Autor
Gergana Mançeva
Artikull
Konfederata e Punës “Podkrepa”:
Për 1 maj duam “siguri, vende pune dhe paga tani!”
Premte 1 Maj 2026 07:00
Premte, 1 Maj 2026, 07:00
FOTO: BGNES
Madhësia e shkronjave
1 maji është Dita Ndërkombëtare e Punës dhe e solidaritetit të punëtorëve, festë zyrtare dhe ditë pushimi në Bullgari, si edhe në shumë vende të botës. Festa është njohur zyrtarisht që nga viti 1939 dhe sipas traditës shënohet me parada dhe mitingje të organizuara nga sindikatat. Edhe këtë vit nuk bën përjashtim.
Pikërisht para 140 vjetësh në Çikago 300 mijë punëtorë, të bashkuar nga sindikatat e tyre, ngritën zërin për rregullimin e ditës 8-orëshe të punës. Bullgaria nuk është më larg nga kjo datë sakrale dhe 1 maji në Bullgari fillon të shënohet që nga viti 1890, vetëm 4 vjet pas ngjarjes në Çikago. “Punëtorët bullgarë janë punëtorë me vetëdije të lartë, të cilët jo më pak se vëllezërit e tyre përtej Oqeanit e kanë kuptuar se duhet të ketë rregullim të rregullave, të lidhura me punën që ata kryejnë” – thotë inxhinieri Ioanis Parteniotis, nënkryetar i Konfederatës së Punës “Podkrepa”. Dhe kujton arritjet sindikale ndër dekadat:
Ioanis Parteniotis
FOTO: BTA
“Të gjitha këto ‘të dhëna’ sot, si dita 8-orëshe e punës, java 5-ditore e punës – kujtojmë kur ende prindërit tanë punonin edhe të shtunën, pra java e punës ishte 6-ditore, respektivisht të gjitha kompensimet për amësi, për papunësi, për paaftësi të përkohshme për punë, për veshje pune, për kushte pune, pushime, etj. – të gjitha këto përfitime janë fituar hap pas hapi nga paraardhësit tanë dhe nga një pjesë e brezit tonë gjithashtu. Këto gjëra nuk janë të dhëna, ato duhet të mbrohen dhe duhet të zhvillohen më tej. Meqenëse jeta reale është dinamike, gjërat ndryshojnë – ndryshojnë kushtet e punës dhe këtu arrijmë te çështja e arsimit, e kualifikimit dhe e rikualifikimit të punëtorëve. Diçka që nga ana e vet krijon parakushte për humbjen e vendeve të punës dhe në vend të tyre hyrjen e teknologjive të reja. Këtë duhet ta kemi parasysh, kur zhvillojmë dialog me punëdhënësit dhe me institucionet shtetërore. Bota dhe vetë ne në Bullgari jetojmë në kushte krejt të tjera – sfidat aktuale janë si me karakter të brendshëm, ashtu edhe të shkaktuara nga faktorë të jashtëm. Për shembull, konfliktet ushtarake, të cilat jo vetëm që nuk qetësohen, por shtojnë probleme të reja, të lidhura me furnizimin me naftë, me lëndë të para, transportin. Jo në vend të fundit – kërkesat që BE i vendos vetes me të ashtuquajturën ‘marrëveshje e gjelbër’ dhe emetimet e lidhura të karbonit, gjë që rrit çmimin e energjisë elektrike dhe prish aftësinë e industrisë evropiane, në veçanti asaj bullgare, për të konkurruar me pjesën tjetër të botës. E gjithë kjo reflekton mbi mirëqenien e shoqërisë sonë, pjesë e së cilës janë punëtorët.”
FOTO: BTA
Prej tashmë 5 vjetësh në vendin tonë ka krizë politike, e cila çoi në një paqëndrueshmëri, pasiguri dhe në kufizimin e investitorëve që të investojnë kapital në vendin tonë – thotë më tej inxhinieri Ioanis Parteniotis:
“Shpresoj fort që pas zgjedhjeve të fundit /më 19 prill/, të ketë një kthjellim te elita jonë politike dhe, siç thuhet, të marrin veten në dorë dhe të fillojnë të mendojnë më pjekur. Sepse tashmë për muajin e pestë shteti është në autopilot – pa buxhet të miratuar, me mundësi të kufizuara dhe kjo në kushte krejt të tjera sociale, ekonomike dhe financiare. Kemi ulje të rritjes në ekonomi, ndërsa në disa sektorë të industrisë kemi ngecje. Kjo nga ana e vet çon në ulje të të ardhurave, të mundësive për investime, përfshirë ato në drejtim të përmirësimit të kushteve të punës për punëtorët bullgarë. Kjo çon në rrezikim të vendeve të punës së njerëzve, kemi rrezik të rritjes së papunësisë, zhvlerësim të të ardhurave të punonjësve dhe jo në vend të fundit – rrezik të varfërimit të njerëzve. Hyrja në eurozonë gjithashtu krijoi pasiguri dhe ndjenjën e varfërimit te qytetari bullgar. Në këtë lidhje ne nga Konfederata e Punës “Podkrepa” këtë vit më 1 maj ngremë moton ‘Siguri, vende pune dhe paga tani!’. Mjaft gjatë e kemi shtyrë debatin serioz – çfarë Bullgarie duam dhe mënyrën se si duhet të zhvillohet. Gjatë gjithë këtyre viteve kemi vëzhguar një vallëzim si në tango – dy hapa përpara, një pas. Po, kemi arritur përparim, Bullgaria nuk është si para 36 vjetësh, por Bullgaria mundet shumë më tepër dhe bullgarët e kanë dëshmuar menjëherë pas Çlirimit, kur vendi ynë për një kohë të shkurtër është shndërruar në një fuqi ekonomike udhëheqëse në Ballkan. Por këtë mund ta arrijmë sërish vetëm dhe vetëm së bashku” – shton sindikalisti.
FOTO: socbg.com
1 maji në Bullgari është edhe dita e shtypit të majtë
Mbështetësit e idesë së majtë dalin në parada më 1 maj për të mbështetur luftën për barazi, për solidaritet, për drejtësi në kohët e sotme. Pikërisht shtypi i majtë, sot në Bullgari i përfaqësuar nga gazeta “Duma”, ka qenë fillimi i këtyre paradave ndër vite. Me iniciativën e botimit, të krijuar nga publicisti Stefan Prodev, gjithmonë më 1 maj ka pasur paradë, që përfundon në “Kopshtin Borisova” me përshëndetje nga liderë dhe me koncert. “Që kur mbaj mend në skenë për festën gjithmonë ka pasur fjalime të gazetarëve, me thirrje që të jemi solidarë, të jemi të bashkuar, të jemi së bashku në luftën për një botë më progresive, më të drejtë” – na thotë Snezhana Todorova, kryetare e Unionit të Gazetarëve Bullgarë – organizata më e vjetër dhe përfaqësuese e gazetarëve në vend.
Snezhana Todorova
FOTO: BTA
“Ne vazhdojmë të mbrojmë, kur edhe kolegët drejtohen te ne. Ju e dini sa shumë pushime nga puna ka, sa i madh është presioni që ushtrohet mbi gazetarët, më së shumti politik. Në një studim të Shoqatës së Gazetarëve Evropianë, shumë së fundmi dolën të dhëna se mbi 70% e gazetarëve të anketuar kanë thënë se mbi ta ushtrohet presion dhe kryesisht politik. Te ne problemet reflektohen. Ne jemi një union krijues me funksione sindikale. Në Bullgari, për fat të keq, ende nuk ka ligj për sindikatat, kështu që funksionet tona janë mbi bazën e traditave që Unioni ka trashëguar ndër vite që nga krijimi i tij në qershor 1955, kur ka mbrojtur të drejtat e gazetarëve. Tani vazhdojmë, por pa vullnetin e ligjvënësit, pa të drejta përkatëse ligjore është shumë e vështirë për t’u realizuar. Dhe pa mirëkuptim nga ata që bëjnë ligjet, se gazetari duhet të mbështetet në veprimtarinë e tij, e jo të shtypet, të ndiqet, të ndëshkohet për faktin se komunikon të vërtetën.”
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski