Artikull
Dielë 19 Prill 2026 21:22
Dielë, 19 Prill 2026, 21:22
FOTO: AFP
Madhësia e shkronjave
Zgjedhjet për parlamentin e 52-të janë një temë për analizë nga mediat botërore. AFP, e cituar nga BGNES, kujton se lideri i fituesit në këto zgjedhje - "Bullgaria Progresive" dhe President i Bullgarisë (janar 2017 - janar 2026) Rumen Radev ka mbështetur protestat antiqeveritare dhe ka bërë thirrje për një ndërprerje të "modelit oligarkik", por në të njëjtën kohë është për rifillimin e dialogut me Moskën, gjë që i sjell atij akuza për afërsi me Vladimir Putinin. AFP gjithashtu thekson se Radev ka kritikuar dërgimin e armëve në Ukrainë dhe ka deklaruar se ndan qëndrimet e Hungarisë dhe Sllovakisë për këtë temë.
"New York Times" e përmbledh imazhin në mënyrë më kategorike: Radev ka ndërtuar një reputacion si një politikan pro-rus për shkak të komenteve dhe qëndrimeve të tij gjatë nëntë viteve të tij si president. Reuters gjithashtu e thekson këtë linjë në udhëheqjen e tij dhe e përshkruan Radev si një "ish-president pro-rus" i cili premton të luftojë korrupsionin dhe t'i japë fund një serie qeverish të dobëta dhe jetëshkurtra.
Agjencia ruse e lajmeve TASS i kushtoi një artikull zgjedhjeve në vendin tonë me titullin: "Zgjedhjet bullgare: fituesi është i qartë, por qeverisja mbetet në pikëpyetje". Në të thuhet se "koalicioni i Bullgarisë Progresive, i kryesuar nga ish-Presidenti Rumen Radev, është përpara rivalëve të tij... por perspektivat për qeverisje të qëndrueshme mbeten të paqarta".
“A do të bëhet ish-piloti i MiG-29 dhe komandanti i përgjithshëm i Forcave Ajrore Bullgare, i njohur për retorikën e tij pro-ruse dhe refuzimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën, Viktor Orbani i ri në BE? Përgjigja e shkurtër është: jo. Përgjigja më e gjatë fillon me: jo, por. Në vitet e fundit, Radev është spikatur vazhdimisht me deklarata që shpesh nënvlerësohen si “pro-ruse”, megjithëse në thelb këto janë formulime që justifikojnë imperializmin rus dhe diktaturën e Putinit”, shkruan "Frankfurter Allgemeine Zeitung".
Redaktoi: Miglena Ivanova
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva