KULTURË

Artikull

Nga Rodopet në Vatikan me zërin e Diana Dafova në “Haberlea”

Dielë, 17 Maj 2026, 07:00

Diana Dafova

Diana Dafova

FOTO: rca.bg

Madhësia e shkronjave

Filmi dokumentar HABERLEA, kushtuar këngëtares dhe kompozitores bullgare Diana Dafova, do të ketë një shfaqje speciale më 28 maj në kinemanë Kino Lumiere në Pallatin Kombëtar të Kulturës. E njohur për ndërthurjen e folklorit, etnos dhe muzikës botërore, Dafova frymëzohet nga Rodopet – mali i lidhur me Orfeun mitik. Zëri i saj arrin deri në Kozmos – “Adia” e saj është kënga e dytë bullgare që ka fluturuar në hapësirë në bordin e anijes kozmike Space Shuttle Columbia, me ftesë personale nga drejtori i NASA-s David Dickinson.

Filmi i regjisores Petja Angellova nuk ndjek stilin klasik biografik, por ndërthur kinemanë dokumentare me elemente artistike dhe simbolikë të fortë vizuale. Titulli vjen nga Haberlea rhodopensis – lulja e Orfeut, e njohur për aftësinë e saj të “ringjallet” pas tharjes. Ajo shndërrohet në metaforë për qëndrueshmërinë shpirtërore dhe aftësinë e njeriut për të kaluar përmes vështirësive.

Milena Pavllova, Vasill Najdenov, Diana Dafova, Petja Angellova

FOTO: rca.bg

Xhirimet i çojnë shikuesit në disa nga vendet më mbresëlënëse në Bullgari, Itali dhe Turqi – nga pylli mistik Krëstova Gora dhe Stamboll deri te Bazilika e Shën Pjetrit në Vatikan. Ekipi tregon për një seri rastësish të pashpjegueshme gjatë xhirimeve – shi i rrëmbyeshëm dhe mjegull e dendur tërhiqeshin papritur pikërisht para fillimit të skenave të rëndësishme, ndërsa në vende me kufizime të rrepta kamerat arrinin të filmonin në momentin e fundit të mundshëm. Sipas producentëve, ndjesia ishte sikur “diçka i udhëhiqte” gjatë gjithë procesit të xhirimit.

Përpiloi: Elena Karkallanova

Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski