Seksion
Magjia e Sirba Oktet vjen në Sofje në kuadër të Festivalit Evropian të Muzikës
Premte 15 Maj 2026 07:05
Premte, 15 Maj 2026, 07:05
FOTO: Caroline Doutre
Madhësia e shkronjave
Pas një serie ngjarjesh klasike në Festivalin Evropian të Muzikës, programi i muajit maj merr një drejtim të ri me vizitën e parë në kryeqytetin bullgar të Sirba Oktet. Krijuesi i ansamblit, Richard Schmoucler – violinist dhe pedagog i cili ka mbaruar arsimin klasik muzikor – ka ndërtuar karrierën e tij në orkestrat prestigjioze franceze. Nën drejtimin e tij, okteti ka mbajtur koncerte në salla të mëdha evropiane si Filharmonia e Parisit, Concertgebouw – Amsterdam dhe Musikverein - Vjenë. Regjistrimet e ansamblit janë vlerësuar me çmimin Choc Classica.
FOTO: europeanmusicfestival.bg
Më 16 maj 2026, në Sofia Live Club, muzikantët nga Franca do të prezantojnë programin e tyre “Tanz!”, i cili ndërthur tradita si klezmer, jazz dhe folklor. Një përjetim emocionues ku takohen stile dhe kultura të ndryshme – nga Evropa Lindore deri në Paris.
Klezmer është një stil muzikor karakteristik për komunitetet hebraike në Evropën Lindore, që ekziston prej shekujsh. “Ndryshe nga traditat e tjera, këtu kemi vetëm instrumente, por ato mund të shprehin të gjithë gamën e emocioneve – të qeshura, trishtim, gëzim. Instrumentet fjalë për fjalë ‘këndojnë’… Kjo muzikë ruan kujtesën dhe emocionet e bukura të jetës në Evropë para Luftës së Dytë Botërore”, thotë Richard Schmoucler.
FOTO: Lyodoh Kaneko
Historia personale e violinistit është gjithashtu shumëdimensionale. Në familjen e tij ndërthuren rrënjë rumune, polake dhe moldave. Paraardhësit e tij u nisën drejt Evropës Perëndimore në fund të shekullit XIX dhe fillimin e shekullit XX. Kjo ndjesi lëvizjeje dhe përzierjeje kulturash është dukshëm e pranishme në projektet e formacionit, i cili përfshin muzikantë nga ansamblet kryesore franceze: Orchestre de Paris, Orkestrën Kombëtare të Francës dhe Orkestrën e Operës së Parisit.
“Të bashkuar jemi nga ideja për të bërë atë që kanë bërë disa nga kompozitorët e mëdhenj: Bartók, Kodály, Liszt dhe Brahms, pra të paraqesim muzikën folklorike përmes prizmit të traditave klasike”, shpjegon drejtori artistik i Sirba Oktet. Emri i formacionit vjen nga vallja tradicionale rumune “Sârbă”, e cila kërcehet në rreth dhe sjell ndjesinë e afërsisë dhe përjetimit të përbashkët.
FOTO: Caroline Doutre
Që nga viti 2003 e deri më sot, Sirba Oktet ka zhvilluar një aktivitet të pasur koncertesh dhe incizimesh. Albumi debutues i ansamblit, A Yiddishe Mame (2005), tërhoqi menjëherë vëmendjen e publikut dhe kritikës. Formacioni ka krijuar stilin e vet, të përkufizuar si “Classical World”, ku kufijtë mes zhanreve zbehen dhe emocionet së bashku me virtuozitetin zënë vendin qendror.
Përpiloi: Cvetana Tonçeva
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello