POLITIKË

Artikull

Rumen Radev paraqiti projektin e tij për kabinet

Enjte, 7 Maj 2026, 18:48

Rumen Radev paraqiti projektin e tij për kabinet

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Presidentja Ilijana Jotova i dorëzoi mandatin e parë eksplorues për formimin e qeverisë kandidatit për kryeministër të propozuar nga grupi më i madh parlamentar në Kuvendin e 52‑të – “Bullgaria Progresive”. Mandati iu kthye menjëherë presidentes, i plotësuar me kandidatin për kryeministër – Rumen Radev.

“Qytetarët i dhanë besim të madh forcës suaj politike, ia dhanë vendin e parë me një shumicë të qartë. Pas viteve të krizave politike, pritjet lidhen me një qeverisje të qëndrueshme — këto janë pritjet edhe të partnerëve tanë evropianë. Para nesh qëndrojnë vendime të rëndësishme, si siguria e pagesave sociale, përgatitja dhe miratimi i buxhetit për vitin 2026 dhe puna për buxhetin 2027, garancitë për zhvillimin e biznesit, ekonomisë, energjetikës dhe përgjigjja ndaj sfidave në planin e jashtëm”, tha Jotova.

FOTO: BTA

Radev kujtoi se gjatë 9 viteve të fundit, ai dhe Ilijana Jotova si president dhe zv.presidente kanë dorëzuar 27 mandate për formimin e qeverisë. “Qytetarët u shprehën në zgjedhjet e fundit dhe i dhanë fund krizës”, theksoi ai.

Kandidati për kryeministër njoftoi se në kabinetin e ri planifikohet të ketë katër zëvendëskryeministra (dy prej tyre pa portofol) dhe 18 ministra. Struktura e propozuar është me një ministri më pak se ajo e deritanishmja.

Radev theksoi problemet kryesore që kabineti i ri duhet të zgjidhë — inflacionin galopant, miratimin e buxhetit për vitin aktual, zgjedhjen e Këshillit të ri të Lartë Gjyqësor, si dhe domosdoshmërinë për të bërë gjithçka të mundur që të mos humben fondet nga Plani i Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë. “Para buxhetit qëndrojnë jashtëzakonisht shumë pikëpyetje; shpresoj që së shpejti të kuptojmë çfarë do të thotë deficit i fshehur dhe çfarë përmasash ka ai”, theksoi më tej lideri i “Bullgarisë Progresive”.

FOTO: BGNES

Përbërja dhe struktura e kabinetit të Radev:

Kryeministër - Rumen Radev (Gjeneral i Forcave Ajrore, fitoi dy herë zgjedhjet presidenciale. Pas 9 vitesh në detyrë, ai dha dorëheqjen për të kandiduar për kryeministër);

Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Financave - Gëllëb Donev (Ai ishte Kryeministër në dy qeveri të përkohshme të emëruara nga Presidenti Rumen Radev. Ishte gjithashtu Ministër i përkohshme i Punës dhe Politikës Sociale);

Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Ekonomisë, Investimeve dhe Industrisë - Aleksandër Pulev (Master i Administrimit të Biznesit me fokus në financa nga Universiteti i Oksfordit, Angli. Bachelor i Sistemeve të Informacionit dhe Financës nga Universiteti i Maine, SHBA. Financier dhe menaxher me përvojë ndërkombëtare në ekonominë reale dhe investimet);

Zëvendëskryeministër – Ivo Hristov Petrov (Ka punuar si gazetar në RFI‑Bullgaria, NTV, BNT. Është përkthyes i shumë romaneve nga Romain Gary, Marguerite Duras, Tonino Benacquista, Philippe Djian dhe të tjerë. Në periudhën 2017–2019 ka qenë shef i kabinetit të presidentit Radev);

Zëvendëskryeministër – Atanas Pekanov (Ekonomist në Institutin Austriak për Kërkime Ekonomike (WIFO), me fokus në politikën monetare dhe fiskale dhe në arkitekturën e Bashkimit Ekonomik dhe Monetar (EMU). Ka qenë dy herë zëvendëskryeministër teknik për menaxhimin e fondeve evropiane);

Ministër i Punëve të Brendshme – Ivan Demerxhiev (Ka përfunduar studimet për drejtësi. Ka qenë zëvendëskryeministër dhe ministër teknik i punëve të brendshme, si edhe ministër teknik i drejtësisë).

Ministër i Mbrojtjes – Dimitër Stojanov (kolonel në rezervë me mbi 25 vite përvojë në Forcat Ajrore, ku ka mbajtur postin shef i shtabit të Forcave Ajrore. Ka qenë ministër i mbrojtjes, sekretar i përgjithshëm i presidentit dhe sekretar për sigurinë dhe mbrojtjen).

Ministre e Punëve të Jashtme – Velisllava Petrova‑Çamova 

Ministër i Drejtësisë – Nikollaj Najdenov 

Ministre e Punës dhe Politikës Sociale – Natalia Efremova 

Ministër i Arsimit dhe Shkencës – Prof. Georgi Vëllçev 

Ministre e Shëndetësisë – Katja Ivkova 

Ministër i Inovacionit dhe Transformimit Digjital – Ivan Vasilev 

Ministër i Zhvillimit Rajonal dhe Ndërtimit – Ivan Shishkov 

Ministre e Energjisë – Iva Petrova

Ministër i Transportit dhe Komunikimeve – Georgi Peev

Ministër i Bujqësisë dhe Ushqimit – Pllamen Abrovski (ka punuar në përfaqësinë e përhershme të Bullgarisë në Bruksel me përgjegjësi për pagesat direkte, Programin për Zhvillimin Rural, ndihmat shtetërore dhe sektorin pyjor. Në vitin 2021 u nominua për ministër të bujqësisë nga ITN, por kabineti nuk u votua. Ka qenë këshilltar i ministrit të fundit të rregullt të bujqësisë, Georgi Tahov).

Ministre e Mjedisit dhe Ujërave – Rosica Karamfillova‑Bllagova 

Ministër i Kulturës – Evtim Milloshev (Është ndër themeluesit e Shoqatës së Producentëve të Filmit dhe Televizionit në Bullgari (AFTP). Producent i serialeve, programeve televizive dhe emisioneve publike).

Ministër i Turizmit – Ilin Dimitrov (Ka qenë kryetar i Dhomës së Turizmit në Varna. Aktualisht është pedagog në Universitetin e Ekonomisë – Varna)

Ministër i Rinisë dhe Sportit – Enço Kerjazov (Enço Kerjazov është një nga artistët më të suksesshëm dhe më të njohur bullgarë të cirkut në botë. Karriera e tij profesionale ka kaluar në shumë skena evropiane, përfshirë Austrinë, Gjermaninë, Finlandën, Mbretërinë e Bashkuar dhe Spanjën. Ka fituar një sërë çmimesh ndërkombëtare. Ka një fondacion që mbështet fëmijët e talentuar të Bullgarisë në fushat e arsimit, sportit dhe artit).

Pritet që nesër, 7 maj, parlamenti të miratojë qeverinë e 107‑të bullgare, e cila do të bëjë betimin dhe do të marrë pushtetin nga kabineti teknik.

 

Redaktoi: Miglena Ivanova

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva