POLITIKË

Artikull

Sociologia nga “Alfa Risërç”, Borjana Dimitrova, për Radio Bullgarinë:

Besimi ndaj partive me profil më nacionalist po kalon drejt formacioneve të reja

Mërkurë, 22 Prill 2026, 07:23

Borjana Dimitrova

Borjana Dimitrova

FOTO: BGNES

Madhësia e shkronjave

Pak më pak se 200 000 janë qytetarët bullgarë që votuan jashtë vendit, ndërsa 53 000 votuan me makina. Këtë e bëri të ditur ministrja e përkohshme e punëve të jashtme, Nadezhda Nejnski, në një konferencë për shtyp në Ministrinë e Punëve të Jashtme, në lidhje me zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare jashtë vendit më 19 prill.

Rezultati: Bullgaria ka një fitues të qartë – koalicioni “Bullgaria Progresive” kryeson në preferencat e qytetarëve bullgarë në 30 nga 31 qarqe zgjedhore (përjashtim bën Kërxhali, ku tradicionalisht kryeson DPS). Formacioni i ri politik rreth ish-presidentit Rumen Radev u preferua edhe nga shumica e bullgarëve që votuan jashtë vendit.

Bullgaria do të ketë një parlament me 5 parti, ku forca e parë politike do të ketë afërsisht 130 nga 240 deputetë, gjë që do të thotë se do të mund të formojë qeverinë dhe të miratojë ligje – një situatë që prej kohësh nuk është parë në vend.

Udhëheqësi i formacionit “Bullgaria Progresive” Rumen Radev

FOTO: Facebook/ Румен Радев

Riorganizimi i figurave politike në politikën bullgare krijon hapësirë për analiza dhe parashikime, ndërsa ne përqendrohemi te vota e qytetarëve bullgarë jashtë vendit, të cilën ekipi ynë e ndoqi nga afër gjatë ditës së zgjedhjeve. Që në fillim të intervistës, që dha për Radio Bullgarinë, sociologia Borjana Dimitrova nga Agjencia “Alfa Risërç” (partnere e Radios Kombëtare Bullgare në pasqyrimin e votimit) u ndal te ndikimi mbi procesin zgjedhor i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, me të cilat numri i qendrave të votimit jashtë përfaqësive tona diplomatike dhe konsullore në vendet jashtë Bashkimit Evropian u kufizua në 20:

Qytetarë presin në radhë përpara Përfaqësisë së Përhershme të Bullgarisë pranë Bashkimit Evropian në Bruksel për të votuar në zgjedhjet e parakohshme për deputetë të Kuvendit Popullor më 19 prill 2026

FOTO: BTA

“Radioja Kombëtare Bullgare pasqyroi radhët e gjata përpara qendrave të votimit dhe këmbënguljen e njerëzve për të treguar se kanë të drejtë vote dhe se duan që zëri i tyre të dëgjohet. Sipas një sondazhi, që e realizuam për radion publike në fillim të fushatës, 60% e të anketuarve deklaruan se do të dëshironin që bashkëkombësit tanë jashtë vendit të kenë të drejtë vote dhe të mos privohen prej saj.”


Cilat janë befasitë në rezultatet përfundimtare?

Pa dyshim, numri i reduktuar i qendrave të votimit ka pasur ndikim të ndjeshëm në pjesëmarrjen zgjedhore jashtë vendit, ku “Bullgaria Progresive” kryeson edhe atje në renditje, me pak mbi 38%.

Udhëheqësi i “Po e vazhdojmë ndryshimin”, Asen Vasilev, dhe bashkëkryetari i “Bullgaria Demokratike”, Ivajllo Mirçev

FOTO: BGNES

“Në vendin e dytë, nuk do të thosha se është befasi që partitë e djathta, demokratike fitojnë mbështetje të konsiderueshme jashtë vendit. Por tani bëhet fjalë për një mbështetje mjaft të lartë – rreth 22% për “Po e vazhdojmë ndryshimin – Bullgaria Demokratike” (PP-DB). Nëse e para (“Bullgaria Progresive”) merr rreth 68 000 vota nga jashtë vendit, atëherë e dyta ka rreth 40 000. Në vendin pasues, dhe me një rezultat dukshëm më të dobët, megjithëse kemi komentuar se vota nga Turqia ka peshën më të madhe në votën nga jashtë, është Lëvizja për të Drejta dhe Liri me 8,5% (15 860 vota).”

Edhe pse më i ulët se rezultati që jemi mësuar të shohim për Lëvizjen për të Drejta dhe Liri, votimi aktual ka shpjegimin e vet:

Deljan Peevski, udhëheqës i Lëvizjes për të Drejta dhe Liri

FOTO: Partia “Lëvizja për të Drejta dhe Liri”

“Gjatë një viti e gjysmë që nga zgjedhjet e fundit parlamentare të tetorit 2024, ne ishim dëshmitarë se si një pjesë e konsiderueshme e kryetarëve të bashkive nga APS, si edhe ish-veprimtarë, si bashkëkryetari i tyre Xhevdet Çakërov, në një mënyrë apo në një tjetër, u përfshinë në Lëvizjen për të Drejta dhe Liri. Kështu që APS tashmë prej kohësh nuk ekziston si një parti e pavarur me mbështetje të fortë. Kjo vjen si për shkak të liderëve që u larguan ose kaluan në partinë e Deljan Peevskit, ashtu edhe për shkak të rolit të Ahmed Doganit (në vitet e para të ndryshimeve demokratike në vend ai themeloi Lëvizjen për të Drejta dhe Liri, e cila gëzon mbështetje të madhe nga turqit bullgarë. Tani partia mban emrin Aleanca për të Drejta dhe Liri dhe në votimin e fundit nuk arriti të marrë mbështetje për të hyrë në Kuvend – shënim i redaksisë), i cili prej kohësh është shumë i distancuar dhe jo bindës si lider i këtij formacioni. Nga ana tjetër, disa deputetë të APS-së nga Kuvendi në largim kaluan te “Bullgaria Progresive”, duke bërë që edhe një pjesë e votës etnike kaloi te formacioni i ri rreth presidentit Rumen Radev.”


Votim në qendrën e votimit në lagjen “Avxhilar”, Stamboll

FOTO: BTA

Sipas Dimitrovës, ajo që bie në sy lidhur me votimin në fqinjin tonë jugor është numri dukshëm më i ulët i votuesve – nga zakonisht 50–60 000 vota që vijnë nga Turqia, këtë herë janë vetëm rreth 15 000. Kjo lidhet pjesërisht me numrin më të vogël të qendrave të votimit, megjithëse “në vendet jashtë Bashkimit Evropian, ku kemi motivim të njerëzve, vazhdon të ketë pjesëmarrje të lartë në zgjedhje”. Prandaj sociologia nxjerr këtë përfundim:

“Edhe nëse në një moment të caktuar përpiqesh, me mekanizma të caktuar të forcës ose të pushtetit, të vësh dorë mbi një votë, kjo, herët a vonë, shkakton rikoshet dhe një reagim kundërshtues nga ana e votuesve.”

Për partitë nacionaliste “Vëzrazhdane” dhe “Veliçie” – parti që në zgjedhjet e mëparshme të parakohshme kishin rezultate shumë të larta mes bashkëkombësve tanë jashtë vendit – sociologia vëren një rënie të mbështetjes në Bullgari, gjë që ndikon edhe te bashkëkombësit tanë jashtë vendit:

Udhëheqësi i partisë “Vëzrazhdane”, Kostadin Kostadinov

FOTO: BТА

“Pavarësisht rënies që vërejmë, ata gjithsesi mbeten me një mbështetje nga njerëz që janë të punësuar në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, por që ndajnë pikëpamje më euroskeptike. Ky lloj votuesi vazhdon ta japë votën si për “Veliçie”, ashtu edhe për “Vëzrazhdane”. Dhe nëse marrim rezultatin e tyre të përbashkët, ai përbën rreth një të dhjetën e të gjithë votës nga jashtë vendit.”

E veçanta e votës për partitë nacionaliste është se ajo nuk humbet, por thjesht kalon nga një parti te tjetra.

 

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova