Artikull
Kalin Veljov dhe Ire Vázquez bashkojnë kulturat e Kubës dhe Bullgarisë
Hënë 27 Prill 2026 07:20
Hënë, 27 Prill 2026, 07:20
FOTO: YouTube /Kalin Veliov
Madhësia e shkronjave
Ishte vetëm çështje kohe që perkusionisti dhe autori i muzikës Kalin Veljov dhe pianistja e këngëtarja kubane Ire Vázquez të regjistronin një këngë të përbashkët. Të dy prej kohësh janë pjesë thelbësore e komunitetit latino në vendin tonë, i cili po rritet gjithnjë e më shumë. Ire jeton në Bullgari prej më shumë se 20 vitesh dhe gjatë kësaj periudhe rrugët e saj me Kalinin janë kryqëzuar profesionalisht disa herë, por vetëm tani ata prezantojnë këngën e tyre të parë të përbashkët, “Cha Cha”.
Kalin ka krijuar muzikën në stilin përkatës, si edhe tekstin bullgar, mbi të cilin Ire ka shtuar rimat në spanjisht. Në interpretim marrin pjesë edhe muzikantët nga projekti i tyre “Ire & Los Papis”, mes të cilëve dallojmë disa nga interpretuesit më të mirë bashkëkohorë bullgarë, shumica me lidhje të theksuar dhe njohuri të thella për muzikën latine.
FOTO: Facebook /Kalin Veliov
Videoja tregon edhe një talent tjetër të Kalin Veljovit, i cili këtë herë shfaqet në rolin e regjisorit. Janë përfshirë pamje nga një ngjarje që mbeti si një nga festat më të mëdha të salsas në Sofje gjatë vitit të kaluar, me pjesëmarrjen e “Ire & Los Papis”.
Kështu ‘Cha Cha’ merr formën
e saj të plotë, për të na treguar me lehtësinë karakteristike të zhanrit latino
për jetën urbane dhe dëshirën për t’i shpëtuar asaj me “qen, mace, trumpetë dhe
motoçikletë”.
Redaktoi: Diljana Traçeva
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva