MUZIKË

Artikull

Gergana Dimitrova dhe Lisa Gerrard bashkojnë kulturat në "Vallja e zogjve"

Hënë, 11 Maj 2026, 06:55

Gergana Dimitrova dhe Lisa Gerrard bashkojnë kulturat në "Vallja e zogjve"

FOTO: Facebook/ Gergana Dimitrova

Madhësia e shkronjave

E njohur si soliste e korit "Misteri i Zërave Bullgarë" dhe një pjesë thelbësore e "Eva Quartet", por edhe me projektin e saj solo "Bellonoga", këngëtarja Gergana Dimitrova vazhdon të eksplorojë folklorin bullgar në të gjitha dimensionet e tij përmes lirisë së krijimit të muzikës. Vitet e fundit, ajo është angazhuar në bashkëpunime të ndryshme që i kanë dhënë mundësinë të zbulojë veten gjithnjë e më shumë si krijuese dhe të zhvillojë potencialin e saj si këngëtare. Midis tyre është bashkëpunimi me Lisa Gerrard - veçanërisht e njohur si këngëtarja e grupit Dead Can Dance, por edhe një autore me një interes të fortë për të dalë nga korniza përgjithësisht e pranuar e vetëshprehjes.

Për herë të parë ato takohen gjatë punës për albumin “BooCheeMish” dhe shumë shpejt zbulojnë afërsi në kërkimet e tyre krijuese. Kështu lind edhe projekti i tyre i ri i përbashkët, nga i cili kënga e parë është “Vallja e zogjve” (“The Dance of the Birds”).

Gergana Dimitrova tregon se ky është një projekt i ëndërruar prej kohësh – ajo ka filluar punën mbi të pesë vjet më parë, gjatë krizës së Covid-it, kur nuk kishte asnjë koncert. Ajo vendosi se pandemia ishte momenti për t’u kthyer drejt vetes dhe për t’u shpëtuar në mënyrën që besonte më shumë: me muzikë dhe krijimtari.

Pak para pandemisë ishte përfunduar turneu shumë i suksesshëm i prezantimit të albumit ““BooCheeMishtë “Misterit të Zërave Bullgarë” me Lisa Gerrard, gjatë të cilit admirimi i ndërsjellë mes dy këngëtareve u shndërrua në miqësi. Kështu Gergana nisi të krijojë muzikë të re, së bashku me bashkëpunëtorë të afërt: Ivajllo Petrov – një nga themeluesit e grupit “Irfan”, si dhe bashkëshorti i saj, kompozitori dhe instrumentisti i kavallit Kostadin Gençev.

Gergana rrëfen për procesin e punës me Lisa Gerrard: 

FOTO: Facebook/ Gergana Dimitrova

“Baza nis këtu, nga unë. Sepse jam unë ajo që dha idetë kryjesore – si dua të tingëllojë muzika dhe çfarë dua të dëgjoj. Së bashku me Ivallon formësuam disa pjesë, duke përfshirë vokalin bullgar dhe improvizimet e mia të lira, dhe i dhamë mundësinë Lisës të integrohej brenda tyre, duke i dërguar këto regjistrime të përfunduara. Pra, ajo u nis nga frymëzimi ynë dhe shtoi të sajën. Prej aty ne bashkuam këto dy botë. I bashkuam në një mënyrë që të tingëllojnë sa më bukur, pa konkurrencë, pa përplasje apo dëshirë për dominim – përkundrazi, u krijua një shkrirje, një plotësim, një ndjesi e përbashkët që çoi në një rezultat të mrekullueshëm.”

I gjithë albumi i përbashkët i Gergana Dimitrovës me Lisa Gerrard do të dalë më 22 maj, ndërsa deri atëherë mund të dëgjojmë këngën e parë prej tij – “Vallja e zogjve”. 

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva