HISTORI

Artikull

Bazilika Episkopale në Pllovdiv hap dyert për një “Ditë të Mozaikëve” speciale

Shtunë, 16 Maj 2026, 07:00

Bazilika Episkopale në Pllovdiv hap dyert për një “Ditë të Mozaikëve” speciale

FOTO: Facebook/ America for Bulgaria

Madhësia e shkronjave

Një nga hapësirat kulturore më të rëndësishme në Bullgari – Bazilika Episkopale në Pllovdiv – feston 5 vjet nga shndërrimi i saj në një vend takimi të arkeologjisë, historisë dhe artit bashkëkohor.

Më 16 maj ajo hap dyert me hyrje falas dhe me një “Ditë të Mozaikëve” të organizuar posaçërisht – programi i saj është i përshtatshëm për të gjitha moshat dhe përfshin koncerte, punishte artistike, 3D mapping dhe qasje falas te mozaikët romakë, shëtitje virtuale dhe këndi për fëmijë. Ngjarja është një mundësi e shkëlqyer që banorët dhe mysafirët e Pllovdivit të zhyten në historinë e qytetit më të vjetër të banuar vazhdimisht në Evropë.

Bazilika Episkopale e Filipopolit (Pllovdivit) është një ndërtesë madhështore (83 m gjatësi) me tri nefe, absidë, narteks dhe atrium. Kjo është bazilika më e madhe paleokristiane e zbuluar në Bullgari. E datuar nga shekulli IV, ajo dallohet jo vetëm për përmasat, por edhe për interierin unik. Dyshemeja është e mbuluar me mozaikë të jashtëzakonshëm me sipërfaqe totale prej 2000 m², të ndërtuar në dy shtresa, njëra mbi tjetrën, ndoshta me një distancë kohore prej 50 vitesh. Kjo kryevepër e artit të antikitetit të vonë u zbulua gjatë punimeve ndërtimore në vitet ’80 të shekullit XX, ndërsa pas një restaurimi madhor shtatëvjeçar hapi dyert si objekt turistik më 18 prill 2021.

Bazilika Episkopale në Pllovdiv hap dyert për një “Ditë të Mozaikëve” speciale

FOTO: Bazilika e Peshkopit e Filipopolisit

Sot ekspozita në Bazilikën Episkopale është e ndarë në zona tematike, të cilat tregojnë të gjithë historinë shtresë pas shtrese – edhe me ndihmën e realitetit virtual, ndërsa mozaikët nga epoka romake në Filipopol mahnitin vizitorin me madhështinë e tyre, simbolikën e pasur dhe mjeshtërinë e hollë artistike.

Ngjarja është pjesë e shënimit të 70-vjetorit të anëtarësimit të Bullgarisë në UNESCO.

Shihni më shumë nga arkivi i Radio Bullgarisë:

Përpiloi: Elena Karkallanova

Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski