MUZIKË

Seksion

30 prilli është Dita Ndërkombëtare e Xhazit

Për sinqeritetin dhe emocionin në muzikë – takim me Dimitër Gorçakov

Enjte, 30 Prill 2026, 07:00

Për sinqeritetin dhe emocionin në muzikë – takim me Dimitër Gorçakov

FOTO: Facebook /Dimitër Gorçakov

Madhësia e shkronjave

Në vitin 2011, me iniciativën e pianistit dhe kompozitorit amerikan të njohur botërisht Herbert Jeffrey Hancock, UNESCO e shpall 30 prillin si Ditën Ndërkombëtare të Xhazit.

I lindur në vitet e para të shekullit të 20-të në SHBA, xhazi ndërthur në vetvete ndikime muzikore afrikane dhe evropiane. Edhe pse u krijua përtej oqeanit, ky stil muzikor u përhap shpejt në Evropë, duke arritur edhe në Bullgari, ku u bë popullor falë kompozitorit dhe dirigjentit Asen Ovçarov, i cili krijoi edhe klubin e parë të xhazit në vendin tonë.

Patrik Bartli

FOTO: fest-bg.com

Në frymën e motos së kryeqytetit të xhazit, New Orlins – “Le të vazhdojnë kohët e mira” – është edhe urimi i një prej emrave të rinj, por tashmë të afirmuar të skenës bashkëkohore të xhazit në Bullgari – pianisti Dimitër Gorçakov:

FOTO: Sofia Art Institute

“Uroj që të gjithë kolegët të bëjnë muzikë me dashuri. Gjeni atë që ju pëlqen dhe bëjeni me përkushtim të jashtëzakonshëm. Për xhazin zakonisht thuhet se është 100% liri; sigurisht që ka edhe shumë punë, por ideja është të shprehesh lirshëm dhe sinqerisht dhe t’i luash gjërat në një mënyrë që askush më parë nuk i ka paraqitur ashtu siç i paraqet ti në atë moment. Shijojeni jetën si xhazi – të mos e harrojmë këtë impuls për t’iu gëzuar jetës.”


Ai thekson se përzierja e zhanreve dhe improvizimi në interpretim duhet të burojnë nga një nevojë e fortë e brendshme.

“Sigurisht që kërkohet një gjendje e caktuar shpirtërore, por mendoj se arsimi klasik më ka dhënë mundësinë të përshtatem dhe të rikonfigurohem. Në çdo rast, gjithmonë mëson, por kur e bën vetëm në mënyrë analitike – nuk funksionon. Duhet gjithmonë të ketë edhe një dozë zemre; të paktën kjo më ndihmon ta bëj shumë më lehtë.”

Dimitri është jashtëzakonisht mirënjohës ndaj mësuesve të tij në Shkollën Kombëtare të Muzikës “Ljubomir Pipkov” dhe në Akademinë e Muzikës “Prof. Panço Vlladigerov” – Bogomilla Njagollova dhe Julia Cenova. Atyre u detyrohet njohja me muzikën e kompozitorëve si Bah, Bethoven, Mozart, Shopen, etj., si edhe me krijuesit e veprave të shquara nga thesari ynë kombëtar muzikor – Ljubomir Pipkov dhe Panço Vlladigerov, të cilët kanë përdorur elemente të folklorit bullgar në krijimet e tyre.


Për takimin e tij me pianon ai tregon:

FOTO: Facebook /Dimitër Gorçakov

“Nuk jam unë ai që zgjodha pianon, por më tepër prindërit e mi vendosën të më regjistronin në mësime, për të parë nëse kjo do të funksiononte. Mesa duket ka funksionuar, sepse filloi të më pëlqejë që i vogël – rrëfen për Radio Bullgarinë pianisti i ri. Nuk fsheh se ka pasur momente vështirësish, madje edhe dëshirë për të hequr dorë: – Këto gjëra kaluan dhe duket se kam pasur fatin të ruaj ndjesinë e sinqeritetit në gjithçka që bëj. Dhe me shumë gjasë do të vazhdoj të jem i tillë.”

FOTO: YouTube /Dimitar Gorchakov

Në vitin 2021, Dimitër Gorçakov realizoi një ekspozitë personale fotografike, të kombinuar me një performancë muzikore, të cilën e quajti “Dritë e Errët”. Po atë vit u publikua edhe albumi i tij debutues me pjesë autoriale për piano solo “Tomorrow’s Past”, të cilin e prezantoi me koncerte speciale në Sofje dhe në Qipro. Albumi i solli një nominim për çmimin “Lira e Kristaltë” të Unionit të Veprimtarëve Muzikorë dhe të Vallëzimit në Bullgari në kategorinë “Xhaz”.

Pavarësisht këtij vlerësimi, muzikanti i ri ende nuk e percepton veten si kompozitor:

FOTO: YouTube /Dimitar Gorchakov

“Të jesh kompozitor është një profesion shumë specifik dhe kërkon përkushtim të jashtëzakonshëm. Për momentin, unë jam thjesht një njeri që përkthen disa ide nga zemra dhe mendja e tij në muzikë. Ajo që më drejtoi drejt kompozimit është dëshira për liri dhe për t’u shprehur në mënyrën time. Që i vogël kam dashur improvizimin. Nuk i vendos vetes si qëllim përfundimtar të krijoj një kompozim serioz, por më tepër e shoh të gjithë këtë si një lojë, sepse në shumicën e gjuhëve të luash në piano do të thotë të luash /to play/. Procesi i kompozimit, sipas meje, nuk duhet të jetë tepër serioz, por të ketë element surprize dhe argëtimi.”


Përgatiti në shqip: Kostandina Bello

Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello