Autor
Ivo Ivanov
Artikull
Hënë 20 Prill 2026 02:25
Hënë, 20 Prill 2026, 02:25
Ura e Çallëkovit në Koprivshtica, ku u dha e shtëna e parë e Kryengritjes së Prillit
FOTO: Ivo Ivanov
Madhësia e shkronjave
Në vitin 1396 Bullgaria mesjetare ra nën sundimin osman, i cili zgjati gati pesë shekuj dhe la gjurmë të thella në historinë dhe zhvillimin e vendit. Që nga fillimi i shekullit XIX, pushteti i sulltanit mbi Ballkanin tronditej nga kryengritje dhe revolta të popujve vendas që luftonin për çlirimin e tyre. Fuqitë e mëdha të ashtuquajturit “koncert evropian” u përfshinë në garën për të fituar territore dhe ndikim mbi shtetin osman, i cili ndodhej në krizë të vazhdueshme. Kështu lindi Çështja Lindore.
Pas kryengritjes së serbëve në Bosnjë e Hercegovinë në vitin 1875 dhe ndërhyrjes së Austro‑Hungarisë, Rusisë dhe Anglisë, bullgarët filluan të rimëkëmbin Organizatën e Brendshme Revolucionare, themeluar nga Vasill Levski. Që nga fillimi i vitit 1876, një rrjet komitetesh në katër qarqe revolucionare përgatiste kryengritjen, e cila shpërtheu para kohe më 20 prill në Koprivshtica. Kryetari i komitetit revolucionar lokal, Todor Kableshkov, u dërgoi udhëheqësve në qytetin malor Panagjurishte një letër që përfundonte me thirrje për kryengritje dhe për hedhjen poshtë të sundimit të huaj pesëshekullor. Ky apel, i cili u dërgua midis komiteteve revolucionare në vendbanime të ndryshme, mbeti në histori me emrin e njohur “Letra e përgjakur”.
Svetllana Muhova
FOTO: Ivo Ivanov
“Kur Kableshkov shkroi letrën, banorët e Koprivshticës madje nuk e dinin nëse do të ndiqeshin nga bashkëluftëtarët e tyre në Panagjurishte dhe në vendet e tjera. Atëherë mbi atë moment rëndonte një tension i madh dhe pikërisht kjo e bën atë unik,” rrëfen Svetllana Muhova, historiane dhe studiuese vendase nga Koprivshtica. Gjatë Rilindjes, Koprivshtica ishte një qendër e pasur malore dhe vatër arsimore me një frymë të lartë revolucionare.
“Letra e përgjakur” përshkruan shkurt, por hollësisht fillimin e Kryengritjes së Prillit:
“Vëllezër! Dje në fshat mbërriti Nexheb aga nga Plovdivi, i cili kërkoi të arrestonte disa njerëz bashkë me mua. Meqë isha i njohur me vendimin tuaj, të marrë në kuvendin e Oborishtes, thirra disa trima dhe, pasi u armatosëm, u nisëm drejt konakut (ndërtesës administrative), të cilin e sulmuam dhe vramë mydyrin (përgjegjësin), me disa zaptije (roje).
Tani, ndërsa po ju shkruaj këtë letër, flamuri valëvitet para konakut, pushkët gjëmojnë, të shoqëruara nga jehona e kambanave të kishës, dhe trimat puthen me njëri‑tjetrin nëpër rrugë! …
Nëse ju, vëllezër, jeni patriotë të vërtetë dhe apostuj të lirisë, atëherë ndiqni shembullin tonë…”
Koprivshtica, 20 prill 1876
Pikturë e kryengritjes në Koprivshtica nga Tanço Shabanov, anëtar i komitetit revolucionar
FOTO: Ivo Ivanov
Teksti i letrës – një thirrje për kryengritje – është paraqitur në librin “Shënime mbi kryengritjet bullgare”, shkruar nga pjesëmarrësi në lëvizjen çlirimtare kombëtare Zahari Stojanov. Megjithatë, Svetllana Muhova nuk humbet shpresën se origjinali i letrës, ose të paktën përkthimi i saj në gjuhën osmane‑turke, mund të dalë një ditë nga arkivat në Stamboll.
“Interesant është momenti që lidhet me pikëpyetjet e shumta në letër, pasi ajo është ndërprerë në tre vende. Para disa vitesh u përpoqa të shqyrtoja me kujdes të madh letrat e Todor Kableshkovit. Vura re se, kur ai shkruante diçka, zakonisht respektonte pikësimin e saktë për kohën e tij. Por kur kishte ndonjë emocion, ndonjë tronditje, ai shumë shpesh e ndërpriste letrën me pikë‑pikë. Pra, nuk e shprehte mendimin deri në fund dhe këto pikë‑pikë ndoshta nuk janë diçka që Zahari Stojanov ka harruar, por tregojnë emocionin e Kableshkovit në momentin e shpalljes së kryengritjes,” shpjegon historianja.
Tekst i “Letrës së përgjakur” – fragment nga “Shënime mbi kryengritjet bullgare” të Zahari Stojanovit
FOTO: Ivo Ivanov
Svetllana Muhova shpjegon se shumë njerëz
mendojnë se letra është quajtur “e përgjakur” sepse është shkruar me gjak. Por,
duke iu referuar bashkëkohësve të vitit 1876, ajo është kategorike se me gjak
nuk mund të shkruhet dhe supozon se e vetmja gjë e mundshme është që nën tekst
të ketë pasur një kryq, të vizatuar me gjakun e vetë Kableshkovit. Pas prillit të vitit 1876, shprehja “Letra
e përgjakur” u shndërrua përgjithmonë për bullgarët në një idiomë të
vendosmërisë, veprimit, thirrjes për luftë dhe fjalës së mbajtur me nder.
Hetimi kundër Kableshkovit në konakun e Tërnovos, pikt. Todor Conev
FOTO: Ivo Ivanov
Kryengritja e Prillit u përgatit
për një kohë të shkurtër, u koordinua dobët dhe për këtë arsye u shtyp shpejt.
Por kryengritësit, të armatosur në mënyrë të improvizuar, arritën qëllimin e
tyre përfundimtar. Mizoritë kundër popullsisë civile gjatë shtypjes së
kryengritjes shkaktuan ndërhyrjen e Evropës. Ato çuan në Luftën Ruso‑Turke dhe në shfaqjen, në vitin 1878, të tokave të para bullgare të lira në Principatën e Bullgarisë dhe në krahinën autonome të Rumelisë Lindore.
Plaka përkujtimore në Urën e Çallëkovit në Koprivshtica
FOTO: Ivo Ivanov
Lexoni më tepër në koleksionin e Radio Bullgarisë:
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva