MUZIKË

Artikull

Zhivko Vasilev dhe Harmelogic befasojnë skenat evropiane me “xhaz ballkanik”

Enjte, 23 Prill 2026, 05:40

Zhivko Vasilev dhe Harmelogic befasojnë skenat evropiane me “xhaz ballkanik”

FOTO: harmelogic.com

Madhësia e shkronjave

Njëri nga interpretuesit tanë të rinj më të shquar të kavallit dhe autor i muzikës, Zhivko Vasilev, paraqet një program të ri – këtë herë së bashku me Harmelogic – një duet nga Sllovenia. Harmelogic janë Kris Korat (Kristijan Korat) – piano dhe Damir Mazrek– perkusion. Në kompozimet e tyre autoriale ata zhvillojnë trashëgiminë muzikore të kulturave të ndryshme, duke ndërthurur xhaz, etno, muzikë klasike, pop dhe muzikë world. Ata thonë se qëllimi i tyre kryesor është t’i transmetojnë publikut ndjenjë paqeje dhe optimizmi.

Zhivko Vasilev tregon se të tre muzikantët janë njohur përmes internetit.

"Është shumë qesharake, sepse u takuam për herë të parë në Instagram - i shkruam njëri-tjetrit dhe pastaj u takuam personalisht në Aeroportin e Dohas. Kishim planifikuar të shkonim në turne në Kinë - pa e njohur njëri-tjetrin. Në fakt u pamë, bëmë prova për dy ditë në Kinë dhe pastaj filluam turneun. Thjesht shkëmbyem shënime në internet dhe kaq ishte.

Të dy janë shumë interesantë, sepse janë shumë të ndryshëm, por njëkohësisht kanë gjëra që i bashkojnë, dhe unë disi pozicionohem mes tyre. Damiri është 50% me prejardhje rome dhe 50% sllovene, ndërsa ana rome vjen nga Kosova. Kris është slloven, dhe ai është më klasik se të gjithë ne.

FOTO: Facebook/Harmelogic

Programi është interesant, sepse nuk do ta cilësoja as si xhaz, as si klasik, as si folklor – është më shumë vizioni ynë për mënyrën se si muzika duhet të evoluojë sot. Nëse duhet t’i vendosja një etiketë, më shumë do ta quaja diçka si xhaz ballkanik.

Muzika e Harmelogic me Zhivko Vasilev e tejkalon shumë këtë përkufizim, siç e dëshmuan koncertet e tyre në Sofje dhe Ruse. Pas këtyre dy koncerteve në Bullgari, të cilat shënuan fillimin e turneut të tyre evropian, Harmelogic dhe Zhivko Vasilev vazhduan të prezantonin programin e tyre të përbashkët në Gjermani, Slloveni dhe Itali, me data të shtuara në vende të tjera për shkak të interesit të madh.

FOTO: Facebook/Zhivko Vasilev

Të tre muzikantët janë autorë të pjesëve në këtë program të tyre, por ne zgjodhëm t’ju prezantojmë atë me kompozimin e Zhivko Vasilevit “It’s raining in 7”. E njohim në versionin origjinal nga albumi i tij solo “Places” (2021), si edhe në variantin me ansamblin е dhomës “Solistët e Sofjes.

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva