SPORT

Artikull

Bashkitë bullgare në përgatitje të ethshme për të pritur Giro d’Italia

Dielë, 26 Prill 2026, 07:00

Bashkitë bullgare në përgatitje të ethshme për të pritur Giro d’Italia

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Edicioni i 109-të i njërit prej garave më të mëdha çiklistike – Giro d’Italia – do të nisë me tre etapa në territorin e Bullgarisë, të cilat do të zhvillohen midis 8 dhe 10 majit. Para publikut, megjithatë, ekipet do të prezantohen që në Ditën e Shën Gjergjit (6 maj), kur do të zhvillohet edhe ceremonia zyrtare e hapjes, konfirmuan nga Ministria e Turizmit dhe Ministria e Rinisë dhe Sportit.

Mbulesë e plotë televizive dhe digjitale e garës

“Starti i madh” i garës më 8 maj do ta vendosë Bullgarinë në qendër të vëmendjes së miliona shikuesve në mbarë botën. Etapat do të transmetohen në Eurosport 1 dhe Eurosport 2, ndërsa shikuesit do të mund të ndjekin çdo minutë të garës drejtpërdrejt dhe në regjistrim edhe në HBO Max. Kalimi i Giro-s nëpër rajonin tonë pritet të tërheqë edhe mijëra tifozë çiklizmi dhe turistë nga e gjithë Evropa. E gjithë kjo nënkupton përgatitje të ethshme në drejtime të ndryshme nga komunat përgjatë itinerarit.

FOTO: visitnessebar.bg

Nga Nesebëri i lashtë nis rruga përmes Bullgarisë

Në këtë lidhje, Komuna e Nesebërit u bëri thirrje bizneseve lokale të përfshihen në portalin zyrtar turistik visitnessebar.bg, i cili ofron mundësi falas për prezantim online të vendeve të akomodimit, restoranteve, atraksioneve, shërbimeve dhe objekteve tregtare. Në këtë mënyrë, turistët që do të mbërrijnë në rajon për të ndjekur garën, mund të gjejnë në një vend informacion të përditësuar për gjithçka që ofron qyteti i UNESCO-s.

FOTO: БТА

Asfalt i ri dhe dukshmëri më e mirë përgjatë itinerarit

Rreth 140 kilometra nga rrjeti rrugor republikan në rajonin bregdetar të Burgasit po asfaltohen në përgatitje për kalimin e garës çiklistike, njoftoi Agjencia “Infrastruktura Rrugore”.

Riparimi do të përfundojë deri në fund të prillit, ndërsa do të kryhen të gjitha përmirësimet e nevojshme në strukturën e rrugës dhe sinjalistikën. Janë pastruar kanalet dhe zonat anësore të rrugës, është hequr bimësia e tepërt, çka ka përmirësuar kullimin dhe dukshmërinë.

FOTO: burgas.bg

Burgasi pret çiklistët në rozë

Qyteti, në të cilin do të zhvillohet hapja zyrtare e “Giro d’Italia”, do të dekorohet në mënyrë masive me ngjyrën simbolike rozë të garës. Për këtë arsye, Komuna e Burgasit u bëri thirrje banorëve dhe bizneseve të përfshihen në iniciativën “Burgas në rozë”. Apeli ndaj qytetarëve është të zbukurojnë ballkonet dhe hyrjet me lule dhe flamuj rozë, ndërsa restorantet dhe hotelet të ofrojnë menu dhe koktejle tematike. Objektet tregtare dhe kompanitë mund të përfshihen duke ndriçuar fasadat e tyre në rozë ose duke vendosur elemente dekorative.

Kryetari i Bashkisë së Burgasit, Dimitër Nikollov, deklaroi se komuna e tij ka ambicien të bëhet vendndodhja më e paharrueshme e startit në historinë e garës dhe të tërheqë vëmendjen e audiencës botërore. Për organizimin e ngjarjes tashmë janë branduar autobusët e transportit urban, ndërsa në stacionet janë vendosur informacione për ndryshimet në qarkullim, njofton BTA.

FOTO: Даниел Панов

Veliko Tërnovo përgatitet të presë finishin e etapës së dytë

“Kalaja Carevec tashmë ndriçon në rozë. Në ditën e finales gjithashtu do të jetë në rozë. Për tre ditë do të kemi një skenë me ekran të madh, në të cilën do të transmetojmë Giro-n drejtpërdrejt – në hapësirën e sheshit para monumentit ‘Asenevci’. Mbrëmja do të përfundojë me një koncert, të cilin do ta shpallim pak më vonë”, shpjegoi për BTA zëvendëskryetari Georgi Nedev, i cili e cilësoi garën si “ngjarjen më të madhe për Bullgarinë dhe me siguri për Veliko Tërnovon” për këtë vit.

FOTO: Bashkia Pllovdiv

Gazetarë nga media botërore u njohën me përgatitjen e Plovdivit

Itinerari i çiklistëve do të kalojë nëpër vende emblematike në qytetin më të vjetër evropian, ndërsa pjesëmarrësit do të ndalojnë në pika të veçanta, ku do të ketë edhe vende për degustim të verës tradicionale të rajonit nga varieteti Mavrud. Kjo u bë e ditur pas takimit të kryetarit të bashkisë Kostadin Dimitrov dhe zëvendësit të tij për “Kulturë, arkeologji dhe turizëm” Pllamen Panov me përfaqësues të mediave botërore si Corriere della Sera, La Gazzetta dello Sport, Marca, EuroSport etj., në lidhje me organizimin e ngjarjes.

Komuna e Pllovdivit përgatit një program shoqërues për ditën kur gara do të kalojë nëpër qytet – 10 maj, ku theksi kryesor është lidhja midis çiklistëve profesionistë dhe atyre amatorë. Para startit janë planifikuar koncerte, ndërsa menjëherë pas tij do të zhvillohet një paradë çiklistike që do të shënojë simbolikisht fillimin e sezonit të ri të biçikletave në qytet.

FOTO: BTA

Një orë e veçantë numëron mbrapsht kohën deri në fillim.


Përpiloi: Elena Karkallanova

Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski