Artikull
Ambasadori ynë në NATO përfaqëson Bullgarinë në takimin e B‑9
Mërkurë 13 Maj 2026 17:34
Mërkurë, 13 Maj 2026, 17:34
FOTO: AP/BTA
Madhësia e shkronjave
Pesëmbëdhjetë krerë
shtetesh dhe përfaqësues të lartë marrin pjesë sot në kryeqytetin rumun në
samitin e “Nëntëshes së Bukureshtit” (B‑9). Mes tyre janë sekretari i
përgjithshëm i NATO‑s Mark Rutte, presidenti i Ukrainës Volodimir Zelenski, si
dhe përfaqësues të vendeve të B‑9 në nivel presidenti, kryeministri ose
ministri. Nga vendet e formatit, vetëm Bullgaria dhe Hungaria janë të
përfaqësuara në nivel ambasadori – Bullgaria nga përfaqësuesi i saj i
përhershëm në NATO, Nikollaj Millkov, dhe Hungaria nga ambasadorja e saj në
Rumani, Katalin Kisné. SHBA-të përfaqësohen nga zëvendëssekretari i
shtetit për kontrollin e armëve dhe sigurinë ndërkombëtare, Thomas DiNanno,
njofton BTA.
FOTO: AP/BTA
Takimi i sivjetshëm i B‑9
konsiderohet një moment vendimtar për formulimin e një pozicioni të përbashkët
lidhur me mbrojtjen kundërajrore dhe mobilitetin ushtarak në rajon. Renditja e
ditës përfshin rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen; forcimin e bazës
industriale transatlantike; koherencën strategjike të krahut lindor;
mbështetjen për Ukrainën dhe tema të tjera.
“Refuzimi i Bullgarisë për të marrë pjesë në nivelin e nevojshëm të lartë në këtë forum të rëndësishëm, i cili do të përgatisë Samitin e NATO‑s në korrik, nuk është çështje protokollare, por politike. Pavarësisht deklaratave të qeverisë se do të punojë për një zë më të fortë të Bullgarisë në NATO dhe BE, sjellja e pushtetarëve tregon të kundërtën. Nga kjo përfiton vetëm regjimi i Putinit në Moskë”, komentuan në një deklaratë nga “Bullgaria Demokratike”.
Redaktoi: Miglena Ivanova
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva