Autor
Vesella Krësteva
Artikull
Martë 21 Prill 2026 07:00
Martë, 21 Prill 2026, 07:00
FOTO: Shkolla bullgare e së dielës “Izvorçe” në Ukrainë
Madhësia e shkronjave
Në rreth 800 km nga Sofia dhe afërsisht 12 orë rrugë me makinë nga kryeqyteti bullgar ndodhet fshati Kubej në pjesën jugore të Ukrainës. E përcaktojnë si fshatin më të madh në ish-republikën sovjetike, i banuar kryesisht nga bullgarë dhe gagauzë. Vendbanimi është në rajonin e Odesës, pranë qytetit Bollgrad, i themeluar nga kolonë bullgarë në gjysmën e parë të shekullit XIX. Vendi dhe banorët e tij, një pjesë e të cilëve mbajnë atdheun e lashtë në zemrën dhe gjakun e tyre, kanë përjetuar shumë në të kaluarën, por edhe sot. Por ajo që gjithmonë i shoqëron është imazhi i ëndërruar dhe malli për Bullgarinë.
FOTO: Shkolla bullgare e së dielës “Izvorçe” në Ukrainë
Një grua e ka pranuar si mision të saj të përcjellë këtë ëndërr dhe historinë që qëndron pas saj te brezat e ardhshëm – ajo jep “Mësim për Bullgarinë” nga larg dhe në periudhë lufte. Emri i saj është Praskovija Ruseva, mësuese me arsim, por edhe me thirrje, e cila në vitin 2009, me ndihmën e Programit Kombëtar të sapohapur atëherë “Gjuha amtare dhe kultura jashtë vendit” të Ministrisë së Arsimit dhe një grupi njerëzish me të njëjtin mendim, realizon ëndrrën e saj – të themelojë një shkollë bullgare të së dielës në fshatin e lindjes së bashkëshortit të saj, Kubej. Ata fitojnë financim nga shteti bullgar dhe kështu lind shkolla “Izvorçe” – qendra e parë arsimore bullgare e vendosur jashtë një qyteti të madh në Ukrainë.
FOTO: Shkolla bullgare e së dielës “Izvorçe” në Ukrainë
Shkolla funksionon pranë Qendrës Kulturore Bullgare “Akad. Aleksandër Teodorov-Ballan”, e krijuar në vitin 1989, ndërsa kryetar i saj që nga viti 2006 është bashkëshorti i Praskovija Rusevës – Petër, i cili vë në dispozicion edhe shtëpinë e tij të lindjes për nevojat e shkollës bullgare.
“Pse akad. Todorov-Ballan është patroni ynë? Sepse ai ka lindur në fshatin Kubej dhe deri në moshën 10-vjeçare ka jetuar në këtë fshat. Këtu kemi dy shkolla fillore, njëra prej të cilave mban emrin e akad. Aleksandër Ballan dhe në të kam dhënë mësim gjuhë dhe letërsi bullgare për një periudhë të caktuar kohe.”
FOTO: Shkolla bullgare e së dielës “Izvorçe” në Ukrainë
Në vitin e parë në Shkollën bullgare të së dielës “Izvorçe” regjistrohen 70 fëmijë – nga klasa përgatitore deri në klasën e 12-të. Në nëntor 2016 hap dyert edhe dega e “Izvorçe” në Bollgrad. Sot, pavarësisht situatës në Ukrainë, shkolla ka mbi 270 nxënës dhe përgatit dhjetëra fëmijë bullgarë ukrainas për provimet e pranimit në universitete në Bullgari çdo vit.
FOTO: Shkolla bullgare e së dielës “Izvorçe” në Ukrainë
Me ardhjen e pandemisë globale shëndetësore në vitin 2019, ekipi e transferon punën e tij vetëm në mjedis digjital, ndërsa për shkak të luftës në Ukrainë mësimet edhe sot zhvillohen vetëm online. “Por e zgjeruam gjeografinë” – thotë me ngushëllim mësuesja e gjuhës bullgare.
“Filluan të na kërkojnë njerëz nga larg, jo nga krahinat tona – nga Odesa, madje edhe jashtë vendit, prindër që janë larguar nga Ukraina, janë vendosur në Gjermani, Finlandë, Poloni, kudo. Disa nga këta fëmijë ishin nxënësit tanë dhe mbetën të tillë pavarësisht rrethanave, por na kërkuan edhe shumë të rinj. Nxënësit tanë humbën aktivitetet shtesë dhe komunikimin e drejtpërdrejtë mes tyre, por nga ana tjetër mblodhëm fëmijë nga e gjithë bota.”
FOTO: Shkolla bullgare e së dielës “Izvorçe” në Ukrainë
Një nga pyetjet më të dhimbshme sot është – si drejtohet një shkollë bullgare e së dielës jashtë vendit në kushte lufte?
“Është shumë e rëndësishme që ekipi të jetë i vërtetë dhe i sigurt, gjë që ne e kemi. Prej shumë vitesh punojmë me të njëjtët njerëz, të cilët janë shumë të përkushtuar. Do të thosha se ajo që ne bëjmë nuk është vetëm mësimdhënie, ky është një mision. Ndërsa fëmijët unë i quaj heronjtë tanë, sepse pas një jave të tërë mësimi në shkollën bazë ata vazhdojnë të mësojnë edhe të shtunën ose të dielën. Sigurisht motivimi është i ndryshëm për secilin – disa fëmijë vijnë me dëshirë, të tjerë sepse kështu duan mami dhe babi, por gjithsesi vijnë. Kam besim te kolegët dhe mendoj se edhe ata kanë besim tek unë. Krijojmë vetëm emocione pozitive, nota negative nuk vendosim dhe nëse kemi ndonjë vërejtje e zgjidhim në bashkëpunim të ngushtë me prindërit.”
Prindër, të cilët gjithashtu mund t’i quajmë heronj, që në asnjë rrethanë nuk e ndërpresin lidhjen me prejardhjen dhe atdheun e tyre. Edhe nëse kurrë nuk e kanë parë atë.
FOTO: Shkolla bullgare e së dielës “Izvorçe” në Ukrainë
Prandaj edhe dy udhëtimet sipas programit “Bullgaria – Rrugë arsimore” të Ministrisë së Arsimit në gusht 2025 kanë qenë kaq të rëndësishme si për nxënësit e Shkollë bullgare e së dielës “Izvorçe”, ashtu edhe për edukatorët e tyre. Pas një diskutimi serioz dhe votimi zgjodhën në kulmin e verës të përjetojnë itinerarin “Bregdeti verior bullgar i Detit të Zi. Rërat e Arta”. Grupi ishte prej 29 nxënësish nga klasa V deri në X dhe tre edukatorë.
FOTO: Shkolla bullgare e së dielës “Izvorçe” në Ukrainë
“Vizituam qytetin Varna, Kopshtin Detar dhe Muzeun Arkeologjik në qytet, Manastirin Alaxha, qytetin Ballçik, Kopshtin Botanik Universitar dhe kompleksin arkitektonik-park ‘Pallati’ atje, si dhe farin në kepin Shablla” – tregon Ruseva.
“Përshtypje të madhe mora nga vizita në kepin Shablla dhe manastirin Allaxha në Varna. Bëra disa selfie shumë të bukura para farit në Shablla. Vijat e bardha dhe të kuqe të farit, zhurma e detit dhe atmosfera e qetë e bëjnë këtë vend të veçantë. Pamja e manastirit Aladzha është magjepsëse. Ky udhëtim në Bullgari do të mbetet në kujtesën time si një nga ngjarjet më të ndritshme.” Ndërsa bashkëmoshatari i saj Vjaçesllav Konstantinov shton:
FOTO: Shkolla bullgare e së dielës “Izvorçe” në Ukrainë
“Në qytete jetojnë njerëz shumë të mirë. Mësuam të flasim me ta. Më pëlqeu gjithashtu që drejtuesit tanë na mësonin të flasim saktë dhe të kuptohemi. Mbrëmja e fundit ishte shumë e bukur – u mblodhëm në një tavolinë të madhe dhe luajtëm lojëra së bashku. Kujtimi do të mbetet gjatë në zemrat tona.”
FOTO: Shkolla bullgare e së dielës “Izvorçe” në Ukrainë
Në fund të gushtit 2025 realizohet edhe ekskursioni i dytë në kuadër të programit. Sipas itinerarit “Riviera e bregdetit jugor bullgar të Detit të Zi. Sllënçev Brjag” nisen 30 nxënës dhe tre mësues, ndërsa ndihmë të madhe Praskovija Ruseva merr edhe nga nxënësit e saj, të cilët tashmë ishin në Bullgari si kandidatë për universitet. Nxënësja e klasës së njëmbëdhjetë Anastasija Gajdarxhi tregon:
FOTO: Shkolla bullgare e së dielës “Izvorçe” në Ukrainë
“Bullgaria është një shtet jashtëzakonisht i bukur. Vizituam shumë vende të ndryshme – Muzeun e kripës, Nesebërin e vjetër dhe shumë objekte të tjera piktoreske. Veçanërisht më pëlqeu shkolla në Sveti Vllas – ajo është moderne, e gjerë dhe komode. Në klasa të tilla vërtet të vjen dëshira të mësosh dhe të njohësh botën. Shumë mbresëlënës ishte edhe Muzeu i Aviacionit pranë Burgasit. Aty sikur u ktheva pas në kohë. Por më shumë më magjepsi kështjella ‘I dashuruar me erën’ në Ravadinovo. Është aq përrallore sa mendova – dua të jetoj këtu! Sistemi arsimor në Bullgari është mjaft i ndryshëm nga ai ukrainas, ishte interesante dhe ndonjëherë argëtuese të zbuloja ndryshimet në gjuhë. Për shembull në Bullgari thonë ‘djathtas’, ndërsa tek ne – ‘drejt’. Ndonjëherë më ishte e vështirë të shprehesha, sepse flas bullgarisht me theks dhe jo të gjitha fjalët i njihja, por në qytetet turistike shpesh punojnë njerëz që dinë rusisht dhe mund të të ndihmojnë.”
FOTO: Shkolla bullgare e së dielës “Izvorçe” në Ukrainë
“Për herë të parë në jetën time vizitova Bullgarinë – ishte shumë interesante të shihja Sllënçev Brjag, të isha në plazh në këtë resort. Vizituam shumë objekte interesante dhe falënderoj shumë Ministrinë e Arsimit dhe Bullgarinë që na dha këtë mundësi të vizitojmë atdheun e paraardhësve tanë” – thotë Katerina Zaim.
“Prej kohësh ëndërroja të vizitoja Bullgarinë dhe kjo ëndërr u realizua. Unë dhe nxënës të tjerë nga Shkolla bullgare e së dielës ‘Izvorçe’ kaluam pesë ditë të paharrueshme në resortin Sllënçev Brjag – tregon edhe Viktorija Ballxhik.
FOTO: Shkolla bullgare e së dielës “Izvorçe” në Ukrainë
Shumë nga fëmijët për herë të parë shkelën në tokë bullgare falë këtyre dy ekskursioneve, sqaron drejtoresha e shkollës “Izvorçe” Praskovija Ruseva. Ndërsa kujtimet e tyre me siguri e kanë bërë shumë më të fortë dhe më të qëndrueshëm atë fill që i lidh me prejardhjen dhe atdheun bullgar. Një fill, i ndërtuar më parë vetëm mbi fjalë.
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski