Autor
Diljana Traçeva
Artikull
“Bukuri” – Bullgaria ashtu siç e sheh dhe e dëgjon Stefan Vëlldobrev
Hënë 4 Maj 2026 06:05
Hënë, 4 Maj 2026, 06:05
FOTO: YouTube /Stefan Valdobrev
Madhësia e shkronjave
Projekti më i ri i Stefan Vëlldobrevit quhet “Akustika e Bullgarisë”. Në të, aktori, këngëtari dhe autori i këngëve na çon nëpër vende të mrekullueshme të vendit, të cilat gjatë udhëtimeve të tij e kanë emocionuar dhe i kanë lënë përshtypje e kujtime të qëndrueshme.
Pas publikimit të singëllit të parë “I lirë” në vitin 2025, tani vjen radha e këngës “Bukuri”. Të dyja këngët mbartin optimizëm, dritë dhe… liri e bukuri. Kur e pyesin nëse vërtet kështu e sheh dhe e dëgjon Bullgarinë gjatë udhëtimeve të tij, Stefan Vëlldobrev përgjigjet:
“Kështu e shoh, kështu e dëgjoj dhe kështu dua të jetë. Mendoj se Bullgaria është ashtu siç e mbajmë në mendjet, në imagjinatën dhe në zemrat tona. Nëse tetë milionë njerëz e përfytyrojnë kështu, ajo do të bëhet e tillë. Është pak fëmijërore, e pranoj, por siç thuhet në tekstin e këngës “I lirë”: “Më vizato një Bullgari të mrekullueshme, ji si fëmijë, me penel e bojë gjithçka ngjyrose…” – nuk është rastësi.”
FOTO: Ani Petrova
Ideja për “Akustika e Bullgarisë” lindi pas publikimit të albumit “10 1/2” dhe këngës “Më ngadalë”, gjatë turneve verore:
"Ishte viti 2016 dhe katër verat e ardhshme kishte shumë udhëtime. Gjithmonë vidhja disa momente, minuta, një ditë - vetëm për të shkuar, për të shëtitur përreth dhe për të shijuar këtë bukuri që është kudo përreth nesh. Më duket se atëherë e rizbulova dhe fillova ta shijoja. Dhe e gjithë kjo mrekulli filloi të më ngarkonte dhe të më frymëzonte deri në atë masë saqë u bëra i varur. Pastaj, edhe nëse nuk kisha udhëtim, vidhja disa ditë, hipja në makinë dhe shkoja diku - vetëm për t'u ulur, për të heshtur dhe për të shikuar. Dhe për të shijuar lirinë dhe bukurinë. Pastaj i thashë vetes: Në rregull, ky është padyshim një pasion i imi, kam edhe një pasion tjetër - shkrimin e këngëve; a nuk mund t'i bashkoj këto dy pasione?! Domethënë, të shkruaj këngë për t'i regjistruar në këto vende. Dhe në vend që ta kap këtë me sytë e mi, në vend që të kap me mendjen dhe zemrën time, në vend që të kap në një foto në telefon, a nuk mund ta kap këtë në audio. Tingulli, jehona, energjia e tij. Dhe e gjithë kjo të qëndrojë në mikrofon, në këngë, në zë, në instrument dhe në të ardhmen."
FOTO: BNR Burgas
"Akustika e Bullgarisë” është një projekt i plotë, i cili do të përfshijë një album me të njëjtin emër, por gjithashtu edhe një libër dhe një film dokumentar. Në to, Stefan Vëlldobrev do të përshkruajë pse ka zgjedhur pikërisht ato vende të Bullgarisë, çfarë e ka frymëzuar për secilën këngë dhe do të japë shpjegime për tekstet. Por libri dhe filmi do të dalin pas albumit, mbi të cilin Stefan tashmë po punon së bashku me bashkëpunëtorët dhe miqtë e tij të afërt – muzikantët nga “Të dyshuarit e zakonshëm”.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva