SHOQËRI

Artikull

Praga mbyll Qendrën Kulturore Çeke në Sofje pas 77 vitesh

Mërkurë, 29 Prill 2026, 12:05

Praga mbyll Qendrën Kulturore Çeke në Sofje pas 77 vitesh

FOTO: BGNES

Madhësia e shkronjave

Qendra Çeke po mbyll aktivitetet e saj në Sofje. "Me hidhërim të madh ju njoftojmë se, sipas vendimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Rrjetit të Qendrave Çeke, Qendra Çeke në Sofje do të mbyllet dhe do t'i japë fund aktiviteteve të saj kulturore dhe arsimore në Bullgari", tha institucioni në një deklaratë, të cituar nga BTA dhe BGNES. 

Tregohet se ngjarjet e planifikuara në programin e qendrës do të zhvillohen deri në fund të majit.

“Më 5 maj, institucioni ynë, institucioni më i vjetër çek i këtij lloji jashtë vendit dhe njëkohësisht ndër organizatat kulturore të huaja më jetëgjata në Bullgari, mbush 77 vjeç”, kujton Qendra Çeke.

FOTO: BGNES

Historia e saj fillon në vitin 1949, kur, në kuadër të traktatit ndërqeveritar kulturor çekosllovako-bullgar të vitit 1947, një dyqan përfaqësues për mallra kulturore, Československá tvorba Orbi (Krijimi Çekosllovak Orbi), u hap në rrugën “Rakovski” nr. 100 në Sofje, dhe në Pragë – Bulharská tvorba (Krijimi Bullgar). Pas ndarjes së Çekosllovakisë në vitin 1993, Republika Çeke krijoi qendra çeke, të cilat ishin pasardhëse të ish-qendrave çekosllovake jashtë vendit. 

Kjo është dega e katërt e rrjetit çek të qendrave që mbyllet këtë vit. Organizata nën varësinë e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Çekisë ka njoftuar tashmë mbylljen e degëve në Milano, Stokholm dhe Tbilisi. Arsyet e shkurtimeve janë financiare - këtë vit ministria i ka siguruar institucionit një buxhet prej 157 milionë kronash, krahasuar me 180 milionë në vitin 2025.

FOTO: Qendra Çeke në Sofje

Redaktoi: Ivo Ivanov

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva