HISTORI

Artikull

Thesari i Rogozenit prej katër dekadash tashmë rrëfen për jetën e trakëve

Dielë, 26 Prill 2026, 08:55

Thesari i Rogozenit prej katër dekadash tashmë rrëfen për jetën e trakëve

FOTO: Ivo Ivanov

Madhësia e shkronjave

Nuk ka ekspozitë bullgare jashtë vendit, e lidhur me trakët, ku të mos paraqiten enë nga Thesari i Rogozenit. Ai është më i madhi për nga numri i objekteve të lashta që arritën deri te ne nga antikiteti bullgar. Përbëhet nga 165 enë argjendi – kana, kupa dhe gota, disa prej të cilave janë të praruara. Ato janë zbukuruar me skena mitologjike dhe figura të stilizuara. Nëse të gjitha thesaret e tjera trakase u zbuluan rastësisht, në rastin e Thesarit të Rogozenit kjo ndodhi në dy etapa. E para ishe rastësore, ndërsa e dyta ishte meritë e arkeologëve nga Muzeu i Vracës në janar të vitit 1986, shpjegon arkeologu Prof. Narcis Torbov nga Universiteti i Bibliotekonomisë dhe Teknologjive të Informacionit. Gjatë hapjes së një kanali për ujitje në një arë private në fund të vitit 1985, një traktorist nga fshati Rogozen (Bullgaria Veriperëndimore) gjeti një grumbull me 65 enë. Fshatari mendonte se ishin enë kishtare dhe pas një kohe, Ivan Dimitrov i dorëzoi gjetjet në komunë.

Prof. Narcis Torbov

FOTO: Ivo Ivanov

“Pas Vitit të Ri erdhën tre arkeologë dhe, sipas asaj që më kanë treguar, në një arkë në komunë panë 65 enë. Merita e kolegëve nga Muzeu në Vraca është shumë e madhe, sidomos e Bogdan Nikollovit – tregon për Radio Bullgarinë Prof. Torbov. – Sepse ata u kujtuan për një histori tjetër: në Mizí, në zonën Glladno Pole, Aleksandër Vitanov (1925) kishte zbuluar në arën e tij enë. Vite më vonë (1935), pothuajse në të njëjtin vend, ai zbuloi edhe një pjesë të dytë. Kur Bogdan Nikollovi dhe kolegët panë arkën, vunë re se në të kishte kana të ngjashme me njërën nga kanat e Thesarit të Bukjovos, ose të ashtuquajturit Thesari i Mizisë. Krejt natyrshëm supozuan se ishte e mundur të kishte edhe një pjesë të dytë, ashtu si në Thesarin e Mizisë. Ata filluan kërkime arkeologjike dhe më 6 janar, rreth 5 metra në veriperëndim të vendit ku u zbulua pjesa e parë, gjetën edhe të dytën – enët ishin të grumbulluara dhe ishin saktësisht 100.”

Zbuluesit e Thesarit të Rogozenit (nga e majta në të djathtë) – arkeologët Spas Mashov, Bogdan Nikollov dhe Pllamen Ivanov

FOTO: Muzeu Historik Rajonal – Vraca

Shumë janë hamendësimet se kush, pse dhe kur i varrosi dy grumbujt me objekte argjendi nga Thesari i Rogozenit. Sipas studiuesve, është e mundur që thesari të ketë qenë plaçkë lufte, e fshehur gjatë tërheqjes nga zona të mbretit maqedonas Filipi II. Ai pësoi një disfatë në vitin 339 p.e.s. nga fisi trak vendas i tribalëve dhe u plagos në këmbë. Atëherë thesari, i grabitur gjatë fushatës së Filipit II në Traki dhe në Bullgarinë Veriore, u varros përgjithmonë në fshatin Rogozen.

 

FOTO: Ivo Ivanov

Supozimi tjetër që jam më i prirur ta besoj është se thesari është pronë e sundimtarit vendas dhe se është mbledhur ndër breza nga paraardhësit e tij dhe përfaqëson një shërbim pirjeje, ndoshta për verë. Ky servis u trashëgua nga paraardhësit e tij përkatës – arsyeton arkeologu. – Enët u përkasin periudhave të ndryshme dhe mbi to ka mbishkrime që dëshmojnë se ishin në pronësi të zotëruesve të ndryshëm, çka tregon se bëhet fjalë për një grumbullim të një servisi që përdorej në gostitë sundimtare të trakëve.

Grafite të hequra nga mbishkrimet mbi enët, me emrat e dhuruesve dhe të atyre që i kanë marrë ato.

FOTO: Ivo Ivanov

Sipas mjeshtërisë së punimit dhe sipas skenave mitologjike të paraqitura, enët e Thesarit të Rogozenit ndahen në mënyrë të kushtëzuar në dy lloje. Disa prej tyre u punuan në mjedis helenistik nga mjeshtër grekë. Një shembull i tillë është një kupë e punuar me finesë, me Herakliun që josh priftëreshën e kultit Aige (Auga).

Kupa – Aige dhe Herakliun

FOTO: Ivo Ivanov

Por ka edhe enë që dukshëm u punuan nga mjeshtër vendas. Ato janë më interesantet, sepse paraqesin figura dhe skena nga mitologjia trake: “Këto skena sjellin shumë informacion të rëndësishëm, sepse trakët nuk kishin shkrimin e tyre. Gjithçka që deri tani dimë për konceptet e tyre mitologjike na është përcjellë nga grekët, të cilët kaluan nëpër trojet e trakëve dhe rrëfenin atë që kishin dëgjuar, pa qenë dëshmitarë të drejtpërdrejtë. Prandaj, dëshmia për mitologjinë dhe besimet fetare të trakëve nga zona e Bullgarisë Veriperëndimore vjen nga Thesari i Rogozenit”, shpjegon studiuesi. Në interpretimin e këtyre skenave ekzistojnë shumë spekulime.


Hyjneshë trake

FOTO: Ivo Ivanov

“Problemi është se te gota e madhe dhe te njëra prej kupave, e cila ka një skenë shumë të pasur, një pjesë e enëve është dëmtuar. Kjo ka ndodhur me gjasë me kalimin e kohës, pasi ato janë bërë prej argjendi me pastërti të ulët. Për këtë arsye, frizi i paraqitur mbi këto enë nuk mund të restaurohet në tërësi.

Kjo, megjithatë, e bën Thesarin e Rogozenit shumë interesant dhe tërheqës, sepse u bë bazë për zhvillimin e teorive të ndryshme në interpretimin e koncepteve mitologjike të trakëve, të cilat ende do të pasurohen dhe zhvillohen.

Kana bikonike, pjesërisht e dëmtuar

FOTO: Ivo Ivanov

Megjithatë, dua t’u them të gjithë kolegëve që merren me këtë problematikë se duhet treguar shumë kujdes dhe nuk duhet shkuar në ekstreme në interpretimin e vetë skenave mitologjike. Sepse pas këtyre skenave qëndrojnë mjeshtër që kanë pasqyruar jetën e trakëve dhe konceptet e tyre fetare, por ata kanë qenë njerëz të zakonshëm dhe kanë pasur një vizion realist si për fenë, ashtu edhe për jetën. Nuk duhet të shtrembërohet kuptimi — nga kjo nuk fiton askush”, apelon studiuesi.

FOTO: Ivo Ivanov

Sot, një pjesë e enëve të argjendta me punim të hollë nga Thesari i Rogozenit ruhen në Muzeun Historik Kombëtar, ndërsa pjesa tjetër mund të shihet në Muzeun Historik Rajonal të Vracës.


Salla "Thesari i Rogozenit" në Muzeun Historik Rajonal – Vraca

FOTO: Ivo Ivanov

Katër dekada më vonë, prof. Narcis Torbov, i cili për një kohë të gjatë ka qenë përgjegjës për ruajtjen e thesarit, thotë: “Ekspozimi i Thesarit të Rogozenit duhet të realizohet në një mënyrë interesante, artistike dhe tërheqëse, siç shohim në muzetë e tjerë në Evropë dhe në botë, ku theksi vihet mbi ekspozite të veçanta, në mënyrë që ato të tërheqin fillimisht vëmendjen e vizitorit dhe prej andej të nisë filli i një bisede të gjatë... Vetë eksponatet janë të përhershme, sepse ato janë të përjetshme, por kushtet e paraqitjes së tyre duhet të ndryshojnë”, bën thirrje prof. Narcis Torbov.”

 

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova