Artikull
Forma e Kuvendit të ri Popullor një ditë para seancës së parë
Mërkurë 29 Prill 2026 16:00
Mërkurë, 29 Prill 2026, 16:00
FOTO: BTA
Madhësia e shkronjave
Presidentja Ilijana Jotova caktoi seancën e parë të Kuvendit të sapozgjedhur të 52-të Popullor për të enjten e fundit të muajit – 30 prill. “Jam e bindur se do të shohim një parlament të ri, krejtësisht të ndryshëm. Për mua më e rëndësishmja është të ndryshohet si stili, ashtu edhe mënyra e punës në këtë parlament, të përdoret një gjuhë që të jetë me respekt jo vetëm ndërmjet deputetëve, por edhe ndaj të gjithë qytetarëve bullgarë. Presim shumë vendime të guximshme dhe të shpejta” – theksoi kreu i shtetit para gazetarëve.
Ilijana Jotova
FOTO: БТА
Çfarë dihet për përbërjen dhe shpërndarjen e grupeve parlamentare në sallën plenare?
Fituesit nga zgjedhjet e 19 prillit “Bullgaria Progresive” marrin 131 vende, GERB-SDS do të ketë 39 deputetë, PP-DB – 37, DPS – 21, ndërsa grupi më i vogël parlamentar do të jetë i partisë “Vëzrazhdane” – me 12 deputetë.
Seancat plenare të përfaqësuesve të rinj të popullit sërish do të zhvillohen në godinën në bulevardin “Dondukov 1” (ish Shtëpia e Partisë), pasi ndërtesa historike në sheshin “Kuvendi Popullor” ka nevojë për një riparim të plotë të brendshëm dhe të jashtëm, për të cilin nevojiten afërsisht shtatë vjet dhe rreth 30 milionë euro.
FOTO: BTA
Seanca solemne e Kuvendit të 52-të Popullor do të hapet nga deputeti më i moshuar, i cili këtë herë është nga radhët e “Bullgaria Progresive” – gjenerali 78-vjeçar Rumen Millanov, punonjës për shumë vite në sistemin e shërbimeve të sigurisë.
Deputetja më e re është nga grupi i “Po e Vazhdojmë Ndryshimin – Bullgaria Demokratike”. 23-vjeçarja Anna Bodakova tashmë ka përvojë si bashkëpunëtore parlamentare e deputetes nga i njëjti koalicion – Elisaveta Bellobradova.
Anna Bodakova
FOTO: BGNES
“Nuk dua të gjykohem vetëm sipas numrit personal në kartën time të identitetit, por sipas përgatitjes sime. Do të dëshmoj se mund të mbroj interesat dhe kauzat jo vetëm të brezit tim, por të të gjithë qytetarëve bullgarë që kërkojnë një shtet më të ndershëm dhe funksional” – shpjegoi Bodakova në një intervistë për BNT, disa ditë para zgjedhjeve të 19 prillit.
Pritjet e të gjithë qytetarëve janë të përqendruara tërësisht te politikat që do të propozojë dhe zbatojë koalicioni rreth Rumen Radev, por meqenëse prej tyre ende ruhet heshtje, interesi ndaj deklarimeve që do të bëjnë në ditën e parë të Kuvendit të 52-të Popullor është i madh.
Përsëri kemi një situatë, në të cilën një parti e shfaqur “nga hiçi” merr shumicë të plotë në parlament pa treguar vërtet se cilat janë prioritetet e saj, si duket në të vërtetë programi i saj qeverisës dhe në fund në çfarë afati kohor, kujtoi në emisionin “Pikërisht sot” në BNR Plovdiv politologu Hristo Pançugov:
Hristo Pançugov
FOTO: BGNES
“Për shkak të mjedisit në të cilin partitë politike e kishin çuar veten – vetëm bërthamat e forta të tërhiqen për të votuar, nuk kërkohet nga formacioni i ri asgjë më shumë, përveçse të bëjë një mesazh të bukur dhe të fshehë zëdhënësit e tij kryesorë mjaftueshëm gjatë, që të mos mund ta prishin atë” – shpjegoi ai dhe shtoi se ende mbetet të kuptojmë si do të përcaktohen ministrat, cilët do të jenë ata dhe nëse do të jenë në këtë post vetëm për shkak të besimit të liderit të tyre, apo për arsye që lidhen me fushatën dhe realizimin e angazhimeve konkrete.
Nëse i referohemi programit parazgjedhor të “Bullgaria Progresive”, ajo duhet të ketë politika majtas nga qendra, komentoi politologia Milena Stefanova.
Milena Stefanova
FOTO: Savina Spasova
“Por ajo që është dëshiruar dhe deklaruar prej tyre gjatë fushatës do të jetë pak e vështirë të realizohet. Një gjë është të kritikosh nga tribuna e institucionit presidencial, tjetër gjë është të ulesh në karrigen e kryeministrit dhe të vësh në lëvizje organizative gjërat në mënyrë që të zbatosh politikat e tua. Kjo hapje e gjerë ndaj grupeve të ndryshme në shoqëri, që ishte populizëm i pastër gjatë fushatës, gjithashtu mund t’u luajë një shaka të keqe qeverisësve, sepse ata nuk mund t’u përgjigjen të gjitha pritjeve. Pasi të formojnë qeverinë, do të shohim çfarë buxheti do të paraqesin.”
Buxheti për vitin aktual 2026 është detyra urgjente për zgjidhje për përbërjen e re të Kuvendit Popullor. Rënia e qeverisë së Rosen Zheljazkov pas protestave në fundin e vjeshtës së vitit 2025 pengoi miratimin e kornizës financiare për vitin 2026, ndërsa në vend të saj parlamenti votoi një ligj zgjatjeje — një zgjidhje e përkohshme, e cila i lejon shtetit të mbledhë të ardhura dhe të shpenzojë para, derisa të formohet një qeveri e rregullt dhe të miratohet një buxhet i vërtetë.
Me 131 deputetët e saj, “Bullgaria Progresive” ka shumicë parlamentare, e cila do të mundësonte zgjedhjen e shpejtë të kryetarit të Kuvendit Popullor dhe një kabineti të rregullt – procedura që rezultuan një pengesë serioze për disa parlamente të mëparshme të vendit.
FOTO: BGNES
Përpiloi: Joan Kolev
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski