Artikull
Shën Gjergji është mbrojtësi qiellor i bullgarëve ortodoksë në Cyrih
Mërkurë 6 Maj 2026 05:05
Mërkurë, 6 Maj 2026, 05:05
FOTO: facebook.com/eurotopian
Madhësia e shkronjave
Në Ditën e Shën Gjergjit, bashkësia kishtare ortodokse bullgare në Cyrih kremton festën e saj, pasi ka zgjedhur si mbrojtës qiellor Shën Gjergjin Fitimtar.
Sipas traditës, bashkëkombësit tanë mblidhen të dielën më të afërt me këtë festë dhe kremtojnë së bashku. Këtë vit ata iu përgjigjën thirrjes së priftit të tyre, protoiereut Jordan Pashev, dhe të dielën, më 3 maj, u mblodhën në Kishën bullgare “Maria-Hilf” në rrugën “Leimbachstrasse” 64, në Leimbach (një lagje e Cyrihut), e cila u është vënë në dispozicion nga bashkësia katolike. Atje, atë Jordan shërbeu Liturgjinë e Shenjtë.
Festa vazhdoi me një piknik pranë kishës, ku në mes të natyrës bashkëkombësit tanë shijuan shoqërinë e njëri-tjetrit dhe tryezën festive.
Bashkësia kishtare ortodokse bullgare “Shën Gjergji Fitimtar” në Cyrih është themeluar më 5 shtator 2009. Ajo është pjesë e Dioqezës së Evropës Perëndimore dhe Qendrore të Kishës Ortodokse Bullgare. Zyrtarisht është njohur në Zvicër si anëtare e Bashkimit të Kishave Ortodokse në kantonin e Cyrihut. Kujdesi shpirtëror për bashkëkombësit tanë atje dhe drejtimi i eparkisë i është besuar atit Jordan Pashev – teolog dhe piktor i talentuar i ikonave. “Në fillim nuk ka pasur shërbesa të rregullta fetare dhe vinin priftërinj të ndryshëm”, thotë atë Jordani në një intervistë të veçantë për Radio Bullgarinë:
At Jordan Pashev
FOTO: Facebook/Jivka Agov
“Kur unë erdha, më duhej të filloja praktikisht nga e para dhe u orientova drejt shkollës bullgare. U njoha me njerëzit dhe i ftova në shërbesë fetare. Kjo ndodhi në të Shtunën e Përkujtimit të të Vdekurve, që paraprin festën e Kryeengjëjve, në kishën serbe. Atje u mblodhëm rreth pesëmbëdhjetë familje bullgare dhe kështu filluam. Hartuam një plan për shërbesa të rregullta.
Kemi shërbyer kudo, në të gjitha kishat ortodokse, por kjo falë një zvicerani – doktor Petër Viter – teolog, i cili hodhi themelet për krijimin e Shoqatës së Bashkësive Ortodokse. Nëpërmjet kësaj shoqate ne kemi mundësinë të komunikojmë me ortodoksë të tjerë dhe të shërbejmë së bashku.
Është shumë e vështirë të gjendet një kishë, në përgjithësi në Zvicër, por sidomos në Cyrih, që, siç e dini, është një nga qytetet më të shtrenjta në botë. Kjo mbetet ende një pengesë e madhe që ne të rritemi si bashkësi. Problemi ynë më i madh është se nuk kemi një ambient tonin. Për fat të mirë, me kalimin e viteve kam krijuar kontakte si me ortodoksët, ashtu edhe me katolikët dhe të reformuarit, dhe këto marrëdhënie të mira më japin mundësinë që të shërbejmë në disa nga kishat e tyre. Me shoqatën e re shërbejmë në Lajnbah, në një kishë katolike. Në parim ata duhet të kërkojnë qira, por meqenëse kemi marrëdhënie të mira, nuk kërkojnë pagesë. Ne paguajmë vetëm shpenzimet për ujë dhe energji elektrike.”
FOTO: facebook.com/eurotopian
Një nga ndihmësit e afërt të atë Jordanit në shërbesën e tij në Cyrih është Danaill Todorov. Ai ka lindur në Silistra, ka jetuar për një kohë të gjatë në Londër, ndërsa prej pesë vitesh jeton në Zvicër, në Cyrih. Bashkëshortja e tij është zvicerane, prandaj ai e ndien qytetin si shtëpinë e vet. Punon në sektorin financiar. Është shuguruar diakon në Londër, dhe kur erdhi në Cyrih u lidh me atë Jordanin për ta ndihmuar në shërbesat fetare:
Danaill Todorov
FOTO: Darina Grigorova
“Në Cyrih, aktualisht kemi çdo dy javë, të paktën dy herë në muaj, Liturgjinë e Shenjtë, të cilën e drejton atë Jordani – rrëfen Danaill Todorov për Radio Bullgarinë. – Gjithashtu mblidhemi edhe në festat bullgare, pasi shumë shpesh, kur kemi Liturgjinë e Shenjtë, kremtojmë edhe festat kombëtare bullgare, si, për shembull, 3 Marsi. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme për ruajtjen tonë si të krishterë ortodoksë.”
FOTO: facebook.com/eurotopian
Zhivka Agova është kryetare e bashkësisë kishtare, e cila e ndihmon atë Jordanin në organizimin e festave dhe të tubimeve të komunitetit bullgar. Sipas saj, përveç besimtarëve, ekziston edhe një grup tjetër njerëzish që dëshirojnë të marrin pjesë në veprimtaritë kulturore:
Zhivka Agova
FOTO: Facebook/Jivka Agov
“Kjo shoqatë (kështu është e regjistruar bashkësia jonë kishtare – shënim i redaksisë) nuk është vetëm shpirtërore, por synimi është të ruajmë traditën dhe kulturën, si edhe të zhvillojmë bashkësinë. Shumë njerëz vijnë thjesht edhe për kontaktin shoqëror. Shpesh, pas liturgjisë, ata qëndrojnë edhe një ose dy orë, bisedojnë, bëjnë pyetje, ndihmojnë njëri-tjetrin dhe kalojnë kohë të këndshme.”
FOTO: Facebook/Jivka Agov
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova