POLITIKË

Artikull

Udhëheqësi i socialistëve është gati për dorëheqje pas dështimit në zgjedhje

Martë, 21 Prill 2026, 18:19

Udhëheqësi i socialistëve është gati për dorëheqje pas dështimit në zgjedhje

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Kryetari i Partisë Socialiste Bullgare (BSP), Krum Zarkov, deklaroi në një konferencë për shtyp pas rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 19 prillit se do t’i kërkojë Këshillit Kombëtar të partisë këtë të shtunë një votëbesim, ndërsa nëse nuk e merr atë, do të japë dorëheqje. Nëse mbështetet, ai premtoi se do të punojë për rinovimin e partisë. Zarkov, i cili mori drejtimin e partisë më 7 shkurt 2026 në një gjendje të vështirë me mbështetje publike prej 2,3% (sipas sondazhit të “Market Links”, publikuar më 16.02.2026), theksoi se ky rezultat ishte i pritshëm. Sipas tij, “e majta e vjetër” duhet të ndryshojë, të hapet ndaj diskutimeve, njerëzve të rinj dhe ideve të reja.

BSP mbetet jashtë parlamentit dhe pa subvencion shtetëror, por sipas Zarkovit, partia mund ta përballojë këtë situatë. Ai tha se BSP po paguan çmimin e pjesëmarrjes në koalicione pa parime. Megjithatë, kjo nuk është fundi as i BSP-së dhe as i së majtës në Bullgari, u shpreh ai.

Kulmi më i lartë i BSP-së ishte në zgjedhjet për Kuvendin e Madh Popullor në vitin 1990 – zgjedhjet e para të lira në vend, kur fitoi 52,75%, sipas arkivave të BTA-së. Rënia e madhe erdhi me rrëzimin e qeverisë së Zhan Videnovit në fund të vitit 1996. Në zgjedhjet e vitit 1997 e majta mori 22%. Dhe kështu deri te rezultati i 19 prillit 2026 – 3,01%.


Redaktoi: Miglena  Ivanova

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova