Autor
Darina Grigorova
Artikull
Fam. Markovi nga Pampllona
Shpresojmë që njerëzit në Bullgari të fillojnë të jetojnë më qetë
Mërkurë 22 Prill 2026 22:10
Mërkurë, 22 Prill 2026, 22:10
FOTO: Facebook/ Mirosllav Mirkov
Madhësia e shkronjave
Koalicioni i ri “Bullgaria Progresive” fiton shumicë bindëse të votave në 64 seksionet e hapura në 55 qytete spanjolle. Në votimin parlamentar të 19 prillit pjesëmarrja zgjedhore në Spanjë ka qenë relativisht e lartë, ndërsa qëndrimet midis bashkatdhetarëve tanë atje tradicionalisht ndjekin tendencën e përgjithshme për jashtë vendit. Dhe nëse në shumë shtete votuesit bullgarë nuk kanë pasur takime të drejtpërdrejta me përfaqësues të forcave politike që marrin pjesë në zgjedhje, komuniteti ynë në Spanjë është përjashtim – përfaqësues të formacioneve të ndryshme politike janë takuar me bashkatdhetarët tanë, të cilët interesohen për proceset politike në Bullgari, treguan për Radio Bullgarinë familja Markovi nga Pampllona.
FOTO: visitpamplonairuna.com
Në qytetin spanjoll u hapën dy seksione zgjedhore, por në një ambient të vetëm, ndërsa votuesit që kishin paraqitur kërkesa në mënyrë elektronike ishin shpërndarë administrativisht se si të votonin – me makinë apo me fletë votimi në letër, pa u marrë parasysh preferenca e tyre – na treguan më tej Mirosllav Markov dhe bashkëshortja e tij Maria.
“Njeriut i mbetet përshtypja se kjo është një lloj sitë shtesë për ata që duan të votojnë me makinë.”
Mirosllav Markov jeton më shumë se 15 vjet në Spanjë dhe nuk e fsheh indinjatën e tij ndaj organizatorëve të zgjedhjeve në Pampllona. Sipas fjalëve të tij, këta janë të njëjtët njerëz që, në vend që të ndihmojnë procesin zgjedhor, e komplikojnë atë. Ai madje tregon për një rast drastik në vitet e kaluara të zëvendësimit të votës së bullgarëve në qytet, të cilët kanë konstatuar se votat e tyre ishin transferuar te një parti tjetër. Kjo është edhe arsyeja që disa nga bashkatdhetarët tanë heqin dorë nga votimi atje dhe, kur hapet mundësia për votim me makinë, ata orientohen drejt tij.
Bashkëshortja e Mirosllavit, para se të shkojë në Pampllona, ka marrë pjesë shumë herë në procesin zgjedhor në Bullgari, jo vetëm si anëtare e komisionit, por edhe si kryetare. Prandaj është mirë e njohur me të drejtat themelore të votuesve. Në rastin konkret ajo paraqet ankesë në KQZ, si dhe te një përfaqësues i partisë “Veliçie”, i cili ka qenë në seksionin në Pampllona.
FOTO: Arkiv personal
“Të gjithë duhet të jemi aktivë, kur ka shkelje të tilla.
Ka rregulla që duhet të respektohen në mënyrë strikte nga të gjithë përfaqësuesit që partitë politike kanë dërguar atje për të mbikëqyrur. Nëse ne hyjmë në rolin për të ndjekur procesin – atëherë pse janë ata atje?”
Sa i përket pritshmërive të familjes Markovi ndaj formacionit të ri politik “Bullgaria Progresive” – shpresa është që situata në Bullgari të ndryshojë pozitivisht. Të dy janë nga Krumovgrad dhe ajo që i ka shtyrë të zhvendosen në Spanjë është mungesa e perspektivës. “Atje të njëjtët njerëz, pa arsim, pa kriter, qeverisin – thekson Maria, e cila ka arsim të lartë në fushën sociale. – Pavarësisht çfarë arsimi ke dhe çfarë aftësish posedon, atje çështja është kush është ‘njeriu ynë’.”
Prandaj Maria dhe Mirosllav shikojnë me shpresë drejt zgjedhjes së re:
FOTO: BTA
“Presim që në Bullgari më në fund njerëzit të fillojnë të jetojnë pak më qetë, më dinjitetshëm. Presim të ketë drejtësi, sistemi gjyqësor të ndryshojë. Presim që Kuvendi Popullor të ndryshojë tërësisht. Toni, nga i cili mua më vjen turp kur ndez televizorin dhe dëgjoj këta njerëz, sikur janë në cirk. Të gjitha këto presim të ndryshojnë dhe shpresojmë që, nëse kjo ndodh, njerëz si ne të kthehen në Bullgari dhe të jetojnë atje të qetë. Ne nuk kemi ardhur këtu sepse nuk duam të jetojmë në Bullgari. Secili dëshiron të jetë me të afërmit dhe miqtë e tij në vendlindjen e vet.”
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski