen e një prej traditave shtetërore më të vjetra në botë dhe në Evropë.
Kryengritja, e mbetur në histori si shprehje e shpirtit liridashës bullgar, shpërtheu më 20 prill 1876 në Koprivshtica. Kjo është edhe data në të cilën, 150 vjet më vonë, me një sërë aktivitetesh në mbarë Bullgarinë, përulemi para heroizmit të paraardhësve tanë. Në qytete dhe fshatra të ndryshme organizohen rikrijime historike, ekspozita, programe letrare dhe muzikore, konkurse për nxënës, kuize dhe orë të hapura historie.
FOTO: 150 vjet nga Kryengritja e Prillit – Panagiurishte
“Liria përmban në vetvete gjithçka që është e mira më e vërtetë, më e dobishme, gjithçka më e lavdishme, gjithçka më e shenjtë. Pa liri jo vetëm që asnjë popull nuk ka të drejtë të quhet popull, por edhe vetë njeriu që nuk ka vullnetin e tij të lirë, nuk ka asnjë të drejtë të quhet njeri” – shkruan poeti dhe revolucionari bullgar i Rilindjes, Ljuben Karavellov. Këto pikëpamje për lirinë, si edhe shumë mendime të tjera të figurave të shquara të lëvizjes sonë kombëtare çlirimtare, arrijnë tek publiku i gjerë përmes videove të posaçme – pjesë e fushatës kombëtare “150 vjet nga Kryengritja e Prillit” të Këshillit të Ministrave dhe Ministrisë së Kulturës. Në të marrin pjesë personalitete të njohura nga jeta bashkëkohore shoqërore dhe kulturore bullgare.
Shkëputur nga videoja me pjesëmarrjen e aktorit Ickah Finci
FOTO: YouTube
Ngjarja qendrore në programin e përkujtimit kombëtar të epope-së së Prillit është një koncert i madh më 20 prill në Sallën 1 të Pallatit Kombëtar të Kulturës (NDK). Solistë do të jenë sopranoja Krasimira Stojanova dhe violinisti Svetlin Rusev, të cilët do të ndajnë skenën me Orkestrën Simfonike dhe Korin e Përzier të Radios Kombëtare Bullgare. Pjesë e programit do të jenë vepra të klasikëve bullgarë Dobri Hristov, Panço Vlladigerov, Parashkev Haxhiev, Ljubomir Pipkov dhe Marin Goleminov.
Në faqen e Akademisë Bullgare të Shkencave është publikuar një listë e aktiviteteve të dedikuara këtij përvjetori të rëndësishëm, të organizuara nga institucioni, të cilat shtrihen përgjatë gjithë vitit 2026.
Përpiloi: Joan Kolev
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello