KULTURË

Artikull

Veshja e punës si art, mbledh krijues nga 6 qytete evropiane në Gabrovo

Dielë, 10 Maj 2026, 07:00

Veshja e punës si art, mbledh krijues nga 6 qytete evropiane në Gabrovo

FOTO: cjcenter.gabrovo.bg

Madhësia e shkronjave

Ekspozita “Metamorfozat e veshjes së punës” do të hapet më 16 maj në Qendrën “Kristo dhe Zhan-Klod” në Gabrovo. Kryeqyteti bullgar i humorit është qyteti i lindjes së artistit me famë botërore, ndërsa ngjarja do të jetë ndër pikat kryesore në programin e fundjavës së karnavalit, i cili zhvillohet çdo vit në maj në Gabrovo.

FOTO: cjcenter.gabrovo.bg

Ekspozita paraqet 18 interpretime bashkëkohore të veshjes së punës, të krijuara nga artistë dhe dizajnerë nga gjashtë qytete evropiane – Gabrovo, Kemnic, Myluz, Mançester, Tampere dhe Lodz. Projekti realizohet sipas programit “Evropa Krijuese” dhe hulumton trashëgiminë industriale përmes këndvështrimit të modës, artit dhe kujtesës shoqërore.

FOTO: cjcenter.gabrovo.bg

Në kuadër të gjashtë rezidencave artistike, të zhvilluara ndërmjet janarit dhe qershorit 2025, pjesëmarrësit studiojnë historinë lokale të tekstilit përmes takimeve me punëtorë, ekspertë dhe banorë, si dhe vizitave në fabrika aktive dhe të braktisura. Kështu e kaluara industriale ringjallet në forma bashkëkohore artistike. Pjesëmarrësit bullgarë në projekt janë dizajnerët Nikolaj Bozhillov, Mariela Gemisheva dhe Nevena Ekimova.

Kulmi i iniciativës dyvjeçare është një ekspozitë e përbashkët me të gjitha 18 veprat, të prezantuara së bashku me historitë pas krijimit të tyre. Instalacioni është vendosur në ndërtesën e ish-teknikumit të tekstilit në Gabrovo – sot shtëpia e Qendrës “Kristo dhe Zhan-Klod”.

FOTO: cjcenter.gabrovo.bg

Përpiloi: Ivo Ivanov

Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski