EKONOMI

Artikull

Blegtoria në Bullgari po zvogëlohet në mënyrë drastike

Si po shndërrohet vendi ynë nga një prodhues tradicional i qumështit – në një treg për produkte të importuara?

Martë, 28 Prill 2026, 07:00

Blegtoria në Bullgari po zvogëlohet në mënyrë drastike

FOTO: BGNES

Madhësia e shkronjave

Është dramatike tkurrja e prodhimit në sektorin e qumështit dhe produkteve të qumështit në Bullgari. Më së shumti problemi prek fermat e vogla dhe ekonomitë blegtorale – këtë e konstaton sindikata KNSB, e cila çdo muaj analizon dhe krahason të dhëna për çmimet dhe prodhimin në drejtime të ndryshme. Konsumi i qumështit tek ne megjithatë nuk po zvogëlohet, ndërsa sasitë që mungojnë në fakt zëvendësohen me produkte të qumështit, import nga jashtë – theksojnë nga sindikata. Importi i qumështit nga jashtë i mban çmimet vazhdimisht të larta dhe këtë problem e evidentojnë gjatë 4 viteve të fundit si prodhuesit, ashtu edhe konsumatorët.

FOTO: Pixabay

Sipas të dhënave të Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës (KZK), lopët qumështore janë zvogëluar me 25% për një periudhë vetëm nga viti 2020 deri në 2025, ndërsa delet mëmë janë zvogëluar me plot 40% për të njëjtat 5 vite. Kjo reflektohet edhe në numrin e fermave, pasi fermat e lopëve janë zvogëluar me 66% për të njëjtën periudhë, domethënë më shumë se gjysma tashmë janë zhdukur. E gjithë kjo reflekton mbi të gjithë sektorin e prodhimit të qumështit dhe produkteve të qumështit në Bullgari – alarmojnë nga KNSB dhe kërkojnë masa mbrojtëse nga ana e shtetit.

Pllamen Dimitrov

FOTO: BGNES

"Modeli i formimit të çmimeve dhe shpërndarjes së vlerës së shtuar për sektorin e qumështit gjatë 5-6 viteve të fundit çoi në shtypje sistematike të çmimit të prodhuesit, prej nga një ulje dramatike e fermave të vogla dhe të mesme dhe e gjithë numrit të bagëtive – buallica, dele dhe lopë. Si pasojë është ulur në mënyrë dramatike prodhimi i qumështit bullgar. Megjithatë, rritjet në çmime mbeten të njëjta - hasim rritje midis 90% dhe 130% për produktet e qumështit në rrjetet tregtare. Për mua kjo është një shifër skandaloze dhe gjithmonë do ta përsëris, sepse kjo nuk është sjellje tregu. Ky është shantazh dhe shtrembërim i duarve të prodhuesve të vegjël. Ndërkohë, konsumatori në Bullgari vazhdon të paguajë çmimin më të lartë në BE për produktet e qumështit – kaçkavall, djathë."

FOTO: Ani Petrova

"Tek ne nuk veprojnë parimet e konkurrencës së lirë dhe shteti është i detyruar të ndërhyjë – që të mos ketë fitime të tepërta në kurriz të prodhuesve, përpunuesve dhe konsumatorëve" – deklaroi më herët kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit në Bullgari, Vlladisllav Mihajllov. Ai theksoi se me rritjet aktuale, nëse me rregullim nga shteti ato ulen në 20%, menjëherë do të ketë ulje të çmimeve për konsumatorin. Dhe rekomandoi që me masa të tilla të mbrohet prodhimi bullgar, si dhe të garantohen çmime më të ulëta, me çka produktet do të bëhen më të përballueshme për qytetarët.

FOTO: Pexels

Të shumta janë problemet, përpara të cilave janë të vendosur pronarët e fermave të vogla dhe ekonomive blegtorale – e konfirmon edhe familja Todorovi, e cila ka një fermë me 60 lopë dhe 60 dele në fshatin Llozen, afër Sofjes. Ky është një zanat i trashëguar brez pas brezi, prandaj sado e vështirë të jetë, ata vazhdojnë të mbijetojnë, pavarësisht të gjitha masave dhe kërkesave nga ana e shtetit. "Për ne nuk ka ditë pushimi, puna në fermë është çdo ditë të vitit" – thotë fermerja e re Gabriella Todorova. Sipas saj, për fermat e vogla në vend është pothuajse e pamundur të arrijnë në rrjetin e dyqaneve:

Gabriella Todorova

FOTO: simoifamilia.bg

"Sepse vetë shteti dhe kërkesat e BE-së tek ne nuk ndihmojnë. Për krahasim shohim Serbinë dhe Turqinë, sa të shijshme janë djathrat, qumështi dhe kaçkavalli i shteteve fqinje, ku nuk ekzistojnë këto kërkesa të BE-së – thotë fermerja bullgare dhe vazhdon me krahasimet: – Dhe atje njerëzit kanë më shumë tregje fermere, ku mund të blesh djathë, qumësht dhe kaçkavall drejtpërdrejt nga prodhuesi. Ndërsa tek ne vijnë tre institucione, të shtypin biznesin dhe gjithçka shkon mbrapa. Madje e jona nuk është saktësisht biznes, sepse që blegtoria të jetë biznes, duhet të kesh shumë më tepër kafshë për t’i rritur që të kesh fitim. Për kafshët që rrisim, marrim subvencione midis 4 dhe 6 mijë euro. Vitin e kaluar nuk morëm subvencione të tilla, ndërsa me këto para ne nuk mund të ushqejmë kafshët as për një muaj e gjysmë. Sepse për kafshët duhen ilaçe, kontrolle, përveç ushqimit duhen edhe vitamina shtesë, minerale, kripë, ushqime të përziera. Ka edhe shpenzime për teknikë, për mbledhjen e sanës, për mjeljen e kafshëve. Dhe një problem tjetër serioz – vuajmë nga mungesa e veterinerëve. Në rajonin tonë Pançarevo, për rreth 20 fshatra, kemi vetëm një veteriner. Mjekët e rinj orientohen drejt kujdesit për qentë dhe macet shtëpiake dhe nuk i kushtojnë vëmendje kafshëve bujqësore. Për shkak të këtyre arsyeve fermat bullgare po vdesin."

Dhe edhe një fakt – mosha mesatare e blegtorëve në Bullgari është 68 vjeç.

FOTO: Ferma familjare “Simo dhe Familja”

"Mund të imagjinoni se këta janë njerëz të moshuar, shumë prej të cilëve nuk kanë mundësi, por as kohë, të shkojnë të dorëzojnë dokumentet sipas kërkesave të agjencive shtetërore. Këta njerëz mezi arrijnë të kujdesen për kafshët, prandaj edhe numri i bagëtive po zvogëlohet. Gjithçka është bërë jashtëzakonisht e vështirë dhe është pengesë për prodhuesit e ushqimit. Ndërsa pas një kohe, për fat të keq, njerëzit do të kërkojnë ushqim të pastër fermerësh, por nuk do të ketë nga ta gjejnë. Një nga arsyet do të jenë pengesat burokratike" – paralajmëron Gabriella Todorova.


Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski